Laçi – Kukësi, finalja e Kupës së Shqipërisë

547
finale e cila do të diskutohet më 30 maj dhe që do të shënojë fundin e këtij sezoni. Të dy skuadrat e kanë për herë të dytë daljen e tyre në finale, por diferencën e bën trofeu. Sepse kurbinasit e kanë fituar në sezonin 2012-2013, teksa në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”kanë mundur Bylisin në kohën shtesë, 1-0. Dhe po në tempullin e futbollit shqiptar sezonin e kaluar Kukësi e ka humbur finalen, ndërsa është mundur nga Flamurtari, 0-1. Në të tilla kushte, kur Laçi e kërkon për herë të dytë këtë trofe, ndërsa Kukësi, edhe pse gjendet për herë të dytë në këtë finale, është përsëri “sefte”, atëherë finalja është e garantuar që do të jetë spektakolare dhe për t’u parë. Por çfarë dhuruan dy gjysmëfinalet e djeshme? Së pari në Laç gjithçka e ka zgjidhur Xhejms Adenjiji, ndërsa gjyqtari ndërkombëtar Bardhyl Pashaj, ndërsa ka ndëshkuar me karton të kuq Ndikumanën në të 15’, është në fokusin e akuzave të bardhebluve. Ndërkohë në Korçë ka vendosur Pejiç. Mirëpo të dyja skuadrat do të luajnë përsëri të dielën në “Zeqir Imeri”, këtë herë për kampionat. E përsëri këto skuadra kanë llogari për të larë për njëra-tjetrën, gjithnjë nëse nuk do të ketë marrëveshje të fshehtë, ndonëse dhe finalja e Kupës së Shqipërisë përballë një Laçi ambicioz nuk jep shumë garanci se Kukësi do të jetë kaq i “rehatuar” në marrjen e Kupës më 30 maj. Megjithatë deri atëherë duhet pritur.
Xhejms Adenjiji dhe Laçi në finale
Laçi është në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe suksesi për skuadrën e Armando Cungut ka një emër që është Xhejms Adenjiji. Tirana eliminohet kështu duke humbur mundësinë për të mos e mbyllur sezonin pa asnjë trofe. Skuadra e Maganit u mund 1-0 në transfertën kurbinase, atje ku bardhezinjtë u mjaftuan me një gol të Xhejms për të gjetur rrugën e suksesit. Minutat e para kaluan të qeta deri në të 17-ën kur një vendim i arbitrit Bardhyl Pashaji, që do të krijojë polemika, la me 10 lojtarë skuadrën e Tiranës. Në një përplasje fizike mes Olsi Teqjas dhe Selemani Ndikumanas, ky i fundit u ndëshkua me të kuq, ndërsa mbrojtësi laçian me karton të verdhë. Pas këtij episodi, Laçi hodhi sytë nga sulmi dhe në të 21’ Xhejms bëri gjithçka mirë, por finalizimi i tij nga kufijtë e zonës së rreptësisë gjeti grushtet e portierit Bakaj. Por kur të gjithë besonin te ofensiva e kurbinasve, Tirana u imponua me bindje duke dominuar kundërshtarin në çdo aspekt. Në minutën e 27-të Bulku krosoi në zonë, por Bakaj nuk arriti të shënjestroji si duhet portën. Tre minuta më pas sulmuesi i Tiranës stopoi një top në zonën e Laçit, por goditja e tij la për të dëshiruar. Curri ishte shumë pranë golit pas krosimit të Bulkut, por pa rrezik për kurbinasit. Një tjetër goditje me kokë e dhuroi Muça, por edhe qëndërmbrojtësi tjetër i bardhebluve nuk arriti të shënonte golin e parë. Në sekondat e fundit të kësaj pjese, Muzaka la fushën e lojës i dëmtuar, pas një përplasje me Teqjan, duke ia lënë vendin Kalarit. Me fillimin e fraksionit të dytë, Xhejms kërcënoi sërish në minutën e 51, por e djathta e tij qethi traun e portës së mbrojtur nga Bakaj. Xhejms mbeti rreziku kryesor në prapavijën bardheblu duke kërcënuar sërish 7 minuta më pas. Dhe në të 62’ ai e gjeti rrugën e rrjetës. Tirana shton forcat sulmuese, por është e pafuqishme dhe në përfundim Laçi është finalist i Kupës së Shqipërisë.  
