Lika iku në SHBA, Vllaznia merr në stol një tjetër trajner ekspert

405
Sigal

Vllaznia është në rrugën e mbarë për të t’u rikthyer sezonin e ardhshëm në Superligë. Ekipi shkodran udhëheq bindshëm grupin e veriut në kategorinë e parë dhe është fare pranë sigurimit të rikthimit në elitë. Por në momentin kur pritej të kurorëzohej gjithë kjo punë dhe të lihej pas krahëve kjo epokë e errët në historinë e klubit shkodran, trajneri Hasan Lika u dorëhoq. Arsyeja e largimit të trajnerit me eksperiencë nuk kishte të bënte me ndonjë dështim në rezultate, apo përplasje me futbollistët, por me një motiv familjar të Likës. Tekniku 52-vjecar fitoi të drejtën për të jetën në SHBA me familjen dhe kështu vendosi të fillojë një jetë të rë, duke lënë në mes aventurën me Vllazninë, por edhe karrierën si trajner në vendin tonë.

Në këtë situatë klubi shkodran ka bërë zgjedhjen për të zëvendësuar Likën me një tjetër ekspert të trajningut shqiptar. Fjala është për Agim Canajn që gjithashtu rikthehet në Shkodër për të drejtuar ekipin kuqeblu. Lajmi është zyrtarizuar mbrëmjen e së hënës përmes rrjeteve sociale nga klubi i Vllaznisë, që ndër të tjera i uron mirëseardhjen Canajt në Shkodër.

Canaj e ka drejtuar Vllazninë dy herë në periudha të ndryshme. Hera e parë ka qenë në sezonin 2008-2009 dhe më pas në sezonin 2013-2014. Nuk dihet ende nëse Agim Canaj ka firmosur në Shkodër vetëm për të mbyllur këtë sezon në kategorinë e parë, apo planet e klubit kuqeblu me të janë afatgjata edhe për sezonin e ardhshëm.