Latif Gjondeda: Ndëshkimet e padrejta ndaj Flamurtarit, mangësia që “xhiroi” në fazën e parë

629
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Flamurtarit e i Kombëtares, ja si i “skanon” 9 javët e luajtura
Si e vlerësoni situatën e Kategorisë Superiore në 9 ndeshjet e fazës së parë?
Mendoj se është një situatë normale për të gjitha skuadrat, sepse sikundër kanë luajtur, kanë marrë atë që kanë dhënë në fushën e lojës. Ka shkëputje të Skënderbeut dhe një grumbullim të pesë skuadrave në mesfushë, ndërsa katër të tjerat në vendet e fundit në renditje, ndoshta do të jenë protagoniste në zonën e ftohtë.

Po Flamurtari, sa është shprehur në këto 9 ndeshje të fazës së parë?
Në të gjitha ndeshjet, Flamurtari ka luajtur mirë, edhe pse në një apo dy ndeshje nuk ka marrë rezultatet në pritshmëritë e duhura. Është me meritë në vendin e 3-të me 16 pikë, madje unë mendoj se, nëse nuk do të kishte lënë pikë në dy ndeshje, duhet të ishte në vendin e dytë me më shumë pikë.

Cilën vlerësoni si ndeshjen më të mirë, pse jo edhe më të dobëtën e Flamurtarit gjatë fazës së parë?
Pavarësisht se ka lënë pikë në dy ndeshje, Flamurtari në fazën e parë ka zhvilluar ndeshje të mira. Por, si ndeshjen më të bukur veçoj atë me Kukësin, pse jo, edhe ajo e javës së parë në Korçë me Skënderbeun. Më të dobëta, veçoj barazimet me Luftëtarin, me Vllazninë dhe me Laçin. 

Nesër do të nisni fazën e dytë me një ndeshje “Big” ndaj Skënderbeut kryesues, mendoni se do t’i rikthejë rezultatin e javës së parë?
Skënderbeu është skuadra më e mirë e momentit, madje unë do ta krahasoja me një skuadër evropiane të nivelit të lartë. Përballja në Vlorë të mërkurën mendoj se do të jetë e fortë për të dyja skuadrat, por unë shoh Flamurtarin favorit. Jo vetëm se i ka mundësitë e potencialet për ta fituar, por edhe pse Skënderbeu vjen pas një lodhjeje javë pas jave.

Në renditjen aktuale të fazës së parë, mendoni se skuadrat janë në mundësitë e tyre reale?
Asnjëherë skuadrat nuk janë të kënaqura me renditjen, sepse gjatë rrugës edhe kanë gabuar e zakonisht sjellin justifikime për renditjen. Ndërsa unë mendoj se Skënderbeu, Kukësi e Flamurtari, duhet të kishin më shumë pikë. Vlonjatët mund të ishin me sipër se kuksianët, pasi kanë lënë disa pikë në tre ndeshje kryesisht, edhe nga penalltitë e padrejta kundër tij.

Po skuadrat e tjera, mendoni se duhet të ishin në këtë renditje në 9 javët e luajtura?
Teuta, Partizani, Luftëtari e Vllaznia, duhet të kishin marrë më shumë pikë në këto nëntë javë, ndërsa për Kamzën mendoj se ka marrë më shumë nga pritshmëritë. Lushnja duket ende në “gjumin” e Kategorisë së Parë, ndërsa Laçi është në traditën e tij në Superiore.

Dhe sipas jush, cilat mund të jenë skuadrat e tjera të rrezikuara, pas Lushnjës?
Gara është e vështirë, sepse janë edhe tre faza me 27 ndeshje për tu luajtur. Duke reflektuar vetëm në këndvështrimin e ndeshjeve të fazës së parë, veç Lushnjes, e rrezikuar mund të jetë edhe Kamza, ndoshta aty edhe Laçi.

Keni evidentuar ju ndonjë mangësi në këto ndeshje të fazës së parë të Superiores?
Veç ndëshkimeve të padrejta të Flamurtarit, deri tani mendoj se gara ka ecur normal. Unë nuk përjashtoj edhe ndonjë arbitrim të dobët si mangësi të këtyre javëve, njëherësh edhe këtë ngjeshje të ndeshjeve, e cila e rrit shumë ngarkesën fizike të skuadrave.
Veç ndëshkimeve të padrejta të Flamurtarit, deri tani mendoj se gara ka ecur normal. Unë nuk përjashtoj edhe ndonjë arbitrim të dobët si mangësi të këtyre javëve, njëherësh edhe këtë ngjeshje të ndeshjeve, e cila e rrit shumë ngarkesën fizike të skuadrave
9 javë
Për fazën e parë të Kategorisë Superiore 2017-2018, në hapësirën shtator-nëntor, janë luajtur 9 javë me 45 ndeshje
16 pikë
Kaq ka grumbulluar skuadra e Flamurtarit në fazën e parë, me 4 fitore, 4 barazime dhe 1 humbje, golavarazhi 10:7
Sigal