Liga e Europës, 3 ekipe varen nga… Skënderbeu

496
Sigal

Ja çfarë thotë Neni 84, pika 4 e rregullores, kur ekipet e përfundojnë me pikë të barabarta

Ndërsa në Korçë tifozët po merren intesivisht për ta festuar sa më denjësisht titullin e katërt rresht kampion, duket se skuadra dhe lojtarët janë shumë pak të motivuar kur ka mbetur vetëm një ditë nga ndeshja me Laçin, e fundit për sezonin futbollistik 2013-2014. Trajneri Mirel Josa u shpreh pas fitores me Partizanin, se nuk mund të jepte dot garanci për fitoren ndaj Laçit, ndërkohë që kapiteni Bledi Shkëmbi pohoi se “skuadra nuk është 100% e motivuar” ndaj kurbinasve. Në fakt, kur kanë mbetur vetëm 90 minuta nga përfundimi i Kampionatit të 75-të Kombëtar të futbollit, të paktën disa verdikte janë dhënë: Skënderbeu, kampion dhe në Ligën e Kampioneve; Kukësi, nënkampion dhe pjesëmarrje në Ligën e Europës. Njëlloj si sezonin e kaluar. Por, duke parë renditjen dhe ambiciet, Skënderbeu ka në dorë fatet e tre ekipeve që pretendojnë një vend në Ligën e Europës. Partizani ka komplikuar gjithçka pas humbjes ndaj korçarëve, ndërsa Laçi me fitoren kundër Kastriotit ka kapur vendin e tretë. Ky pozicion të jep të drejtën e pjesëmarrjes në Ligën e Europës. Mirëpo, si Laçi, Teuta dhe Partizani e kanë edhe një shans të dytë nëse dështojnë në fund. Kukësi i vendit të dytë është edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë, kështu që nëse arrin të fitojë, në lojë për një biletë europiane futet vendi i katërt në kampionat. Java e fundit rezervon ndeshjen Skënderbeu-Laçi. Korçarët janë pa objektiva dhe presin ceremoninë e titullit, ndërsa për kurbinasit është një finale. Një fitore i çon ata në Ligën e Europës, pasi edhe pse janë me pikë të barabarta me Teutën, kurbinasit fitojnë duelin me durrsakët me ndeshje direkte (kanë fituar dy herë dhe kanë humbur një herë gjatë këtij kampionati). Për vendin e tretë mundësitë i ka të mëdha edhe Partizani, por tashmë të kuqtë janë të varur nga rezultati i ndeshjes së Korçës. Nëse Laçi humbet ose barazon ndaj Skënderbeut dhe të njëjtën gjë bën edhe Teuta në Shkodër, të kuqtë kapin vendin e tretë. Ky variant është në fuqi gjithnjë nëse Partizani fiton ndaj Lushnjës së vendit të fundit. Nga ana tjetër, nëse të tria skuadrat që luftojnë për një biletë fitojnë në javën e fundit, atëherë Partizani mbetet jashtë Europës, Laçi kualifikohet direkt, ndërsa Teuta pret një dhuratë nga Kukësi. Sipas nenit 87 të rregullores së aktivitetit, në pikën 4 thuhet: “Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse”. Duke parë, përballjet direkte midis tre ekipeve, Partizani është në dizavantazh ndaj Laçit, pasi ka fituar 1 ndeshje dhe ka humbur 2 të tilla; ndërkohë që me Teutën janë në ekuilibër të plotë: 1 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, me golaverazhin pozitiv 5-4. Laçi është i avantazhuar edhe ndaj Teutës, ndaj së cilës ka marrë 2 fitore dhe 1 humbje (golaverazhi 4-3). Kështu, që në rast barazimi pikësh, ai që shkon direkt në Europë është Laçi, dhe më pas renditen Partizani e Teuta. Në letër, Skënderbeu ka një përballje të vështirë ndaj Laçit, për faktin se kampionët kanë arritur të sigurojnë titullin ndërsa përpara është një skuadër e karikuar për të arritur objektivin, që është pjesëmarrja në Europa League. Kapiteni i korçarëve, Bledi Shkëmbi bën një analizë të situatës në skuadër por edhe në qytet. “Mezi po e presim këtë ndeshje, pasi është e fundit dhe do të jetë një festë për ne dhe qytetin. Për këtë arsye presim me padurim këtë ndeshje.” Nga fjalët e kapitenit duket qartë që mendja është tek festa e titullit dhe medaljeve që ekipi do të marrë në përfundim të saj, por lufta për një vend në Europë është e ashpër, teksa Teuta dhe Partizani shpresojnë tek një dhuratë e kampionëve. Kapiteni është i vetëdijshëm për këtë fakt, teksa thekson se skuadra do të përpiqet të gjejë motivimin e duhur për të përballuar këtë 90-minutësh. “Të jem i sinqertë nuk jemi në 100% dhe jo shumë të motivuar. Por ne jemi kampionët dhe do të përpiqemi ta mbyllim me fitore sezonin”, – tha Shkëmbi për mediat. Por, në Durrës, trajneri i Teutës, Ilir Biturku, beson te një fundsezon i lumtur për “Djemtë e Detit”, të cilëve u duhet patjetër fitorja në sfidën e fundit me Vllazninë në “Loro Boriçi”, për të siguruar vendin e katërt por edhe për të shpresuar të vendi i tretë, sigurisht nëse Skënderbeu nuk humbet ndaj Laçit në Korçë. Duket se fati i Teutës është në dorën e kampionëve në fuqi dhe në këtë këndvështrim, Biturku ka bindjen e plotë se Skënderbeu do të luajë pastër ndaj kurbinasve ashtu siç bëri dhe ndaj Partizanit. “Skënderbeu edhe ndaj Partizanit tregoi se nuk ka toleruar dhe se e meriton titullin kampion, prandaj unë them se në radhë të parë vendi i tretë është në dorën tonë, sepse duhet patjetër të fitojmë ndaj Vllaznisë”, – tha trajneri i Teutës.

