Lionel Mesi vjen në Tiranë: Flamurtari, miqësore me Barçën

548
Sigal

Vlonjatët do të luajnë, më 9 shtator në “Qemal Stafa”, edhe me klubin tjetër spanjoll, Seviljen

Barcelona dhe Lionel Mesi në Shqipëri, duket se nuk do të jetë më vetëm një ëndërr e Flamurtarit dhe presidentit Shpëtim Gjika, por një realitet i prekshëm. Klubi gjigant spanjoll, i konsideruar edhe si më i mirë i të gjitha kohërave, por dhe lojtari më i mirë i planetit, argjentinasi Lionel Mesi, tri herë fitues i “Topit të Artë” pritet të vijnë në Shqipëri, në muajin nëntor. Barcelona ka pranuar të luajë me Flamurtarin, por këtë nuk do ta bëjë në Vlorë, por në “Qemal Stafa” të kryeqytetit. Lajmi është konfirmuar nga drejtuesit më të lartë të Barcelonës, përfshirë zëvendëspresidentin e klubit spanjoll, Fuste Josep Maria, gjatë një takimi zyrtar pune me ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

2 MILIONË EURO

Në fakt, ardhja e Barcelonës në Shqipëri ka një faturë të kripur, flitet të paktën për 2 milionë euro, por mesa duket të gjitha shpenzimet e ndeshjes historike me Barcelonën do të merren nga dy biznezmenë, Blerim Hoxha dhe Besim Ruçi, të cilët ishin të pranishëm në takimin me ministrin Bumçi. Pak ditë më parë, dy përfaqësues nga klubi i Barcelonës, vizituan qytetin e Vlorës ku panë nga afër edhe kushtet e stadiumit të Flamurtarit, por mes dyzimeve për të luajtur në Vlorë, apo në Tirana, klubi spanjoll vendosi më në fund të luajë në “Qemal Stafa”. Pikërisht, ndeshja kundër Barcelonës do të jetë dhe ndeshja e fundit në impiantin ndërkombëtar të kryeqytetit, përpara se ai të prishet dhe në vend të tij të ndërtohet stadiumi modern “Kuq e Zi’, 30 mijë vende. Kështu, tifozët shqiptarë do të kenë shansin të shohin nga afër yje të tillë si Lionel Mesi, Andres Iniesta, Çavi Hernandez, Zherard Pike, David Vija, Pedro Rodriguez, etj.

SEVILJA

Në fakt, Flamurtari do të luajë edhe me Seviljen, skuadrën tjetër spanjolle. Takimi është programuar, për më 9 shtator, në “Qemal Stafa”, në kohën kur Superliga është pushim, për shkak të angazhimeve të Kombëtares, për dy ndeshjet eliminatore të Kampionatit Botëror, ato kundër Qipros (7 shtator, në Tiranë) dhe Zvicrës (11 shtator, në Lucernë). Me Seviljen luajnë emra të tillë si Alvaro Negredo, Andres Palop, Diego Lopez, Hoze Antonio Rejes, Fernando Navarro. Sevilja drejtohet nga trajneri Hoze Miguel Martinez del Kampo, i njohur shkurt me emrin Mishel. Sevilja e ka fituar një herë kampionatin spanjoll (1945-1946), duke dalë katër herë nënkampione, si dhe e ka fituar pesë herë Kupën e Mbretit.

TAKIMI

Në talimin me Ministrin e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, ndodheshin edhe drejtues e menaxherë të Barcelonës, si Jose Carlos Garcia dhe Jose Carlos Garcia de sa Jerome, përfaqësues të medias, ndërkohë që nga pala shqiptare mori pjesë edhe zëvendësministri përgjegjës për Sportet, Dashnor Bajaziti, një ish-golashënues i njohur i Besës dhe Shkëndisë, dy herë fitues i “Topit të Artë” të kampionat shqiptar, si dhe përfaqësues të drejtorisë së sportit, përfshirë Drejtorin e Sporteve, Vasil Bici. Ministri Bumçi gjatë takimit shprehu konsideratat më të larta për këtë ekip me emër në botë si dhe u shpreh i gatshëm për të dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

