Liga Profesioniste, zgjidhje e halleve të futbollit

505
Nga Artan SHYTI
OPINION/ Ja pse duhet hallka kryesore që përmirëson “shëndetin” e futbollit shqiptar dhe ul “marzhin” e trukimeve
Krijimi i Ligës, besoj, krahasohet me Pëlhurën e famshme të Penelopës, sepse ata që duan ta krijojnë punojnë ditën, ndërsa ata që nuk duan janë më efektivë “natën” si rezultat, megjithëse flitet prej dekadash, akoma edhe sot jemi në fazën e premtimeve dhe hulumtimeve, ndërkohë që duhej të ishte operative dhe të jepte produktin e kërkuar prej saj.

Po përse ata që duan të krijojnë këtë Ligë insistojnë kaq shumë, megjithëse pa sukses.

Së pari, sepse kjo është tashmë një përvojë e pranishme në të gjitha vendet që synojnë zhvillimin efikas të një sporti. Në rastin tonë të futbollit. Kjo do të thotë që përvoja tashmë e konsoliduar botërore e ka afirmuar plotësisht nevojën dhe domosdoshmërinë e kësaj strukture.

Së dyti, në rastin e Shqipërisë, ulja në tavolinën e vendimmarrjes e presidentëve të klubeve që përbëjnë Ligën do të eliminonte një sërë dukurish tejet negative që kanë shënuar dukshëm futbollin shqiptar dhe kanë ulur besueshmërinë ndaj tij dhe hedhur dyshime serioze mbi ndershmërinë e rezultateve.

Së treti, sepse një strukturë e tillë do të prodhonte një vendimmarrje me efektive në gjenerimin e burimeve të financimit që janë një nga problemet kryesore të futbollit. Struktura e financimit të një klubi sot është kryesisht e varur nga paratë e presidentit ndërkohë kur burimet e tjera nga sponsorizimet, marketingu, e drejta televizive dhe burime të tjera të mundshme janë të papërfillshme. Bashkimi i interesave dhe menaxhimi në sintoni i tyre do të rriste në mënyrë të ndjeshme financimin ekstra xhepave të presidentëve duke i dhënë më shumë cilësi dhe qëndrueshmëri futbollit.

Së katërti, Liga është sinonim i futbollit prodhues. Futbolli në Shqipëri nuk është prodhues dhe që të bëhet prodhues nuk po punohet. Një futboll prodhues synon krijimin e futbollistëve në Shqipëri dhe jo shpenzimin e parave për importimin e futbollistëve të të gjitha niveleve. Kjo politikë që mund të sjellë përfitime momentalë rezulton jo efikase dhe në planin afatgjatë dhe herët a vonë do të çojë në kolaps funksionimin efektiv të këtij sporti. Një sport që harxhon më shumë se sa prodhon është pa dyshim një “biznes” pa perspektivë. Fakti që talent skautët që erdhën të shohin shpresat tona U 19 u larguan të zhgënjyer nga cilësia e “produktit” të ofruar është një kambanë e rëndësishme alarmi.

Së pesti, Liga do të zgjidhë edhe ngjarjen aspak të këndshme të rënies së KF Tirana nga Superiorja. Një ligë serioze duhet të synojë që të përfshijë brenda saj të gjitha qytetet ky futbolli ka “treg”. Të lesh pa përfshirë brenda saj : Tiranën, Fierin, Lezhën, Pogradecin është gabim strategjik. Këto janë qytete me potencial ekonomik që mund të ndihmojnë biznesin e futbollit. Ndaj një Ligë Superiore që krijohet me 14 apo 16 anëtarë është një fillim shumë premtues për të ndryshuar trendin negativ të rrugëtimit të futbollit tonë.

Duke pranuar dhe vlerësuar arritjet e deritanishme, ajo që duket qartë është se perspektiva e zhvillimit intensiv të këtij sporti është në dyshim. Regresi i kombëtares tone, cilësia e lojërave në Superiore, mungesa e një “produkti” elitar nga Akademitë në përgjithësi janë simptoma që duhet të na bëjmë të reflektojmë. Mund të vazhdojmë të bëjmë avokatin apo prokurorin por kjo nuk ndryshon asgjë. Ajo që ndryshon është përpjekja serioze për të ndryshuar këtë trend stanjacioni të futbollit. Dhe sot të rrish në vend kur të tjerët rendin gjithnjë e më shpejt është me pasoja katastrofike.

Ndaj duhet të lëvizim. Dhe Liga Profesioniste e Superiores është një lëvizje në drejtimin e duhur.
Liga është sinonim i futbollit prodhues. Futbolli në Shqipëri nuk është prodhues dhe që të bëhet prodhues nuk po punohet. Një futboll prodhues synon krijimin e futbollistëve në Shqipëri dhe jo shpenzimin e parave për importimin e futbollistëve të të gjitha niveleve
1 kategori
Kategoria Superiore e futbollit shqiptar, është e vetmja profesioniste në topkëmbë, e cila në përbërjen e saj sot, funksionon me 10 skuadra
1 sezon
Do të jetë sezoni 2018-2019 që do të funksionojë me Ligën Profesioniste, pas deklaratës së zëvendëspresidentit të FSHF-së, Edvin Libohova
RENDITJA PËRFUNDIMTARE
KATEGORIA SUPERIORE
Skuadrat Nd P Verdikti
1.Kukësi 36 75 Kampion
2.Partizani 36 72 Evropa Ligë
3.Skënderbeu 36 72 Evropa Ligë
4.Luftëtari 36 44
5.Teuta 36 40
6.Laçi 36 40
7.Vllaznia 36 40
8.Flamurtari 36 40
9.Tirana 36 39 Zbret Kat.1
10.Korabi 36 13 Zbret Kat.1
Sigal