Lekbello: “Fitimi i Kupës kalon nga Partizani”

589
Sigal

Kupa e Shqipërisë, sot përcaktohen 16 skuadrat e turit të dytë eliminator. Flet trajneri i Tiranës

Gjashtëmbëdhjetë ndeshjet e kthimit të turit të parë të edicionit të 61-të të Kupës së Shqipërisë, në grupin A dhe B, do të përcaktojnë sot 16 skuadrat që do të jenë pjesë e turit të dytë, në rrugën drejt finales së 15 majit të vitit 2013.

TIRANA-PARTIZANI

Ashtu si dhe në ndeshjet e vajtjes, spikat çifti Tirana-Partizani (në “Selman Stërmasi”, 14:30), dy ekipeve që e kanë fituar më shumë trofeun e Kupës, nga 15, por që ndodhen në dy nivele të ndryshme të kampionateve ku marrin pjesë: bardheblutë në Kategorinë Superiore, ndërsa të kuqtë në Kategorinë e Parë. Në ndeshjen e parë, të zhviluar në një “Qemal Stafa” shumë elektrizues, me gati 6 mijë shikues, banderola dhe fishekzjarrë të shumtë, Tirana fitoi 2-1 derbin me Partizanin. Mario Morina shënoi i pari për Tiranën, ndërkohë që tre minuta më pas, Partizani barazoi me penalltinë e realizuar nga Thana, pas faullit të shkaktuar nga mbrojtësi Arjan Pisha. Kur duheshin vetëm dy minuta lojë nga përfundimi i pjesës së parë, mesfushori i Kombëtares, Gilman Lika, mposhtin Pavloviçin e Partizanit.

LEKBELLO

Trajneri i Tiranës, Artur Lekbello, i cili zëvendësoi në bankinë trajnerin e komanduar, Alban Tafajn, pas refuzimit të spanjollit Rubio, theksoi për mediat: “Në Kupë na pret Partizani, ndërsa në kampionat, Flamurtari. Ne e kemi mendjen tek të dyja ndeshjet, por në radhë të parë tek derbi me Partizanin. Natyrisht që prioritet ka ndeshja me Partizanin, pasi në objektivat tona që janë si fitimi i titullit kampion, por edhe i Kupës. Këto dy objektiva na bëjnë shumë seriozë. Pengesa e radhës është Partizani, ndaj duhet menduar fillimisht për këtë sfidë, të japim 100 për qind që ta kalojmë këtë tur dhe të shtunën pastaj radha e kampionatit. duhet të jemi shumë të vendosur dhe ta bëjmë ndeshjen pak më të thjeshtë dhe jo të lodhshme, sepse na pret një ndeshje shumë e fortë në Vlorë”.

ÇOÇLLI

Trajneri i Partizanit, Nikolin Çoçlli është plotësisht i bindur se, skuadra e tij në ndeshjen tjetër do të jetë më të vendosur: “Ndeshja e Kupës me Tiranën na shërbeu dhe do të na shërbejë edhe më shumë për të krijuar profilin tonë si ekip, si lojtarë, si staf, si klub. Do të shkojmë për të treguar veten tonë, pa hyrë në këto elemente kualifikim apo diçka tjetër, por thjesht për të mbrojtur atë pjesë që ne e hodhëm në fushë, për të krijuar sigurinë tek tifozët që Partizani është ky dhe ky Partizan mendohet të ecë përpara. Ndoshta pak javë më përpara njerëzit apo specialistë kanë qenë skeptikë për Partizanin, por puna e këtyre djemve, puna jonë në përgjithësi mendoj se i erdhi momenti të shpërblehet. Aty ku ka punë ka dhe fryte pa diskutim”.

TË TJERAT

Skënderbeu mori një barazim tepër të vuajtur 2-2 ndaj modestëve të Olimpikut të Tiranës, skuadër që militon në Kategorinë e Dytë, por sot në Korçë, tifozët e “ujqërve të dëborës” presin të argëtohen me një fitore të thellë. Shkodranët duket se e kanë zgjidhur kualifikimin për në turin e dytë të Kupës, pas fitores së pastër 2-0 me Ilirinë në Fushë-Krujë (golat nga sulmuesi 18-vjeçar Sindi Guri) dhe në “Loro Boriçi”, trajneri Shpëtim Duro edhe mund të provojë lojtarët që kanë luajtur më pak. Edhe Kastrioti është thuajse i kualifikuar në turin e dytë, pas fitores 2-0 të krutanëve ndaj Himarës, në takimin e luajtur në Patos. Kamza fitoi 1-0 derbin me Dinamon në “Selman Stërmasi”, por me blutë si skuadër pritëse. Takimi në Kamëz pritet të jetë emocionues, nisur dhe nga fakti se të dyja skuadrat tashmë luajnë në Kategorinë e Parë. Butrinti i dha një leksion të hidhur Shkumbinit, duke fituar 2-0 ndeshjen e parë në “Andon Lapa” të Sarandës. Ada e Velipojës shkaktoi një surprizë të bukur, duke mundur 2-1 Tomorin e Kategorisë Superiore në limitin e sfidës. Skuadrat e tjera duket se i kanë zgjidhur problemet, pasi Kukësi fitoi 4-2 me Besëlidhjen në Lezhë, Flamurtari 1-0 me Naftëtarin në Kuçovë, Teuta 4-0 me Gramozin në Ersekë, Besa fitoi 4-1 me Burrelin në Kavajë, ndërsa Lushnja shkatërroi 5-0 Pogradecin.