Liga e Europës, Beshiktashi kalon në avantazh ndaj Skënderbeut

452
Ndeshja nis me një ritëm mjaft të lartë. Skënderbeu duket i vendosur mjaft mirë në fushë, nuk lejon hapësira dhe mundohet të dalë rrezikshëm në sulm. Megjithatë, në minutën e katërt vjen rasti i parë për turqit. Një gabim në mbrojtjen e Skënderbeut i jep mundësinë Tosun të rrezikojë. Mesfushori niset drejt zonës, pason në qendër, por Kuarezma godet jashtë. Skënderbeu reagon me Shkëmbin, që gjuan fort me të majtën një goditje dënimi, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule. Beshiktashi duket sikur egërsohet më shumë pas këtij episodi dhe nis të ushtrojë presion të vazhdueshëm në prapavijën korçare. Goli vjen në minutën e 29-të me autor Sosën. 

Top i gjatë në drejtim të zonës korçare, Kuarezma shërben bukur me kokë për Sosën në të djathtë që gjendet krejtësisht i lirë brenda zonës dhe godet menjëherë me të djathtën duke e dërguar topin në rrjetë. Në avantazh turqit, ndërkohë që korçarët pësojnë shok. Pas këtij goli, ekipi i Josës e ka të vështirë përqëndrimin dhe lë shumë hapësira mbrapa. Kuarezma me shokë bëjnë spektakël në zonën e korçarëve, por goli i dytë mungon. Në shifrat 0-1, mbyllen 45 minutat e para. Mësohet se para nisjes së ndeshjes në stadium ka pasur edhe një incident. Policia shoqëroi disa tifoza të Skënderbeut, pasi policet nuk lejonin kryetifozin e bardhekuqëve te hipte në hekurat per te drejtuar tifogrupin ndaj dhe ka ndodhur përplasja mes policisë dhe tifozave. Deri tani, janë shoqëruar nga forcat blu 4 persona.
Sigal