Legjenda kroate po shkruan një libër për… Shqipërinë

495
Sigal

Faqe 21

Oto Baric për “Guinnes”, 80 vjeç, por do sërish të punojë si drejtor sportiv te Rapidi i Vjenës

 Mbetet përjetësisht një “dashnor” i madh i punës. Oto Bariç, edhe pse 80 vjeç, nuk dëshiron të ndahet nga sporti, “dashuria” e tij më e madhe. Ish-trajneri karizmatik i Kombëtares shqiptare ndihet  në top-formë, aq sa është i gatshëm të marrë përsipër rolin e drejtorit sportiv te Rapidi i Vjenës, skuadra austriake, ku një vit më parë aktivizohej sulmuesi shkodran Hamdi Salihi. “Oto Maximale” dëshiron të vendos një rekord unik, të denjë për “Guinnes”. Është vetë legjenda kroate, tashmë në pension, që e pohon këtë gjatë një interviste të gjatë për gazetën e njohur austriake, “Kronen Zeitung”, teksa ka folur edhe për jetën e tij pas largimit nga Kombëtarja e Shqipërisë, ndërsa është duke shkruar edhe një libër, aq sa sportiv, por dhe të mbushur me kujtimet e njeriut që ka drejtuar si trajner katër ekipe Kombëtare (Jugosllavinë U-21, Kroacinë, Austrinë dhe Shqipërinë), por dhe një sërë ekipesh, ndërsa numëron si teknik mbi 2000 ndeshje.

 LIBËR KUJTIMESH – Edhe pse mund ta gëzojë me qetësinë më të madhe pjesën e mbetur të jetës, dhe në kushte shumë të mira financiare (puna e bërë dhe fitimet e grumbulluara ia mundësojnë atë), pensionisti 80-vjeçar Oto Bariç nuk dëshiron aspak ta shijojë atë pranë një oxhaku të ngrohtë, në vilën e tij në Zagreb. “Nuk mund të qëndroj dot pa punë. Unë punoj si këshilltar për Dinamon e Zagrebit, por dhe për Federatën Kroate të Futbollit. Nga ana tjetër jam duke shkruar një libër. Jam tepër i lumtur”, – citohet Bariç nga gazeta austriake. Në kujtimet e Otos sigurisht, një pjesë të mirë do të zërë padyshim edhe eksperienca e tij e rrallë në Shqipëri. Të paktën, këtë ai e ka pohuar me për mediat kroate më parë, kur dhe ka folur shpesh për jetën e tij pas trajningut.

 SHQIPËRIA – Trajneri kroat e befasoi plotësisht opinionin shqiptar kur ai erdhi në krye të Kombëtares sonë, në verën e vitit 2005, në një moshë të pazakontë, 75 vjeç, duke qenë njëherësh edhe tekniku më i moshuar në botë që, drejtonte një ekipi përfaqësues, përpara se rekordi i tij të thyej nga italiani Xhovani Trapatoni, kur ai drejtoi Irlandën në finalet e Kampionatit Europian 2012. Si trajneri i Shqipërisë ai e drejtoi atë në kualifikueset e Euro 2008, duke lënë një përshtypje shumë të mirë, pavarësisht se largimi i tij ishte i hidhur, pikërisht në ndeshjen e tij të 100-të me një ekip përfaqësues: Shqipëria humbi 6-1 me Rumaninnë në Bukuresht, dhe ai u nis drejt Zagrebit për t’u ndarë përfundimisht nga kuqezinjtë, edhe pse parimisht ai kishte rënë dakord për ripërtëri kontratën edhe për kualifikueset e Botërorit 2010. Bariç e përfundoi aventurën e tij me Shqipërinë në vitin 2007, por kroati zbulon një fakt tjetër: “Nuk e konsiderova aspak si stacionin e fundit të karrierës sime. Nëse do të kisha një ofertë të mirë, sigurisht që do të mendohesha sërish për të filluar punë si trajner. Por, kjo do të ishte vetëm për një ekip Kombëtar. Stresin e përditshëm si trajner klubi nuk dëshiroja ta përballoja më”.

 ANALIST – Gjatë Kampionati Europian të këtij viti, Oto Bariç punoi si analist për televizionin shtetëror kroat, kjo dhe për shkak të reputacionit të madh që ai gëzon në vendin e tij. “Kroacia ime ishte shumë solide. Ekipi ishte në një grup me Spanjën, dhe e pati shumë vështirë, por megjithatë e shiti ‘lëkurën’ shumë shtrenjtë”. I pyetur për një krahasim midis Kombëtares kroate me atë të Austrisë, Oto, që i ka drejtuar të dyja këto skuadra, tha: “Niveli i Kombëtares austriake në raport me atë kroate, po ngushtohet gjithmonë e më shumë. Unë kam parë kohët e fundit shumë ndeshje të Austrisë, përfshirë dhe atë kundër Gjermanisë. Mendimi im është se, Austria është në rrugën e duhur. Thuajse të gjithë sulmuesit e ekipit luajnë në Gjermani, ndërkohë dhe sektori i moshave pranë klubeve po përmirësohet çdo ditë e më shumë. Dikur klubet austriake kishin tepër shumë të huaj, ndërkohë që tani nuk është më kështu”. Bariç foli edhe për punën e tij të dikurshme si trajneri i Austrisë, të cilën e konsideroi si shumë të suksesshme. Oto ishte shumë i suksesshëm në Austri me Rapidin e Vjenës dhe Zalcburgun, madje ai shkroi histori më këtë të fundit. Si trajner klubesh, Oto Bariç ka fituar thuajse gjithçka. Por, ai e mendon se mund të japë akoma. Rapidi është në kërkim të një drejtori sportiv. “Nëse Presidenti i klubit do të kërkojë dikë , që kupton shumë nga futbolli dhe ka një kaluar të madhe me Rapidin, atëherë unë jam gati. Do ta pranoja me kënaqësi”.

