Lojtarët e Dortmund reagojnë ndaj UEFA-s: Askush nuk mund të luante, s’jemi kafshë, jemi njerëz!

92
Më pak se 24 orë pas shpërthimeve që ndodhën pranë autobusit të skuadrës gjermane Borussia Dortmund ata u desh ta zhvillonin ndeshjen, të cilën e humbën me rezultat 3-2. Lojtarët e Borussia Dortmund kanë thënë se sulmet e të martës mbrëma kanë ndikuar në paraqitjen e tyre ndaj Monaco. Trajneri dhe disa lojtarë të Dortmund kanë thënë se ishin informuar me mesazh nga UEFA që duhej ta zhvillonin ndeshjen menjëherë pas sulmeve që lanë të lënduar Marc Bartran.

“Neve nuk na kanë pyetur në asnjë moment. Ne jemi njoftuar me anë të një SMS se vendimi ishte marrë në Zvicër. Kjo nuk ishte gjë e mirë”, ka deklaruar trajneri Thomas Tuchel për “RuhrNewsBVB”.

“Askush nuk donte të luante sot”, ka thënë futbollisti gjerman Matthias Ginter.

“Derisa filloi ndeshja, koka ime ishte përplot me gjithçka, vetëm me futboll jo… Ne jemi njerëz. E di se është dashur të luanim sot, por njerëzit nuk duhet të harrojnë atë që ndodhi”, ka thënë Nuri Sahin.

“Ishte shumë vështirë për ne. Mezi kishim fjetur, të gjithë u përpoqëm që të kalonim kohë me familjet tona. Bënë më të mirën që mundëm”, është shprehur Julian Weigl.
“Ne nuk jemi kafshë, jemi njerëz, kemi familje, fëmijë të vegjël në shtëpi. E marta ishte dita më e keqe në jetën time. Jam i lumtur që jam gjallë”, ka theksuar Sokratis Papastathopoulos.