Laçi fut në krizë Flamurtarin

152

 Silura e Burhan Emurllahut shkatërron “nëndetësen” vlonjate. Spanjolli Rubio debuton me humbje

Një kryevepër e Burhan Emurllahut i dhuroi një fitore historike Laçit ndaj Flamurtarit (0-1) të reduktuar në dhjetë lojtarë, pikërisht në debutimin e spanjollit Hulian Rubio, ndërkohë që festa i takoi debutuesit durrsak, Stavri Nicës. Një pikë nga gjashtë të mundshmet dhe pesë pikë më pak se Skënderbeu, në vetëm dy ndeshje, komprometojnë fillimin e sezonit të Flamurtarit, që tashmë po përjeton një krizë rezultatesh. Laçi është shndërruar në një mace të zezë për Flamurtarin, boll të kujtojmë se vlonjatët nuk fitojnë prej gjashtë ndeshjesh me kurbinasit, midis kampionatit dhe Kupës. Fitorja e fundit e Flamurtarit daton, më 4 shkurt 2011, 0-1, me një gol të Daniel Xhafajt.

PJESA E PARË
Drejtuesit e Flamurtarit mbetën të zhgënjyer nga barazimi 1-1 me Bylisin në Berat, dhe nuk e toleruan aspak ish-trajnerin Shkëlqim Muça, duke e detyruar këtë të fundit të jepte dorëheqjen. Ardhja në bankinë e spanjollit Hulian Rubio, i cili fitoi tre trofe me Tiranën, entuziazmoi tifozët të cilët ishin të shumtë në stadiumin e Vlorës. “Flota Kuq e Zi” besoi fort në fitoren e parë sezonale, por kurbinasit u treguan më të zotë. Me sulmuesin kryeson Migen Memelli – autor i golit kundër Bylisit – dhe blerjen e fundit, Hair Zeqirin, në tribunë, Rubio vendosi në vijën parë argjentinasin Rafael Soza dhe lushnjarin Brunild Pepa, të mbështetur edhe shqiptari nga Maqedonia, Nijaz Lena dhe mesfushori i Kombëtares, Gjergji Muzaka, njëherësh edhe lojtari më i shtrenjtë i kampionatit. Përballë ofensivës vlonjate, trajneri Stavri Nica – pasoi të vetëlarguarin Përparim Daiu pas barazimit 1-1 me Besën – hodhi në zemër të mbrojtjes, dyshen e fortë Ndreka-Buljan, që e kreu në mënyrë të mrekullueshme detyrën. Pjesa e parë ishte mjaft e dobët për Flamurtarin, tepër i ngadaltë dhe i paqartë. Gjithsesi, rasti i parë i takoi Flamurtarit, pas një kombinacioni midis Muzakës dhe Lenës, me organizatorin shqiptaro-maqedonas që vuri në provë portierin Vashaku, por topi kaloi mbi shtyllën horizontale. Laçi u kundërpërgjigj me sulmuesin Orjand Abazaj dhe portierin Koliqi e devijon me vështirësi. Me Erjon Vuçajn, në rolin e “plejmejkërit”, Laçi është më i lëvizshëm në gjysmëfushën vlonjate. Në minutën e 32-të, Lena vuri në provë Vashakun, por ky i fundit reagoi bukur. Në minutat e fundit të pjesës së parë, kapiteni i Flamurtarit, Franc Veliu i dha një asist të bukur Pepës, por sulmuesi lushnjar gaboi rëndë.

PJESA E DYTË
Flamurtari vuan nga një ngërç psikologjik, ndërkohë që tifozët shprehin gjeste nervozizmi në tribuna. Vlonjatët duken të lodhur, ndërsa Laçi më i freskët dhe administron qetësisht lojën. Drama vlonjate bëhet më e mprehtë, kur portieri i Flamurtarit, Enea Koliqi, e preku me dorë topin jashtë fushe, duke u ndëshkuar me karton të kuq. Trajneri Rubio largoi Petkoviçin, për t’i bërë vend portierit të dytë, Xhelili. Emurllahu ekzekutoi në mënyrë perfekte duke shënuar një gol të mrekullueshëm nga gjuatja standarde. Askush nuk e beson në Vlorë: Flamurtari-Laçi 0-1! Minuta e 51-të. Pesë minuta më pas, Rajoviç i dha një asist Muzakës, por gjuajtja e ish-mesfushorit të Skënderbeut goditi shtyllën. Ia vlen të theksojmë se Muzaka nënshkroi një kontratë prej 105 milionë lekësh të vjetra! Më e kripura në Superligë. Laçjanët krijuan një perde të hekurt në mbrojtje, sa dhe ndonjë silurë e ulët e Nijaz Lenës nuk ka mundur të mposhtë portierin Vashaku. Rubio luajti kartën e zëvendësimeve, dhe të njëjtën strategji ndoqi dhe Nica. Gjithsesi, dy sulmuesit, argjentinasi Rafael Soza dhe lushnjari Brunild Pepa, ishin në hije, duke mos qenë asnjëherë të rrezikshëm për portierin Vashaku. Laçi ishte shumë pranë golit të dytë, por Shazivari përballë portierit Xhelili, ai nuk mundi të dyfishojë. 0-1 dhe fitorja e parë historike e Laçit në Vlorë. Një fitore me shumë vlerë për Laçin, por dhe një humbje e turpshme e Flamurtarit, që pas ndërprerjes së kampionatit për shkak të dy ndeshjeve të Kombëtares, me Qipron dhe Zvicrën, do të luajë ndeshjen miqësore me Seviljen e Spanjës, një skuadër tek e cila, trajneri Hulian Rubio ka dhënë kontributin e tij si lojtar dhe si trajner.

Skënderbeu likuidon Apoloninë

Skënderbeu vazhdon marshimin e tij, duke likuiduar kundërshtarin e radhës, Apoloninë, me një fitore të pastër 2-0, në javën e dytë të Kategorisë Superiore. Pas një pjesë të parë pa gola, por me rastet Dimos, Plakut, Lilajt dhe shtyllës së Pejiçit për korçarët, si dhe Ramës dhe Ribajt fierakët, e dyta ishte e tëra e kampionëve në fuqi. Skënderbeu fitoi një penallti me anë të Pero Pejiçit, kur Emiljano Çela pengoi sulmuesin kroat. Sebino Plaku nuk gaboi nga pika e bardhë në minutën e 56-të, duke shënuar goli e parë të kampionëve dhe të parin e tij sezonal. Një gjuajtje nga një distancë prej 18-metrash me të majtën i Nuredin Orelesit dyfishoi shifrat në minutën e 63-të. Një gol i bukur i nigerianit. Një sukses edhe i trajnerit Mirel Josa. Gjashtë pikë të plota, nisje prej kampionësh!

ARMANDO VAJUSHI
Liteks Loveç i Armando Vajushit dhe Edon Hasanit fitoi 4-0 ndaj Botevit, në javën e 4-t të kampionatit bullgar. Sulmuesi Vajushi luajti 90 minuta të plota.

ALBERT BUNJAKU
Sulmuesi kosovar shënoi dy gola në fitoren 3-1 të Kaiserslauternit ndaj Dinamos së Drezdenit, në javën e 4-t të Bundesligës së 2-të gjermane.