Në mediat angleze dhe spanjolle ditën e djeshme u përfol se sulmuesi i Interit, Mauro Icardi, kishte kryer testet fizike te Real Madrid. Lajm që më pas u hodh poshtë nga përfaqësues e vetë lojtarit.
Pavarësisht këtyre fakteve mediat në Itali kanë raportuar sot për një interesim të Interit për të transferuar sulmuesin e Liverpool Daniel Sturridge, ç’ka mund të jetë një sinjal se në aksin Milano-Madrid diçka po lëviz.
Interi prej kohësh po synon të përforcojë repartin e avancuar por në synimet e zikaltërve nuk ka qenë një sulmues qendre. “Goal.com” shkon më tej duke raportuar se 28-vjeçari i Liverpool ka pranuar t’i bashkohet skuadrës së Spalletti-t në “Seria A”.
Sturridge ka tentuar përgjatë sezonit për një vend titullari në “Premier League” me ‘the reds’ por ka qenë shumë e vështirë. Kalimi te Interi në formë huazimi shihet si një mundësi për të mos humbur një ftesë të kombëtares ‘Tre Luane’ për Botërorin që do të zhvillohet në Rusi gjatë verës.