Lind Kupa e Botës për klube, zyrtarizimi bëhet nesër nga FIFA në Majemi

468
Sigal

FIFA organizon nesër mbledhjen e radhës në Majemi dhe duket se do të ketë surpriza. Organizata që drejton futbollin botëror do të aprovojë një kompeticion të ri, Kupën e Botës për klube, që pritet të zëvendësojë kupën e Konfederatave dhe do të organizohet çdo katër vjet.

Edicioni i parë duhet të organizohet nga data 17 qershor deri më 4 korrik të vitit 2021, ndërsa vendi ende nuk është përcaktuar. Skuadra që do të fitojë turneun, do të jetë kampione deri në vitin 2025, kur do të organizohet edicioni i dytë, ndërkohë që atë vit nuk do të ketë evente të tjera ndërkombëtare.

Edhe kupa e botës për klube, që tani zhvillohet çdo vit, në muajin dhjetor, do të zhduket. Ka pasur kundërshtim të madh nga UEFA për këtë projekt, ndërsa Barcelona ka qenë promotori më i madh i turneut në fjalë që në fillim, kur Xhani Infantino mori drejtimin e FIFA-s, në vitin 2016.

“Mundo Deportivo” shkruan se po shihet mundësia për reduktimin e klubeve europiane nga 12, siç ishte thënë në fillim, në 8. Në turneun që pritet të miratohet nesër, do të marrin pjesë gjithsej 24 skuadra.