RENDITJA E RIVALËVE PËR EUROPË

3. Laçi          51 pikë 39:27

4. Teuta        51 pikë 43:34

5. Partizani   50 pikë  29:24

NDESHJET E JAVËS SË FUNDIT

Lushnja-Partizani      10 maj

Teuta-Vllaznia           10 maj

Skënderbeu-Laçi        10 maj

Orari i ndeshjeve

Të gjitha ndeshjet e javës së 33-të e të fundit të Kategorisë Superiore do të luhen të shtunën në orën 17:30. Lajmi bëhet me dije nga Federata Shqiptare e Futbollit.

NDESHJET DIREKTE

MIDIS TRE EKIPEVE

PARTIZANI

Ndaj Laçit

Laçi-Partizani 1-0

Partizani-Laçi 2-1

Laçi-Partizani 2-0

Bilanci: 1 fitore,

2 fitore. Golaverazhi 2-4

Ndaj Teutës

Partizani-Teuta 3-0

Teuta-Partizani 1-1

Teuta-Partizani 3-1

Bilanci: 1 fitore, 1 humbje,

1 humbje. Golaverazhi 5-4

LAÇI

Ndaj Teutës

Teuta-Laçi 2-1

Laçi-Teuta 2-1

Laçi-Teuta 1-0

Bilanci: 2 fitore,

1 humbje. Golaverazhi 4-3

Ndaj Partizanit

Laçi-Partizani 1-0

Partizani-Laçi 2-1

Laçi-Partizani 2-0

Bilanci: 2 fitore,

1 humbje. Golaverazhi 4-2

TEUTA

Ndaj Laçit

Teuta-Laçi 2-1

Laçi-Teuta 2-1

Laçi-Teuta 1-0

Bilanci: 1 fitore,

2 humbje. Golaverazhi 3-4

Ndaj Partizanit

Partizani-Teuta 3-0

Teuta-Partizani 1-1

Teuta-Partizani 3-1

Bilanci: 1 fitore, 1 humbje,

1 humbje. Golaverazhi 4-5

Rregullorja për renditjen

NENI 87

Pika 4. Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:

a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;

c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit;

d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit;

e) me short;

NENI 89

Pika 1. Në përfundim të sezonit, klubet e renditura përkatësisht në vendin e 9, 10, 11 dhe 12, bien menjëherë nga Kategoria Superiore dhe e nisin sezonin e ardhshëm nga Kategoria e Parë.

 Edhe Mazrekaj ikën nga Partizani?!

 Mentor Mezrakaj duket se nuk është më lojtari i Partizanit, edhe pse mesfushori kosovar u rikthye në klubin e kuq pasi kërkoi falje publikisht. Ai u aktivizua në ndeshjen e humbur 2-1 më Skënderbeun, ku shënoi dhe golin e barazimit të përkohshëm (1-1), por goli i Pero Pejiçit në minutën e 94-t u dha fitoren korçarëve dhe e komplikoi shumë situatën në kampin e Partizanit. Fillimisht dha dorëheqjen ish-trajneri Marcio Sampaio, dhe më pas edhe përjashtimi i sulmuesit Migen Memelli. Humbja me Skënderbeun në “Qemal Stafa”, që e spostoi Partizanin në vendin e 5-të me shumë mundësi ishte e fundit për Mazrekajn me fanellën e demave, çka shpjegon edhe mungesën e futbollistit në seancat e para stërvitore në kuadër të përgatitjeve për përballjen me Lushnjën në javën e fundit të kampionatit. Dyshimet për divorcin e parakohshëm u shtuan gjatë seancës së djeshme, ku ra sërish në sy mungesa e mesfushorit kosovar. Në konferencën e fundit për shtyp, ku Mazrekaj i kërkoi falje trajnerit Sampaio dhe drejtuesve të klubit për sjelljen e tij aspak profesionale, lojtari sqaroi se kishte kontratë me Partizanin deri në përfundim të sezonit, çka do të thotë se nuk ekziston asnjë pengesë që ai ta vijojë tjetërkund karrierën futbollistike. Kohët e fundit në media është folur shumë për interesimin e Kukësit dhe Tiranës për shërbimet e Mazrekajt, i cili mbetet një lojtar me cilësi të padiskutueshme teknike.

PËRGATITJET

Gjithsesi, skuadra e Partizanit i ka vijuar përgatitjet për ndeshjen e fundit të sezonit atë ndaj Lushnjës në program të shtunën ora 17.30 në stadiumin “Roza Haxhiu”. Nën drejtimin e trajnerit Genc Tomori dhe ndihmësve Klevis Dalipi dhe Perlat Musta kreu stërvitjen e radhës në fushën e kompleksit  “Olimpik” në Yrshek. Me ekipin u bashkuan edhe Amir Rrahmani dhe Mevlan Murati, të cilët kanë dhuruar një paraqitje mjaft pozitive (në veçanti mbrojtësi kosovar) në testin miqësor qe ekipi përfaqësues Shpresa zhvilloji me një seleksion të Serisë B të Italisë. Me skuadrën kanë vijuar normalisht përgatitjet edhe portierët Alban  Hoxha dhe Sulejman Hoxha, ndërkohë që vazhdon të vuajë shqetësime mbrojtësi Gëzim Krasniqi. Pjesë e seancave stërvitore vijojnë të jenë edhe 4 lojtarët e ekipit U-19, Çema, Vatnikaj, Kurti dhe Ismailaj. Edhe seanca e sotme do të zhvillohet në të njëjtën orë në kompleksin sportiv “Olimpik” dhe më pas skuadra do të grumbullohet si zakonisht përpara sfidës me Lushnjën.

 Finalja e Kupës në “Qemal Stafa”

 Finalja e Kupës së Shqipërisë, Kukësi–Flamurtari, e programuar për t’u zhvilluar më 17 maj, do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Federata Shqiptare e Futbollit, duke marrë në konsideratë faktin që për të akomoduar një numër të madh tifozësh dhe për të shmangur përplasjet mes tyre kërkohet një impiant me kapacitet më të madh, vendosi që sfida e fundit e sezonit 2013-2014 të zhvillohet në kryeqytet. Meqenëse finalja e Kupës së Shqipërisë luhet në fushë asnjanëse, klubet finaliste duhet të bien dakord edhe për ndarjen e vendosjen e tifozëve në stadium. Flamurtari e ka fituar tri herë Kupën, ndërkohë që për Kukësin kjo është finalja e parë. Fituesi i fundit është Laçi, që mundi në finale Bylisin. Partizani dhe Tirana janë dy skuadrat që e kanë fituar më shumë herë atë: nga 15.