Laçi “vret” Partizanin, i jep leksion në fushën e tij!

Nga Agron KAJA

KATEGORIA SUPERIORE/ Nisi dje Kampionati i ri 2017-2018, diktat i vendasve, kartonë, penallti dhe autogol, kështu startoi Superiorja

Nuk është e thënë që, të bësh merkato milionerësh dhe të jesh me imunitet financiar në fushën e lojës. Kjo mendjemadhësi, ndoshta i ka dhënë humbjen dje Partizanit, në sfidën me Laçin të luajtur në mbrëmje në stadiumin “Selman Stërmasi”. Por ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore 2017-2018 u luajtën të shtunën dhe të dielën, të cilat sikur e kishin lënë me “fjalë”, që në këto 450 minuta lojë zyrtare, të prodhonin në fushë gjithçka: penallti, gola, autogola e kartonë. Por, “qershiza mbi tortën” e kësaj jave ishte skuadra e Laçit, e cila kishte paralajmëruar me trajnerin e saj Stavri Nica, se nga Tirana nuk do të dilnin pa pikë. “Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, me të cilët kam bërë përgatitje serioze. Sot (dje) ata treguan se nuk janë ekip për tu nënvleftësuar, dhe gjej rastin të falënderoj edhe Presidentin e skuadrës sonë, Pashk Laska, i cili mundësoi në organizimin e këtij ekipi”, kjo ishte deklarata e trajnerit të Laçit, Stavri Nici, dhënë mbrëmë pas ndeshjes për gazetën “Telegraf”, e cila e nxjerr “jashtë loje” deklaratën e italianit të bankinës së Partizanit, Mark Iuliano, i cili me një ironi italiane, por të kuptueshme lehtë, kërkon justifikimin për humbjen e turpshme. “Më dhanë mirëseardhjen në Shqipëri. Duhet të them se kampionati filloi, u munduam të linim të kuptohej që deshëm të fitonim, por ndeshja e parë është shumë e vështirë. Dominuam në çdo zonë, kemi pësuar dy gola, është e vështirë kur gjuan 20 herë e nuk shënon dhe me kundërsulmin e parë pëson. Është një kampionat ku shumë luajnë kështu, më vjen keq për tifozët dhe klubin”. Kështu e nis dje Partizani këtë “telenovelë” me 36 seri, duke dështuar në të parën, por këtu le të themi se merita e skuadrës së Laçit është më e madhe se dështimi i të kuqve. Kjo ndeshje i mbylli të gjitha sfidat e javës së parë, ku dje në mesditë veçohet edhe fitorja në transfertë e Vllaznisë, ndaj Lushnjës debutuese, e cila jo vetëm se tregoi që është e tillë, por më tepër tregoi se duke mos ndryshuar nga një kategori më e ulët, në atë më të lartë, dështimet mund të kenë shoqëri të gjatë. Gjithsesi, janë edhe 35 javë për të korrigjuar, por le të themi se Vllaznia tregoi se është një “zonjë” që di të përdorë mirë vlerat e lojtarëve të saj në fushën e lojës.

3 penallti
Kaq penallti i dhanë në ndeshjet e javës së parë të Kategorisë Superiore, të treja të realizuara