Lluka Heqimi: Kujdesi nga moti i nxehtë, detyrim për trajnerët e sportistët

806
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Prof. Dr. i mjekësisë sportive, tregon për efektet negative që sjell moti i nxehtë në stinën e verës 
Doktor, në këtë mot të nxehtë dhe me temperatura shumë të larta, çfarë sugjerohet prej jush, për të gjithë ata persona që ushtrohen fizikisht?
Duke qenë se flasim për ndikimin në sport, e para që porosit, është që fëmijët të diferencohen nga të nxehtit, sepse mosha e tyre nuk e ka në rregull qendrën e të nxehtit. Por, edhe të moshuarit, apo grupmoshat e rritura që duan të ushtrohen sportivisht në këtë stinë, duhet që të shmangin çdo veprim në mesditë, apo edhe pasdite. Këta duhet të shfrytëzojnë ekstremet e ditës, në mëngjes, ose në mbrëmje vonë.

Duke parë që skuadra dhe individë stërviten në mesditë, apo paradite, si duhet të veprojnë ata tashmë që moti ka kaluar temperatura ekstreme?
Është kategorike, që sportistët të mos përqendrohen në hapësira me diell gjatë proceseve stërvitore. E njëjta këshillë është edhe në këtë rast, ku skuadrat dhe trajnerët duhet të zgjedhin kohën dhe vendin për stërvitje, ku të mos ketë temperatura të larta. Në kohë tjetër, dëmtohet shëndeti i sportistëve e trajnerëve, dhe ngarkesat që ata marrin, bëhen shkak për sëmundje të ndryshme.

Po futbolli që ka më shumë aktivitet e pjesëmarrje kolektive, si duhet të veprojë me stërvitshmërinë në këto ditë të nxehta?
Futbolli ka më shumë hapësirë, dhe në stërvitshmërinë e tij në këtë stinë, mirë është që të kombinojë detin me lartësinë mbi 900 m mbi nivelin e detit. Kështu shtohet intensiteti dhe guazat e kuqe të gjakut. Ndaj duhet që stërvitshmëria të ndahet me periudha e cikle të veçantë në të dy këto drejtime, për të shmangur efektet negative të të nxehtit, dhe për të marrë ngarkesat e duhura fizike.

Po ndeshjet e futbollit, duhet të luhen në këtë mot të nxehtë?
Që duhet të luhen sipas kalendarëve, kjo nuk ka asnjë diskutim, por edhe ndeshjet duhet të zhvillohen në orare kur ka rënë i nxehti. Dhe kjo bëhet në raport me pozicionin gjeografik që ka çdo shtet. Për shembull, për ndeshjet e Ligës së Kampioneve apo të Ligës së Evropës, oraret e zhvillimit të tyre në këtë stinë vendosen në raport me motin që ka çdo shtet. Kështu edhe për ndeshjen e Skënderbeut me Mllada Boleslav, e cila nis në ora 20:00, kur në Elbasan kanë rënë temperaturat e larta.

E keni edhe një sugjerim, apo këshillë, për të tjerë njerëz që ushtrohen fizikisht në këtë stinë të nxehtë?
Të gjithë ata që e kanë mundësinë, duhet ti nënshtrohen xhiros rehabilituese në këtë stinë me mot të nxehtë. Këshilla numër një është që të futen në qendra rehabilitimi, fillimisht 8 minuta në sauna, pastaj pak sekonda në dushin skocez (i ftohtë), të kalojnë për 20 minuta në hidromasazh, dhe më pas 20 minuta në rehabilitim. Kjo është forma më klasike që mjekësia e quan si domosdoshmëri për gjithë ata që duan të ushtrohen fizikisht në këtë periudhë.

Po ata sportistë, apo të pasionuar pas notit në pishina, kur duhet të hyjnë në ujë?
Në Shqipëri ka më shumë pishina të hapura, dhe shumë pak të mbyllura. Ato janë nën efektin kryesor të temperaturave të larta, ku dielli i kap në orare të mesditës. Sportistët (notarët) duhet të kenë kujdes me ujin në këtë mot të nxehtë, dhe të futen kryesisht në mbrëmje, kur edhe temperatura e ujit të jetë në barabartë me temperaturën mesatare të trupit. Mirë është që, notarët pas stërvitjes ose garës në këtë stinë, të hyjnë në sauna, sepse nuk duhet të humbasin më shumë se 700 gr kilokalori.

Në këtë stinë, sporti dhe qytetarët e tjerë janë të dhënë pas pishinave dhe detit, si duhet të veprojnë ata për të shmangur efektet e të nxehtit?
Së pari, pishinat duhet të jenë të pastra, dhe ata që janë si instruktorë duhet që të lejojnë larjen. Por, duhet të veprojnë sa më sipër, të lahen kryesisht në mbrëmje, kur edhe temperatura e ujit të jetë në barabartë me temperaturën mesatare të trupit.

Duke u përqendruar tek sporti, cila është këshilla numër një në këtë stinë?
Kujdesi nga moti i nxehtë, është detyrim për trajnerët e sportistët. Në raport me vapën, bëhen edhe programet stërvitore, apo edhe përcaktohen oraret e zhvillimit të ndeshjeve e veprimtarive të tjera sportive.
Është kategorike, që sportistët nuk duhet të përqendrohen në hapësira me diell gjatë proceseve stërvitore. Kujdesi nga moti i nxehtë, është detyrim për trajnerët e sportistët. Në raport me vapën, bëhen edhe programet stërvitore, apo edhe përcaktohen oraret e zhvillimit të ndeshjeve e veprimtarive të tjera sportive 
Sigal