Sigal

Liverpooli konfirmon forcën edhe në Ligën e Kampionëve. Pas një nisje fantastike në Premier League, skuadra e Jurgen Klopp e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme edhe Championsin, duke mundur 3-2 PSG, që konsiderohet si një ndër pretendetët kryesor të Championsit. Të kuqtë në fakt kanë zhvilluar një ndeshje fantastike, duke e dominuar që nga minuta e parë deri në të fundit.

Sturridge zhbllokoi ndeshjen në minutën e 30-të, pas njëpasimi fantastik të Robertson nga krahu i majtë. Pas 6 minutash të kuqtë do të fitonin një 11-metërsh, i cili u kthye në gol nga Milner. Reagimi i parizienëve ishte i menjëhershëm me Meunier, i cili shënoi një gol me fat në minutën e 40-të.

Liverpooli vijoi dominimin edhe në pjesën e dytë, duke pasur mundësi të shumta me Sturridge dhe Mane, por në momentin e tyre më të mirë, Mbappe i ndëshkon. 7 minuta nga fundi i kohës së rregullt,  sulmuesi i talentuar shfrytëzoi një gabim të Salah në mesfushë duke befasuar mbrojtjen vendase. Liverpooli kërkoi me ngul sërish golin e avantazhit, teksa Arnold goditi shtyllën pas një goditje dënimi. Në minutën e dytë shtesë, Firmino vendosi drejtësinë në vend duke shënuar golin e avantazhit që i dha 3 pikë të merituara.

Në ndeshjet e tjera Napoli i Hysajt barazoi pa gola në transfertën ndaj Crvena Zvezdës, Atletico Madrid mundi 2-1 Monacon, Schalke barazoi 1-1 me Porton, ndërkohë që galatasaray mundi 3-0 Lokomotivën e Moskës.