Liverpuli bëhet gati të hyjë në histori, do luajë dy ndeshje zyrtare në dy ditë radhazi

83

Liverpuli po bëhet gati të hyjë në histori, pasi në muajin dhjetor do të bëjë diçka të pamenduar në kushtet e futbollit profesionist. Klubi anglez do të luajë dy ndeshje zyrtare në dy ditë radhazi, në dy turne dhe kontinente të ndryshëm.

Duke marrë pjesë e duke u kualifikuar në çdo turne të mundshëm këtë vit, Liverpuli e ka parë veten në situatën absurde ku do të luajë thuajse çdo tre ditë deri në fund të këtij viti. I pranishëm në Ligën e Kampioneve, Premier Ligë, Kupën FA, Botërorin e Klubeve dhe Kupën e Ligës, skuadra e Klop realisht nuk ka mundësi që të zhvillojë takimin e çerekfinaleve të këtij trofeu të fundit pasi ka të gjitha mesjavat e zëna. Ndaj klubi ka rënë dakord për një zgjidhje ekstreme, duke vendosur ndeshjen me Aston Vilës më datë 17 dhjetor.

Ndërkohë, të nesërmen ka të caktuar në kalendar ndeshjen gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve, për të cilin duhet të jetë në Katar. Kjo do të thotë se do të luajë dy ndeshje në dy ditë radhazi, pasi është zgjidhja e vetme që i mbetet.

Megjithatë, mendohet se klubi do të injorojë plotësisht Kupën e Ligës duke udhëtuar me lojtarët kryesorë drejt Katarit, ndërsa skuadra që do të zbresë në fushë më 17 dhjetor do të drejtohet nga një prej asistentëve të teknikut dhe do të ketë në përbërje shumë futbollistë nga akademia.