___________________________________________________________

KATËR NDESHJET FLAMURTARI-BARCELONA

Flamurtari-Barcelona janë përballur katër herë mes tyre. Dy përballjet e para, të zhvilluara për Kupën UEFA 1985-1986 (sot Europa League), përfunduan në barazim 1-1 në Vlorë dhe 0-0 në “Kamp Nou”. Flamurtari u eliminua për shkak të rregullit të golit në fushë kundërshtare. Ndërkaq, një vit më pas, këto dy skuadra do të përballeshin sërish mes tyre, këtë herë në raundin e tretë të Kupës UEFA, për sezonin 1987-1988. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Kamp Nou”, asokohe Flamurtari u mund me rezultatin 4-1. Ëndrra e vlonjatëve për ta kaluar turin përfundoi, edhe pse triumfuan në shtëpi 1-0 ndaj Barcelonës, me golin e Sokol Kushtës në minutën e 15-të.

___________________________________________________________

GOLI ME DORË I MESIT KUNDËR SHQIPËRISË

Për Lionel Mesin do të jetë hera e dytë që do të luajë kundër një ekipi shqiptar, pasi më parë “Pleshti” e ka bërë atë kur luante me Argjentinën, në miqësoren kundër Shqipërisë. Ndeshja u luajt më 20 qershor 2011, në Buenos Aires, dhe ishte në kuadër të “Ditës së Flamurit” të Argjentinës. Mesi me shokë fituan 4-0 ndaj një Shqipërie në versioni B (nuk u paraqit me lojtarët më të mirë të saj) dhe për t’u shënuar është goli anuluar i Leos me dorë dhe batutat e yllit argjentinas me portierin Isli Hidi.  Lionel Mesit e gjeti të lirë në zonë Ezekjuel Lavecin, i cili shënoi në portën e Beqajt për 1-0 (6′). Ishte Ezekjuel Laveci ai që në minutën e 43-të asistoi për Lionel Mesin, i cili me magjinë e tij shënoi për 2-0 dhe fundin e pjesës së parë. Rezultatin e trefishoi Serxho Aguero (75′) që shënoi me ndihmën e të madhit Lionel Messi, kurse rezultatin përfundimtar të këtij takimi miqësor Argjentinë 4-0 Shqipëri, e vuri Karlos Tevez (90′).

___________________________________________________________

KUR REALI DHE RONALDO LUANIN KUNDËR GRAMOZIT

Gramozi ka marrë vetëm një herë pjesë në Kategorinë Superiore, por skuadra kolonjare hyri në historinë e futbollit shqiptar, si e vetmja që ka mundur të luajë me Realin e Madridit, një ndeshje miqësore e luajtur në “Qemal Stafa”, në janar të vitit 2010. Në kohën kur u zhvillua ndeshja, Reali kryesonte kampionatin spanjoll, ndërsa Gramozi renditej në vendin e fundit të Superligës. Takimi u shoqërua edhe me një incident të pazakontë, pasi energjia në stadium u ndërpre për gati 90 minuta, ndërkohë që ngjarja bërë bujë dhe mori përmasa ndërkombëtare. Në Shqipëri erdhën lojtarë të tillë si Kristiano Ronaldo, Iker Kazijas, Serxho Ramos, Kaka, etj. Reali i Madridit mbërriti në Tiranë me mbështetjen financiare të presidentit të grupit “Taçi Oil International”, Rezart Taçi, i cili më parë kishte sjellë dy herë Milanin në Shqipëri, në tetor 2009 dhe maj 2009.

___________________________________________________________

DUKA I FSHF-SË: “OK, PËR FLAMURTARI-SEVILJA”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, priti në zyrën e tij përfaqësuesit e futbollit katalanas, të cilët përfaqësonin klubet e Barcelonës dhe të Seviljes. Takimi, sipas komunikatës së FSHF-së, u bë për të marrë aprovimin e Federatës Shqiptare te Futbollit për zhvillimin e takimit miqësor Flamurtari-Sevilja. Ky takim interesant do të zhvillohet më datën 9 shtator 2012, në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Në këtë takim presidenti Duka shprehu kënaqësinë e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis FSHF-së dhe Federatës Spanjolle te Futbollit. “Kjo po zgjerohet dhe me marrëdhëniet midis klubeve”, – tha Duka. Presidenti i FSHF-së mori premtimin nga përfaqësuesit spanjoll se ne të ardhmen do të ketë mundësi për sjellë edhe skuadrën e Barcelonës në Tiranë, siç ka ndodhur me parë me Realin  Madridit apo Milanit.