Pejiç “macja e zezë” e Skënderbeut, Kukësi në finale
Kukësi është në finalen e Kupës së Shqipërisë, falë ylli të saj Pero Pejic, që shënoi golin e barazimit 1-1 në Korçë. Skënderbeu nuk arriti të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë, duke qenë tashmë në garë vetëm për titullin..Bardhekuqtë kanë rrezikuar në të 8’me anë të Latifit, por Stazhilla ka pritur. Në të 12’, bardhekuqtë kanë pretenduar për penallti, Nën një atmosferë të denjë për ndeshje të mëdha, tifozët korcarë bënë të ndihet që në fillim prania e tyre duke karikuar dhe skuadrën në fushë që e nisi mjaft mirë ndeshjen, por nuk ka qenë e tillë për Jorgjin. Dhe në të 15’,. Skënderbeu ka kaluar në avantazh me anë të Prognit. Por nuk ka zgjatur shumë, sepse në të 24’, Pejiç ka barazuar. Rezultati 1-1 e bëri më të vështirë kualifikimin për Skënderbeun, që përtej përpjekjeve të korçarëve nuk ka ndryshuar asgjë më. Dhe për rrjedhojë Kukësi është në finale. 
Laçi superior ndaj Kukësit
Laçi edhe gjatë kampionatit duket se është superior ndaj Kukësit. Në katër përballjet ka fituar një herë, 2-1, ka barazuar dy herë, 0-0, si dhe është mundur një herë 0-1. Në përgjithësi kurbinasit kanë një epërsi të vogël ndaj Kukësit, që po t’i shtosh dhe urinë e tyre për të fituar, teksa është e sigurt se më 30 maj do të kenë një numër të madh fansash, atëherë duket se janë ata më tepër pranë fitimit të Kupës së Shqipërisë. Megjithatë ajo që duhet theksuar është fakti se duhet pritur se si do të shkojë fundi i kampionatit, si dhe finalja e cila do të luhet më 30 maj 
Deklaruan pas ndeshjes
G.Magani (Trajneri i Tiranës) – “Rezultatin e ndeshjes e vendosën të tre arbitrat. Kartoni i kuq ishte për të dy lojtarët. Kemi luajtur 75 minuta me një lojtar më pak dhe e dominuam kundërshtarin. Në momentin e golit nuk ishte goditje këndi. Arbitri ishte kamikaz dhe për këtë jam i bindur. Ne do vazhdojmë punën tonë deri në fund sepse jemi ende në garë për titullin. Gjendja psikologjike është shumë e mirë, por ajo që më demotivon është jo ndershmëria e gjykimit në ndeshjen e Laçit. Gjyqtari nuk punoi me një standart, por me dy standarte”.
A.Cungu (Trajneri i Laçit) – “Ishte shumë e vështirë. Duhet të jesh i kujdesshëm dhe të mos nxitohesh për të shënuar. Pas daljes së Ndikumanës lojtarët menduan se e fituam ndeshjen dhe lëshuan terren. Ndikoi mungesa e Cetkovic, prandaj nuk dhamë maksimumin në fushën e lojës. Ne do të shikojmë përpara në kampionat. do ta provojmë objektivin evropian në te dyja frontet. Jemi afër dhe shumë larg”. 
A.Shaqiri (Trajneri i Kukësit) – “Mendoj që lojtarët meritojnë komplimentet për kualifikimin në finalen e Kupës. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, ne u kthyem në lojë dhe realizuam. Por kjo është vetëm një finale, finalen tjetër e kemi diten e dielë po ashtu me Skënderbeun. Ne kemi një skuadër, kemi zëvëndësues në të gjithë pozicionet. Kështu në çdo moment kur kemi probleme secili mund të zëre vendin në fushë. Jemi të kënaqur me kualifikimin, që ia bëmë dhuratë presidentit Safet Gjici për datëlindje”. 
