Laçi leksion Skënderbeut, Partizani rikthehet në krye

36

Kurbinasit mposhtën kampionët 2-0, “Demat e Kuq” marrin kryesimin, falë fitores 1-2 në transfertë me Kastriotin, Teuta ngjitet në vendin e 4-t, falë suksesit me Kamzën, barazim pa gola në Vlorë

Emocione, gola dhe surprizë rezultatesh, ky është epilogu i javës së 12-të të kampionatit shqiptar të futbollit. Ditën e djeshme u luajtën 4 sfida shumë interesante dhe të bukura, të cilat kontrastuan atë ndodhi të shëmtuar që ndodhi në fund të përballjes të së martës mes Tiranës dhe Kukësit (tifozët e Tiranës sulmuan futbollistët e tyre duke hyrë në fushën e lojës). Verdiktet e kësaj jave rikthyen Partizanin në krye të tabelës, falë një fitoreje të vështirë në transfertën krutane. Të kuqtë mposhtën 2-1 Kastriotin vendas, falë dy golave të të riut Bardhi. Skuadra e Skënder Gegës rimori vendin e parë, falë disfatës së Skënderbeut kundër Laçit. Kampionëve në fuqi iu dha një leksion nga kurbinasit, të cilët u konfirmuan si forca e tretë e këtij kampionati.

Kastrioti-Partizani    1-2

Në këtë sfidë ka ndodhur gjithçka në 45-minutat e para. Vendasit janë munduar të surprizojnë të besuarit e Gegës, por kanë qenë të pafuqishëm. Momenti më pikant i ndeshjes ishte minuta e 19′ e takimit. Kombinime mes 3 futbollistëve të Partizanit dërguan topin tek Bardhi, i cili përfitoi nga gabimi mes portierit Kuka dhe një nga mbrojtësit duke arritur të dërgojë topin në rrjetë i pa shqetësuar. Takimi vazhdoi në ritme mesatar me kryeqytetasit që nuk shpenzuan shumë energji. Në minutën e 36′, Kote futi një top mjaft të mirë për Bardhin që me një planzhon e goditi me kokë duke e dërguar në rrjetë për 0-2. Vetëm 1 minutë më pas vendasit reaguan me anë të brazilianit Roger, i cili mori vendin e Atsinas. Futbollisti kaloi mjaft mirë Gojkoviçin dhe i vetëm përballë Hoxhës nuk gaboi duke ngushtuar diferencën në 1-2. Nuk ka dhuruar shumë emocione pjesa e dytë e takimit. Niveli i lojës ka qenë nën mesatar dhe me pak raste. Asnjë nga ekipet nuk arriti që të shënonte. Të kuqtë u munduan të siguronin rezultatin, por nuk ia dolën dot mbanë. Nga krahu tjetër, vendasit u munduan, por u treguan të pafuqishëm për të barazuar ndeshjen. Përfundimisht, “demat” fituan me rezultatin 1-2. Partizani rimerr vendin e parë me 28 pikë, ndërsa Kastrioti mbetet në vendin e fundit me vetëm 4 pikë. Javën e ardhshme, të kuqtë do të luajnë kundër Laçit, ndërsa Kastrioti kundër Kamzës.

Laçi-Skënderbeu       2-0                                                              

Skënderbeu pësoi humbjen e 2-të sezonale pasi u mposht në stadiumin Selman Stërmasi me rezultatin 2-0 nga Laçi. Një fitore e merituar nga kurbinasit me një Skënderbe që luajti dobët dhe e kishte të vështirë të reagonte. Goli i shpejtë i Shtubinës i dha zemër skuadrës së Memellit i cili mori fitoren e dytë radhazi në krye të Laçit ndërsa për një gabim të Bruno Ditës erdhi edhe goli i dytë i mbrojtësit Gjoni pak minuta përpara fundit që vulosi fitoren e bardhezinjëve që me këtë sukses u ngjitën në vendin e 3-të në kuotën e 22 pikëve. Kur ndeshja ishte 1-0 në favor të Laçit, Skënderbeu shpërdoroi disa mundësi të mira për të barazuar por nuk e gjeti dot golin pasi sulmuesit korçarë, Bregu, Krasniqi, Oto John dhe Hoxhaj ishin në një ditë jo. Me këtë disfatë skuadra e Shehit ka 26 pikë në 12 ndeshje, 2 më pak se Partizani kryesues.

Kamza-Teuta 1-3

Një ndeshje me dy tablo me Kamzën që zhvilloi një pjesë të parë shumë të mirë duke kaluar në avantazh me mbrojtësin italian Bonani dhe duke humbur disa raste për të dyfishuar shifrat, por në pjesën e dytë u shfaq në fushë një tjetër Teutë që e dominoi takimin dhe përmbysi rezultatin me golat e Amadu Latif me penallti, Prognit dhe Beqajt duke marrë fitoren e 4-t në 5 ndeshjet e fundit dhe duke u ngjitur në kuotën e 21 pikëve. Për sa i përket Kamzës, Klodian Duro me këtë humbje i ka orët të numëruara në stolin e skuadrës nga periferia e kryeqytetit.

Flamurtari dhe Luftëtari e mbyllin pa gola

Flamurtari dhe Luftëtari u ndanë në paqe në ndeshjen e fundit të javës së 12 të Kategorisë Superiore, një rezultat që gëzon më shumë gjirokastritët, ndërsa vlonjatët humbin një mundësi të mirë për t’u ngjitur në vendin e katërt të renditjes. Në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, pjesa e parë u kontrollua mjaft mirë nga skuadra e Mezanit, që i shkoi shumë pranë golit, me anë të sulmuesit kryesor, Vasil Shkurtaj. Në pjesën e dytë ishin vlonjatët e Dajës, që u shfaqën më kërkues dhe patën edhe një mundësi flagrante, ku pretenduan për një 11-metërsh, pas një topi të larguar me dorë mbi vijën fatale. Vlen të përmendet se Flamurtari u përball edhe me mungesën e sulmuesit brazilian Danilo Alves, i cili ka qenë goleadori i skuadrës në ndeshjet e fundit, me 3 gola të po kaq takime të luajtura radhazi. Me këtë rezultat Flamurtari zbret në vendin e 6 ndërsa gjirokastritët ruajnë vendin e 8.

RENDITJA SUPERLIGA

Skuadrat          Nd       P

  1. Partizani 12 28
  2. Skënderbeu 12 26
  3. Laçi 12 22
  4. Teuta 12 21
  5. Kukësi 12 20
  6. Flamurtari 12 19
  7. Tirana 12 10
  8. Luftëtari 12 10
  9. Kamza 12 8
  10. Kastrioti 12 4

Ndeshjet, Java e 12

E martë, 6 nëntor

Tirana-Kukësi  0-0

Dje, 7 nëntor

Laçi-Skënderbeu         2-0

Kamza-Teuta   1-3

Kastrioti-Partizani       1-2

Flamurtari-Luftëtari    0-0