Lazio fiton Kupën e Italisë, Strakosha triumfon në derbin ndaj Gjimshitit

592
Sigal

Lazio është fituese e Kupës së Italisë për sezonin 2018-19, në edicionin e 72-të. Thomas Strakosha ka arritur që të triumfojë me ekipin e tij 2-0 ndaj Atalantës së Gjimshitit.

Dy futbollistët e kombëtares sonë ishin protagonist në finalen që u zhvillua në “Olimpico”, në një duel që u dominua për pjesën më të madhe nga bergamaskët. Në minutën e 25-të, Atalanta humbi një mundësi shumë të mirë pas një rrëmuje në zonë me Hatbur, Gjimshitin dhe Zupatën që nuk arritën që të mposhtnin Strakoshën, i cili u ndihmua edhe nga shtylla.

Në pjesën e dytë loja do të bëhej më e barabartë, ndërkohë që Inzaghi hodhi në fushë edhe Milinkovic-Savic. Futbollisti serb do të ishte karta fituese në këtë ndeshje, pasi arriti që ta dërgonte topin në rrjetë 8 minuta nga fundi me një goditje me kokë. Në fundin e kohës së rregullt, pas një kundërsulmi vrastar, Correa shënoi edhe golin e dytë për bardhekaltrit, duke shmangur Freuler dhe Gollinin. Ky ishte trofeu i 7-të në histori për Lazion dhe i pari në karrierë për Strakoshën.