M.Josa (Trajneri i Skënderbeut) – “Deri në momentin që Pejiç na shënoi golin e barazimit skuadra funksionoi shumë mirë. Edhe pas pësimit të golit ishim të kujdesshëm në lojë. Por në momentin që pësuam golin nga ana e Kukësit, skuadra pati çekuilibrim. Duhej të ishim pak më të qartë që të depërtonim në zonën e Kukësit, pasi kishim 65 minuta lojë në favor. Goli në Kukës ishte komplet i ndryshëm nga ai i sotmi. Pasi në Kukës ishte gabim, duke pasur parasysh mënyren se si u zhvillua faza e golit, ndërsa i ai këtu ishte më shumë nga përkujdesja që patën lojtarët për të mos shkaktuar faulle. Duhet të fokusohemi tani tek Kampionati, pasi na pret një ndeshje e vështirë në Kukës”. 
Cikalleshi shënon dhe dërgon RNK Splitin në finale
Një gol i Sokol Cikalleshit i dha finalen e Kupës së Kroacisë, RNK Splitit. Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që është realizuesi më i mirë i ekipit të tij këtë sezon futbollistik, shënoi golin e fitores në derbin e qytetit, që ishte njëkohësisht dhe gjysmëfinalja e kthimit për Kupën. Në minutën e 42-të, ekipi i RNK fitoi një 11-metërsh, të cilën Cikalleshi nuk e gaboi duke e dërguar topin në rrjetë. Epërsia e krijuar nga Cikalleshi u ruajt deri në fund nga ana e RNK-së që siguroi dhe finalen e Kupës së Kroacisë, ku do të kërkojë të fitojë trofeun e parë në historinë e tij. Ky ishte goli i 12-të sezonal në Kroaci për Cikalleshin. Ndërkohë Bekim Balaj i Rijekës, edhe pse ka luajtur 90 minuta, nuk ka mundur ta dërgojë skuadrën në finalen e Kupës, ndërsa përfundimi i ndeshjes me Dinamon e Zagrebit ka dhënë shifrat e bardha, 0-0. Dinamo u kualifikua për në finale, sepse kishte fituar ndeshjen e parë 2-1, ndërsa Balaj nuk pati fatin e Cikalleshit të shënonte dhe ta çonte Rijekën në finale. 
FSHF, seminar me gjyqtaret femra
Për dy ditë me radhë, Federata Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar një seminar me gjyqtaret femra të moshës 17-23 vjeç. Qëllimi i këtij seminari, që është drejtuar nga Plarent Kotherja, Sokol Jareci dhe Elton Kodra, është kualifikimi këtyre vajzave për një përballje dinjitoze dhe integrim gradual me futbollin e meshkujve, apo dhe seleksionimi në vartësi të parametrave fizik dhe teorik. “Ishin rreth 20 vajza të ardhura nga Durrësi, Shkodra, Elbaasan, ndërsa u testuan si në anën teorike, ashtu dhe fizike. Ky ishte seminari i parë i këtij lloji i zhvilluar këtë vit”, tha Kotherja.
Partizani përgatitje intensive para Teutës
Të kuqtë kanë vijuar paraditen e djeshme përgatitjet në prag të përballjes të ditës së shtunë me Teutën në “Niko Dovana”. Skuadra zhvilloi stërvitje në kompleksin sportiv “Tirana Internacional” në Pezë, ndërsa seancën e radhës e ka kryer me kontigjentin e plotë të lojtarëve. Në përfundim të seancës së djeshme ekipi i është drejtuar rezidencës hotel “Vila Park”, atje ku do të qëndrojë i grumbulluar deri në momentin kur do i drejtohet stadiumit “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit të shtunën
Apolonia edhe një hap tjetër për titullin
Apolonia e Astrit Grevës në basketboll për femra ka hedhur dhe një hap tjetër drejt titullit kampion. Ajo e ka fituar ndeshjen e tretë finale të Play-off me Flamurtarin, 65-61, një ndeshje e cila është luajtur në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala”të Durrësit dhe tashmë kryeson 2-1. Ndeshja e së shtunës në Vlorë ose do ta barazoj në 2-2, ose do ta shpallë Apoloninë kampione atje, teksa kështu do të mund të kthehet tek titulli kampion në basketboll për femra pas tre sezonesh. 
Sigal