Liga Kombëtare mund të marrë formë, Duka dhe Vokrri po studiojnë mundësinë më të mirë

447
Sigal

Liga kombëtare e futbollit, aq e dëshiruar nga tifozët shqiptarë mund të marrë formë. Këtë e dëshmojnë dy krerët e futbollit në Shqipëri dhe Kosovë. Ende nuk është e përcaktuar nëse do të jetë një kampionat apo kupë, por të dy palët shprehen njëzëri se tashmë asgjë nuk mund t’i pengojë dy federatat për të bërë zgjedhjen që ata duan. Më shumë, Duka i FSHF-së dhe Vokrri i FFK-së, duan të bëjnë të qartë se po kërkojnë një formulë që garanton interesin e duhur.

“Ka kohë që kemi filluar të flasim me presidentin Vokrri për një aktivitet të përbashkët. Nëse do të jetë një Ligë e Përbashkët apo nëse do të jetë një Kupë, akoma nuk është përcaktuar. Por gjithsesi duam t’i japim seriozitetin e duhur, ngjyrat e duhura, për të pasur interesin e duhur”.

Ndërkohë, për presidentin e FFK-së, Fadil Vokrri, tani mund të flitet lirisht edhe për krijimin e një Lige të Përbashkët, të cilët tifozët në të dy vendet e kanë kërkuar prej kohësh.
“Liga e Përbashkët ka qenë më parë një lloj demagogjie, pasi as shanset minimale nuk kanë qenë të realizueshme. Sot është një situatë tjetër, të dy federatat janë të pranuara ndërkombëtarisht dhe mund të diskutohen të gjitha temat, asnjë temë nuk është tabu, po ashtu edhe kjo.

Por kjo duhet bërë në harmoni të plotë me organet përkatëse, meqë jemi anëtarë të UEFA-s, si dhe të shikohet se cila është mundësia më e mirë”, deklaroi Vokrri.