 Altin Lala, 30 mijë euro për vajzat e sëmura me kancer

 Altin Lala vazhdon të dëshmojë se humanizmi është një nga anët më të forta të personalitetit të tij. Ish-kapiteni i Kombëtares dhe i Hanoverit fitoi vëmendjen e respektueshme të mediave gjermane, për një gjest më të vërtetë të çmuar. Lala i është bashkuar nismës së njohur në Gjermani, “Aktion Kinderherz e V.” (Aksioni për zëmrat e fëmijëve”), të përqafuar nga Hanoveri. Lajmin e dha gazeta gjermane “Hanoverishe Algemajne”. Disa nga lojtarët e klubit gjerman, si Stivën Çerundolo, Adrian Nikçi, Lars Stindël dhe Zhabols Huzhti, do të japin autografe në një mbrëmje bamirësie, ku si “Special Guest” (i ftuar special) është pikërisht Altin Lala. Mesfushori shqiptar shpenzoi 14 vite të karrierës së tij te Hanoveri, duke mbetur jo vetëm një ikonë e klubit, por dhe një idhull i tifozëve, të cilët i organizuar një lamtumirë madhështore, ku disa dhjetëra mijëra veshën bluzën e kuqe ku ishte stampuar portreti i Lalës. Gjatë programit do të nënshkruhen edhe disa çeqe, nga Stivën Çerundolo, bashkëthemelues i “Kinderherz Hanover e.V”. Banka e Kursimeve të Hanoverit dhe kompania “Continental AG” kanë shpenzuar nga 6 mijë dhe 5 mijë euro, ndërkohë që Lars Klauenberg ka dhënë 10 mijë euro. Altin Lala do të firmosë 30 mijë euro, për të mbështetur terapinë e vajzave të sëmura me kancer, të cilat për momentin po trajtohen në një Spitalin e Bremerit.

 Tare: “Të fitojmë kundër Interit”

 Lacio barazoi pa gola në shtëpinë e Bolonjës, duke lënë dy pikë të vlefshme, ndërkohë që të shtunën do të ballafaqohet me Interin e vendit të dytë në kampionatin italian. Drejtori sportiv shqiptar, Igli Tare, tha për mediat: “Duhet të kërkojmë të fitojmë përpara tifozëve tanë. Është një ndeshje e rëndësishme për ecurinë tonë. Zikaltërit janë një kundërshtar i rrezikshëm, por nëse dëshirojmë të shkojmë në Ligën e Kampioneve këto lloj ndeshjesh duhet t’i fitojmë”.

 Katër rekordet e mbetura pa thyer nga Mesi

 Lionel Mesi ka edhe katër rekorde për të thyer, sa i përket golave të shënuar. Pasi gjatë fundjavës theu rekordin për shënimin golave brenda një viti kalendarik, të cilin e mbante legjendari Gerd Myler që 40 vjet  me 85 gola të shënuara, Mesi deri më tani ka mposht portierët kundërshtar plotë 86 herë. Rekordet të cilat i kanë mbetur pa i thye reprezentuesi argjentinas i Barcelonës janë: golashënuesi më i mirë në historinë e Barcelonës. Deri tani renditet i treti me 305 gola, ndërsa vendi i parë është Paulinho Alkantara me vetëm 64 gola më shumë; golashënuesi më i mirë me Kombëtaren e Argjentinës. “Pleshti” është në kuotën e 31 golave, ndërkohë që vendi i parë mbahet nga Gabriel Batistuta, i cili e ka gjetur rrugën e rrjetës 56 herë me ekipin përfaqësues; golashënuesi më i mirë në kampionatin spanjoll. Rekordi mbahet nga Telmo Zara, me 251 gola. 25-vjeçari Mesi është në kuotën 191, dhe golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampioneve. Mesi ka shënuar 56 herë, ndërsa vendi i parë mbahet nga Raul Gonzalez me 71 gola. Gazetari dhe redaktori i gazetës sportive spanjolle “AS”, Tomas Roncero, pohon se Godfrey Chitalu (1947-1993) nga Zambia e mban rekordin për më shumë gola të shënuar brenda një viti kalendarik, e jo Lionel Messi. Sipas AS, në vitin 1972, Chitalu ka shënuar 107 gola si lojtar i Kabue Uariors dhe i përfaqësueses së Zambisë. Megjithatë, ky rekord nuk është pranuar e as që rezulton në listën zyrtare të FIFA-s apo në Federatën e futbollit të Zambisë. Atij i janë pranuar 81 gola nga viti 1968 dhe mban vendin e tretë për golashënuesin më të mirë të vitit, pas Mesit dhe Gerd Mylerit.