Lionel Mesi fiton “Topin e Artë”, “pleshti” shndërrohet në legjendë

522
Sigal

Sulmuesi i Barcelonës u pari lojtar që fiton për herë të katërt trofeun më prestigjioz

Lionel Mesi është lindur për të thyer rekorde. Argjentinasi i Barcelonës fitoi për herë të katërt “Topi i Artë”, është më i miri në historinë e këtij çmimi prestigjioz, pasi askush më parë nuk ka mundur ta fitojë atë kaq herë. Lionel Mesi po thyen çdo lloj rekordi në botën e futbollit.  Sikurse pritej, Lionel Mesi i Barcelonës e fiton për herë të katërt radhazi çmimin e lojtarit më të mirë të planetit. Askush si ai nuk kishte dominuar kaq gjatë në të kaluarën. “Pleshti” ka thyer një tjetër rekord, i përzgjidhur si lojtari më i mirë në botë për të katërtën here radhazi. Sulmuesi i Barcelonës dhe Argjentinës, që regjistroi plot 91 gola në vitin kalendarik 2012, ishte dukshëm favorit për ta fituar “Topin e Artë” të FIFA-s, teksa ka lënë pas shokun e skuadrës, Andres Iniesta, dhe rivalin e madh në La Liga, Kristiano Ronaldon e Realit të Madridit. Trofeu i katërt prestigjioz individual e vendos Mesin mbi fituesit e trefishtë: Zidane dhe Ronaldo i Brazilit. “Topi i Artë” u krijua si çmim (trofe) në vitin 1956 dhe fillimisht u jepej vetëm lojtarëve europianë. Mishel Platini, Johan Krujf dhe Marko van Basten e kanë fituar nga tri herë atë. Leo Mesi bëhet i pari i të gjithëve edhe në këtë drejtim, duke rihapur debatin nëse talenti i tij krahasohet me atë të legjendave Pele dhe Maradona, karrierat e të cilëve ishte në zenitin e tyre para se FIFA ta jepte këtë trofe në vitin 1991. Legjendat e futbollit të Amerikës së Jugut nuk mund të konkurronin për “Topin e Artë”, sepse ai jepej nga revista franceze “France Football”. Këto trofe u shkrinë në një në vitin 2010. Për katër trofetë kryesorë kanë votuar trajnerët dhe kapitenët e të gjitha skuadrave përfaqësuese, si dhe gazetarë të ftuar. Votat janë hedhur në nëntor, para se Mesi të fitonte edhe më tepër famë për shkak të thyerjes së rekordit të madh të Gerd Mylerit, i cili kishte shënuar 85 gola në një vit kalendarik. Numri total i golave të Mesit përfshin 79 gola për Barcelonën dhe 12 për Argjentinën, duke e lënë pas tashmë rekordin e Mylerit, të arritur kur luante për Bajernin e Mynihut dhe Gjermaninë Perëndimore në vitin 1972.

 Futbollistja më e mirë

 Futbollistja më e mirë për femra në vitin që u mbyll u shpall Abi Uambah, pjesëtare e kombëtares amerikane. Ndërkohë, Federata e Uzbekistanit fitoi çmimin e “fair-play”-it, kurse çmimi i “presidentit” i takoi Kajzerit gjerman, Franc Bekenbauer.

 Del Boske, trajneri i vitit

Trajneri më i mirë për vitin 2012 është Vinsente Del Boske, njeriu që e udhëhoqi përfaqësuesen spanjolle drejt fitimit të kampionatit Europian 2012 në Poloni dhe Ukrainë. Ai e drejtoi Spanjën drejt rikonfirmimit si kampione Europe. Ai superoi kësisoj konkurrencën e Pep Guardiolës, i tërhequr përkohësisht prej gati një viti nga trajningu, dhe të Hoze Mourinjos, kampion i La Liga dhe trajner i Realit të Madridit.

