Largohet “Bobi”, por ai ishte “paralajmëruar” nga Dalipi!

635
Nga Agron KAJA
PARTIZANI/ Rezultatet e dobëta dhe pezullimet, dje Sulejman Starova i ka dhënë fund bankinës së kuqe, timonin Ia merr zëvendësi
Kur Sulejman Starova u pezullua për disa javë nga Komisioni i Disiplinës në FSHF, skuadrën e Partizanit e drejtoi zëvendësi i tij Klevis Dalipi. Gjatë katër ndeshjeve si i pari i stolit të të kuqve, elbasanlliu bëri edhe disa deklarime, dhe mes tyre veçohet ajo në Instagram, që sot ka rezultuar e vërtetë. “…Dikur e kam pasur ëndërr ta vesh si futbollist fanellën e Partizanit, sot jam shumë pranë ta realizoj atë si trajner”, ishte kjo deklarata e Dalipit, e cila nga dje ka nisur të kuptohet ndryshe. Ndoshta duhet kuptuar se, “Bobi” duhet t’i kishte “bezdisur” disi drejtuesit e vjetër e të rinj, me ankesat, me protestat ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe pezullimet e gjata, e kështu ata kanë gjetur stadiumin “Niko Dovana” për ta bërë “arenën” e shkarkimit si trajner i Partizanit. Nëse e shohim në anën profesionale apo edhe nga përvoja që Starova ka para Dalipit, ndoshta ky largim duket më shumë një “larje hesapi” me “Bobin”. Natyrisht që një trajner, sado përvojë që të ketë (sikundër edhe Starova), kur nuk gjen drejtimin e duhur të një skuadre të madhe si Partizanit, ai do të bëhet “kokë turku” për rezultatet jo të mira që kjo skuadër ka arritur në 23 javët e luajtura në Kategorinë Superiore. Por, drejtuesit nuk kanë arritur të kuptojnë një fakt, shumë domethënës, se, sado trajnerë të shkarkojë e të “ngarkojë” Partizani, faji nuk vjen nga bankina. Le të kujtojmë Partizanin e këtij sezoni që në formatimin e tij gjatë verës së vitit të shkuara. Kush e menaxhoi organizimin e tij? Luçiano Moxhi, njeriu që u dënua në futbollin italian për trukime, por edhe për “kulisa” të tjera në dëm të skuadrës së Juventusit. Atij iu besua të organizonte Partizanin e sezonit në vazhdim, duke marrë një trajner pa eksperiencë, solli lojtarë që numëronin hapat në fushë, e më shumë, solli Çanin me 20 mijë euro në muaj, por që deri më sot nuk ka luajtur asnjë ndeshje. Duke marrë edhe pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm te Partizani, Moxhi bëri disa ‘skartime’ lojtarësh, të cilët në skuadrat e tjera janë duke luajtur shumë mirë. Atëherë, Starova e kishte fajin që ky Partizan i Moxhit nuk po shkonte më mirë? Edhe kaq, ku është sot në renditje, Partizani është aty, falë futbollistëve dhe Sulejman Starovës, por do të ishte më lart, nëse nuk do të prekej nga “duart e zeza” të një ish-të dënuari në futbollin e shtetit fqinj me Shqipërinë. Në fakt, Starova kishte mundësinë që të largohej javë më parë, kur Partizani nën drejtimin e tij humbi thellë në Gjirokastër 0-5, humbje që edhe vetë ai e ka deklaruar se nuk e ka kapërdirë lehtë atë humbje, dhe si profesionist dha dorëheqjen, të cilën drejtuesit nuk ia pranuan. Por nuk e mbajti fjalën e tij, ndoshta me ndjenjë profesionisti dhe besimi te vetja, pa menduar se nga pas e ndiqte “hija e zezë” e largimit të paralajmëruar. Edhe 10 “Starova” të vijnë në bankinën e Partizanit sot, skuadra nuk do të mund të ndryshojë më shumë se sa bëri “Bobi”, edhe pse në pesë ndeshjet e fundit ai mori vetëm 1 pikë!
NJOFTIMI I PARTIZANIT
“Pas barazimit 1-1 të arritur në Durrës ndaj Teutës, bordi drejtues i klubit zhvilloi mbrëmjen e së dielës një mbledhje urgjente. Duke analizuar situatën aktuale dhe objektivat që ekipi synon për pjesën e mbetur të sezonit, drejtuesit e klubit kanë kërkuar dorëheqjen e Sulejman Starovës nga drejtimi i ekipit, vendim i cili është pranuar edhe nga trajneri Starova. Në vijim të sezonit futbollistik, drejtimin e skuadrës do ta marrë Klevis Dalipi. Një ndryshim i tillë është konsideruar i domosdoshëm nga drejtuesit, në kuadër të strategjisë së rinovimit dhe për t’i dhënë një impuls pozitiv lojës dhe rezultateve të skuadrës. Klubi falënderon trajnerin Sulejman Starova për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në klub, dhe në drejtimin e skuadrës”.
NË KUJTESË
Më 14 shkurt 2018, në ditën e “Shën Valentinit”, Partizani u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, edhe pse fitoi 2-1 me Flamurtarin. Në stol, në atë ndeshje skuadrën e drejtoi Klevis Dalipi, dhe Partizani luajti shumë mirë, duke qenë deri në fund të ndeshjes në luftë për kualifikim, me një rival të nivelit të fortë. Pas ndeshjes, Moxhi u tregua i qartë: “Jemi për vend të dytë, e patë çfarë i bëmë Flamurtarit, që është aktualisht i dyti?”.
Trajnerët në Superioren 2017-2018 
Skënderbeu: I. Daja; Flamurtari: Sh. Duro; Kukësi: M. Milinkoviç+P. Pakult; Kamza: R. Ndreu; Laçi S. Nica+G. Mezani; Partizani: M. Iuliano+S. Starova+K. Dalipi; Fernandez+H. Lika; Teuta: G. Magani+ S. Nica+G. Begeja; Vllaznia: A. Cungu+E. Gjoka; Lushnja: A. Bano+H. Dedja+A. Çuko?
Sigal