La futbollin për një mision të pamundur, histori e pabesueshme e Klopp. Rrugëtimi që nisi nga basti i rrezikshëm

540
2nd German Soccer League - 1998-1999 - Hanover 96 - FSV Mainz 05 3-2 - Dimo Wache (L) and Jurgen Klopp (both Mainz) ... Soccer - Hanover 96 - FSV Mainz 05 3-2 ... 04-04-1999 ... Hannover ... Germany ... Photo credit should read: Fritz Rust/Unique Reference No. 22468666 ...
Sigal

Në momente krize ndonjëherë merren vendime të guximshme që ndryshojnë rrjedhën e historisë dhe kështu ndodhi 18 vite më parë, kur Christian Heidel vendosi t’i besonte instiktit, duke emëruar trajner një fillestar si Jürgen Klopp, me shpresën se ky i fundit do bënte mrekullinë dhe do e shpëtonte Mainzin nga rënia në divizionin e tretë gjerman.

“Tetë javë pasi mori drejtimin, e siguruam mbijetesën”, thotë ish-drejtori sportiv i Mainzit, zgjedhja e çuditshme e të cilit bëri të mundur që Mainzi të ngjitej nga fundi i tabelës në Bundesligën 2 te mbijetesa në javën e parafundit të sezonit debutues.

“Ndeshja jonë e fundit ishte jashtë fushe, në Mannheim. Kishim me vete 60 autobusë me 3000 tifozë. Na shpartalluan 4-0, por nuk na interesonte fare. Në kthim udhëtuam bashkë, tifozë e staf, me një anije të madhe pasagjerësh përgjatë lumit Rhein, deri në Mainz.

Ishte një festë gjigante dhe unë e Jürgen qëndronim ulur në fillim të anijes me një kuti birrash përpara, duke mos e pasur ende të qartë çfarë kishte ndodhur në ato 8 javë. Kur mbërritëm në Mainz kutia e birrave ishte bosh”.

Klopp ka trashëguar nga babai i tij karizmën, punën e pandalur dhe ndjenjën e besnikërisë. Nga trajneri Wolfgang Frank ndikoi te Klopp me taktikat e tij të kopjuara nga Arrigo Saçhi dhe me seksionet e video-analizave.

Megjithatë, pa shansin që iu dha nga Heidel në shkurt 2001, Klopp nuk do i kishte vënë dot në jetë ato që kishte mësuar, për t’u bërë më pas trajneri që ka kthyer Liverpoolin në majën e Europës dhe që këtë të shtunë do të tentojë të fitojë Champions League.

Heidel shpjegon: “Vendimi për ta kaluar Klopp nga lojtar në trajner në një moment aq të vështirë ishte një vendim instikti, jo i marrë me logjikë. Ai nuk ishte kapiteni i ekipit, por ishte lideri shpirtëror dhe kreu taktik i skuadrës.

“Ai studioi shkencat sportive kur ishte në Mainz dhe ishte e qartë që do bëhej trajner kur të mbyllte karrierën si futbollist. Kisha nevojë për një trajner që do të vazhdonte në rrugën taktike të Wolfgang Frank. Kjo gjë i kishte ezauruar dy trajnerë, por i besoja Kloppit, edhe pse ishte një zgjedhje e rrezikshme.

“Kur ia shpjegova idenë time, ai nuk u mendua fare: “Mund ta bëj”. Që në stërvitjen e tij të parë skuadra ishte e tëra krah tij. Në ndeshjen e parë, kundër Duisburgut, që ishte favorit i madh, ne kishim një skuadër më të motivuar se kurrë në historinë e Mainzit. Fituam vetëm 1-0, por Duisburgu ishte i pashpresë atë ditë.

“Sekreti i suksesit të tij bazohet te plani taktik. Mainz ishte ekipi i parë gjerman që luante me 4 mbrojtës dhe pa ‘libero’, për shkak se Wolfgang Frank ndiqte metodat e Saçhit. Trajnerët pasues dështuan.

“Jürgen rregulloi gjithçka për 3 seanca stërvitore. Nëse u shton edhe pasionin e pabesueshëm dhe dëshirën për të vrapuar, shumë nga rivalët tanë dorëzoheshin. Mainz kishte një prej buxheteve më të vogla në Bundesligë, ndoshta tek e tek nuk kishim ndonjë lojtar të nivelit të lartë, por kishim një trajner të jashtëzakonshëm, me një plan të jashtëzakonshëm”.

Kur drejtonte Mainzin, Klopp e humbi ngjitjen në Bundesligë në dy raste për një pikë ose për golaverazh, derisa ia doli, duke bërë që Mainz të ngjitej për herë të parë në historinë e vet në Bundesligë. Si futbollist profesionist Klopp luajti gjithë karrierën e vet te Mainz, por aty nuk bëhet fjalë për lavdi, vetëm për mbijetesë.

“Luftonim gjithnjë për qëndrim në kategori, vetëm kur ia dilnim e dinim që do e kishim të sigurt pagën për 12 muajt pasardhës”, tregon Klopp, i cili ndoshta aty është mbrujtur me shpirtin luftarak dhe dëshirën për të mos u dorëzuar kurrë, që po shfaqet tani te Liverpooli, mjafton të shihet ndeshja e kthimit kundër Barcelonës.

“Jürgen ishte i aftë të elektrizonte një qytet të tërë, sidomos pas dështimit për t’u ngjitur në Bundesligë vetëm për një pikë, apo për një gol. Ai e fshiu depresionin me fjalimet e tij pas ndeshjeve të fundit”, kujton Heidel.

“Kur nuk ia dolëm në 2003, ai tha para 10.000 tifozëve në sheshin e qytetit: ‘Do të vërtetojmë se është e mundur të ringrihesh pas një dhimbjeje kaq të madhe’. Ai u kërkoi tifozëve të Mainzit të paraqiteshin në stërvitjen e parë të sezonit të ri dhe erdhën 10.000 tifozë. Pas ndeshjes së fundit në 2007 dhe rënies nga Bundesliga, ai mori mikrofonin e stadiumit në dorë. Asnjë tifoz nuk iku nga stadiumi. Ai tha: ‘Do të kthehemi, me çdo kusht!’. Turma nisi të festonte sikur kishim fituar kampionatin”./“360 gradë“