 “Formacioni i Vitit”

 Formacionin më të mirë e dominojnë iberikët, me 7 lojtarë të Spanjës, kampione e Europës dhe e Botës në fuqi. Portieri Iker Kasijas ka marrë më shumë vota në rolin e tij, shumë më tepër edhe se Mesi. Me 79 për qind të votave mes kandidaturave portierë, kapiteni i Realit ftillon formacionin më të mirë të vitit, për t’u plotësuar pak e nga pak me mbrojtjen para tij, e përbërë nga: Ramos, Pike dhe Xhordi Alba. Të tre këta, pjesë e kombëtares spanjolle. Edhe mesfusha ka dominim spanjoll, sepse aty nuk mund të mungonte Ksabi Alonso, Iniesta dhe Ksavi, përkrah Gareth Bale. Në sulm, zgjedhjet duken të pritshme. Mesi është futbollisti që ka marrë më shumë vota, 30 për qind të këtij reparti, i ndjekur nga Falkao me 25 për qind dhe Ronaldo, në vend të tretë, me 24 për qind. Ndjekësi më i afërt i tyre është Ibrahimovic, me 3.8 për qind të votave për sulmin. “FIFPro Ëorld XI” (4-3-3): Iker Casillas; Dani Alves, Gerard Pique, Sergio Ramos, Marcelo; Ksabi Alonso, Ksavi, Andres Iniesta; Lionel Messi, Radamel Falkao, Kristiano Ronaldo.

 Çmimet e tjera

Ndërkohë, cmimi “Ferenc Pushkash” shkoi për sllovakun e Fenerbahces, Miroslav Stok, që kishte realizuar një supergol nga goditja në gjysmëkthesë e sipër, nga distanca, në kampionatin turk. Ai u rendit në bazë të votave para Radamel Falkaos dhe Nejmarit. Trajnerja më e mirë e vitit që shkoi në futbollin e femrave u shpall Pia Sundhage, norvegjezja e kombëtares amerikane.

PALMARES, “TOPI I ARTE”

 Viti Lojtari              Shteti

1956 Stenli Methjus       Anglia

1957 Alfredo Di Stefano   Spanja

1958 Raymond Kopa         Franca

1959 Alfredo Di Stefano   Spanja

1960 Luis Suarez          Spanja

1961 Omar Sivori          Italia

1962 Josef Masopust       Çekosllovakia

1963 Lev Jashin           Bashkimi Sovjetik

1964 Denis Lo             Skocia

1965 Eusebio              Portugalia

1966 Bobby Charlton       Anglia

1967 Florian Albert       Hungaria

1968 George Best          Irlanda Veriore

1969 Gianni Rivera        Italia

1970 Gerd Myler           Gjermania

1971 Johan Krujf          Holanda

1972 Franz Bekenbauer          Gjermania

1973 Johan Krujf          Holanda

1974 Johan Cruijff        Holanda

1975 Oleh Blochin         Bashkimi Sovjetik

1976 Franz Beckenbauer    Gjermania

1977 Allan Simonsen       Danimarka

1978 Kevin Keegan         Anglia

1979 Kevin Keegan         Anglia

1980 Karl-Heinz Rumenige  Gjermania

1981 Karl-Heinz Rumenige  Gjermania

1982 Paolo Rossi          Italia

1983 Michel Platini       Franca

1984 Michel Platini       Franca

1985 Michel Platini       Franca

1986 Ihor Bilanov         Bashkimi Sovjetik

1987 Rud Gulit            Holanda

1988 Marko van Basten           Holanda

1989 Marko van Basten           Holanda

1990 Lothar Matthäus      Gjermania

1991 Jean-Pierre Papin    Franca

1992 Marko van Basten           Holanda

1993 Roberto Baggio       Italia

1994 Christo Stoiçkov          Bullgaria

1995 George Ueah          Liberia

1996 Matias Zamer         Gjermania

1997 Ronaldo              Brazili

1998 Zinedin Zidan        Franca

1999 Rivaldo              Brazili

2000 Luís Figo            Portugalia

2001 Michael Ouen         Anglia

2002 Ronaldo              Brazili

2003 Pavel Nedved         Çekia

2004 Andriy Shevchenko    Ukraina

2005 Ronaldinjo           Brazili

2006 Fabio Kanavaro       Italia

2007 Kaka                 Brazili

2008 Kristiano Ronaldo    Portugalia

2009 Lionel Mesi          Argjentina

2010 Lionel Mesi          Argjentina

2011 Lionel Mesi          Argjentina

2012 Lionel Mesi         Argjentina

 Artan Bushati, kandidat në bankinën e Vllazninë

  Duro: “Jam trajner profesionist dhe di të respektoj rregullat”

 Vllaznia bën “gëzuar” me seancën e parë stërvitore për vitin 2013. Kuqeblutë të drejtuar nga Shpëtim Duro nisën përgatitjet për fazën e dytë të sezonit, teksa klubi është në prag të një rokade administrimi: Bashkia, të mërkurën pritet t’ia dorëzojë “çelësat”, biznesmenit Agron Çela, teksa kandidati i përfolur si trajneri i ri është Artan Bushati. Java në vijim pritet të jetë shumë e rëndësishme për të ardhmen e kuqebluve, pasi bashkë me presidencën e re mund të njihet zyrtarisht edhe e ardhmja e timonierit të ekipit deri në fund të sezonit.

