Ky Kukës është i lindur për Europën!

455
Sigal

LIGA E EUROPËS/ Metalurg Dontesk-Kukësi 1-0. Humbja e ëmbël i çon kuksianët në turin e katërt

 Kukësi eliminoi Metalurg Donteskun, pavarësisht se humbi 1-0 “Metalurh Stadion”, duke u bërë skuadra e parë shqiptare që kalon tre ture në Europë dhe duke prerë biletën për fazën “play-off” të Ligës së Europës. Fitorja 2-0 në ndeshjes e parë në “Qemal Stafa”, iu mjaftoi nënkampionëve të Shqipërisë të mbronin avantazhin e dyfishtë, duke u bashkuar kështu me Skënderbeun e ardhur nga Liga e Kampioneve në fazën “play-off” të Ligës së Europës. Edhe pse e mbylli takimin me dhjetë lojtarë (karton i kuq i Malindit), Kukësi, falë edhe pritjeve të jashtëzakonshme të portierit Argeng Halilajt, ia doli të mbijetojë në 97 minuta lojë, duke pësuar vetëm një gol në minutën e 27-të nga Dimitrovi.

Një Kukës historik, pa yje, por tepër kompakt. Një shpërblim i merituar i sakrificave financiare të presidentit Safet Gjici, ideve taktike të trajnerit Armando Cungu, por dhe këshillave të çmuara të drejtorit sportiv Sulejman Starova. Nëse kur eliminoi FK Sarajevon e Bosnjës, Kukësi u bë skuadra e parë që kalonte dy tyre në Europë pas 26 vjetësh, qysh kur Flamurtari e realizoi atë në vitin 1987. Kukësi eliminoi në turin e parë eliminator Flora Talinin e Estonisë; në të dytin, FK Sarajevon e Bosnjës dhe tani në tretin, Metalurg Dontesk të Ukrainës. Varianti taktik që përdori Cungu ishte 4-4-1-1, por në fazën mbrojtëse ai shkoi edhe 4-5-1, ndërsa kur skuadra sulmonte pozicionohej në 4-2-3-1, çka herë krijonte një “mur” në mbrojtje, por edhe alternohej me kundërsulme të shpejta. Udhëzimet e fundit të Cungut kishin qenë për një disiplinë taktike dhe përqendrim maksimal në fushë. Trajneri kishte kërkuar nga lojtarët që të ishin të qetë, për më tepër që këtë herë i favorizonte dukshëm edhe rezultati i sfidës së parë. Nënkampionët e Shqipërisë arrijnë ta mbajnë të paprekur portën e tyre deri në minutën e 27-të, kur qendra e mbrojtjes “fut ujë” për herë të parë. Bllokada çahet dhe Metalurg Donjeck kalon në avantazh. Një kombinim i bukur mes Lazic dhe Dimitrovit e huton qendrën e mbrojtjes tonë, ndërkohë që bullgari del i vetëm përballë portierit Halilaj. