Liga e Europës/ Berisha sfidon Runin, Strakosha i shpëton rrotacionit

502
Kolin Runi nuk e shpëtoi dot Etrit Berishën. Thirrjet e gruas së Uejn Runit për trajnerin e Evertonit, Ronald Kuman, që të mos e grumbullojë sulmuesin për disa kohë, sa ai të zgjidhë problemet e tij familjare pas tradhtisë, kanë rënë në vesh të shurdhët dhe 31-vjeçari ka udhëtuar bashkë me skuadrën drejt Bergamos për ndeshjen e parë të Evertonit kundër Atalantës sot në Ligën e Europës.
Kuman beson se lojtari, që e fitoi këtë trofe sezonin e shkuar me Mançester Junajtid, është i pazëvendësueshëm për skuadrën e tij dhe nuk ka aspak ndër mend që të heqë dorë nga shërbimet e bomberit 31-vjeçar, i cili ndër të tjera ka shkëlqyer sërish në fushë pas rikthimit në “Goodison Park”.

Skuadra nga Liverpuli fluturoi drejt Italisë mëngjesin e së mërkurës dhe mes lojtarëve që lanë aeroportin “Xhon Lenon” ishte edhe shënuesi më i mirë në historinë e Mançester Junajtid dhe kombëtares angleze.
STRAKOSHA – Nis aventura europiane në fazën e grupeve të Ligës së Europës edhe për Thomas Strakoshën, portieri tjetër i kombëtares shqiptare. Lacio e talentit të portës së Panuçit ka udhëtuar drejt Viteshes, me të cilën do të përballet në Grupin K së bashku me skuadrat e Nisës dhe Varegemit. Në stërvitjen e fundit në Formelo, përpara nisjes drejt Holandës, Inzagi nuk i kurseu surprizat. Ai eksperimentoi një mbrojtje me tre, me Lukas Leivën në qendër të repartit, një rol që mesfushori brazilian e ka mbuluar edhe kur luante me Liverpulin. Leiva do të jetë përkrah Bastosit dhe Luiz Felipes në debutimin e tij që nga minuta e parë.
7 ndryshime pritet që të bëjë trajneri Inzagi nga formacioni me të cilin mundi Milanin të dielën e shkuar në kampionat. Thuajse rrotacion total, por me Strakoshën që mban vendin e tij. Në mesfushë, i vetmi i konfirmuar është Parolo, duke marrë parasysh skualifikimin për ndeshjen e radhës kundër Xhenoas. Mesfusha do të përbëhet nga Murgia në qendër, Marusiç në të djathtë dhe Lukaku në korsinë tjetër. Në sulm, Inzagi pritet të lërë pushim edhe Imobilen dhe, për herë të parë, e nis titullar Kaisedo.
Sigal