  DURO

Ne intervistën e parë për mediat, trajneri i Vllaznisë, Shpëtim Duro, tha: “I gjithë grupi është ai qe ka mbyllur fazën e parë. Mungojnë futbollistët Osmani-Hysa-Bega, të cilët kanë bërë zgjedhjen e tyre duke u vetëlarguar. Dragoi dhe Beqiri do t’i bashkohen ekipit nesër ose pasnesër. Kam mbledhur ekipin siç ishte planifikuar, më 7 janar. Unë vazhdoj punën sipas të gjitha planeve të mija. Pavarësisht asaj çfarë thuhet ne media, unë do të vijoj punën dhe janë drejtuesit ata që bëjnë përzgjedhjet e tyre edhe për trajnerin. Qoftë Bashkia apo edhe donatorët që mund të vijnë, kanë të drejte të zgjedhin trajnerin e preferuar te tyre. Unë si trajner profesionist, do te vazhdoj punën me ekipe të tjera, nëse nuk do të jem më tek Vllaznia. Por gjithsesi, unë do të jem i gatshëm të punoj edhe me donatoret”. Ne lidhje me merkaton, Duro tha: “Na duhen edhe 4 blerje cilesore, nje per cdo repart. Për merkaton mendoj se jemi shume-shume te vonuar, por gjithçka është në varësi te zhvillimeve ne Klub. Mua me mbetet peng eliminimi nga Kupa, por në Superligë ekipet janë shume afër njëri-tjetrit dhe dy fitore të fusin ne objektiva, siç edhe dy humbje na rrëzojnë në renditje”.

 STËRVITJA

Pavarësisht fjalëve për një shkarkim të mundshëm të trajnerit, Duro ka drejtuar skuadrën në seancën e parë stërvitore, madje në një ambient shumë të qetë. Nën urdhrat e treshes Duro-Sinani-Legata, skuadra parë e Vllaznisë nisi stërvitjen, ndërsa të pranishëm ishin dhe drejtori sportiv, Armir Grima, dhe përgjegjësi i Akademisë “Vllaznia” Ismet Hoxha. Ashtu si në seancat e fundvitit të kaluar edhe në stërvitjen e parë të 2013, me grupin nuk kanë qënë të pranishëm tre të pezulluarit Osmani, Hysa dhe Begaj. Mungonin edhe futbollisti rumin Kristian Dragoi (i cili ka kaluar festat e fundvitit prane familjes ne SHBA) dhe kapiteni Elvin Beqiri (arsye familjare). Sipas Shkodrasport.com, në terrenin sportiv janë parë të stërviten edhe futbollistet Djepaxhia dhe Karakaci, te cilet fazën e pare kanë qenë të huazuar nga Vllaznia ne ekipe te tjera. Vllaznia do të vijojë me përgatitjet në Shkodër, kjo dhe për faktin se brenda kësaj jave mund të ndryshojnë shumë gjëra në drejtimin e skuadrës, ndërsa pas datës 15 janar ekipi pritet të zhvillojë fazën përgatitore në Ulqin, për të rinisur Superligën me 9 shkurt me transfertën ndaj Skënderbeut vendas, njëherësh edhe lideri i kampionatit.

 ÇELA

Të mërkurën me shumë gjasa do të zbardhet emri i Presidentit të ri të Vllaznisë, ku në “pole position” është biznesmeni Agron Çela, por tashmë i vetëm, pasi katër emrat e tjerë të përfolur më parë, nuk kanë preferuar më t’i bashkohen idesë së tij. Çela e ka drejtuar Vllazninë edhe në vitet 2003-2006, duke pasuar të ndjerin Myftar Çela. Pas largimit të Agron Çelës në vitin 2006, klubi shkodran u drejtuar nga Valter Fushaj deri në vitin 2011, kur kuqeblutë u shndërruan në shoqëri aksionare dhe Bashkia mori 100 për qind kontrollin e saj. Ardhja e presidentit Agron Çela pritet të shoqërohet edhe me largimin e Shpëtim Duros nga drejtimit të skuadrës dhe caktimin e Artan Bushatit si trajneri i 9 herë kampionëve. Shkodrani Artan Bushati ka qenë trajner i Elbasanit dhe i Shpresave.