Sigal

Kampioni i botës me Brazilin, Luis Nazario Da Lima (Ronaldo) ka njoftuar fansat e tij të shqetësuar se do të dalë brenda së hënës nga spitali, pasi u shtrua në një prej institucioneve shëndetësore të Ibizas për shkak të një problemi me pneumoninë.

Fenomeni 41-vjeçar u është përgjigjur reporterëve lokalë, të interesuar mbi gjendjen shëndetësore të tij, duke thënë se është shtruar në repartin e kujdesit intensiv të spitalit “Can Misses”.

“Kalova një gjendje të rëndë gripale në Ibiza dhe m’u desh të shtrohesha në spital që prej së premtes, por është diçka rutinë dhe normale”, shkroi në Twitter, legjenda e futbollit brazilian.

Ish-sulmuesi i Realit, Barcelonës, Interit dhe Milanit, falënderoi fansat për dashurinë dhe urimet e tyre. Ronaldo ishte me pushime në Ibiza, aty ku rezulton pronar i një shtëpie. Karriera e sulmuesit u mbyll 7 vite më parë, kur ai “vari këpucët në gozhdë”, pas dy viteve të kaluara te klubi i Corinthiansit në Brazil.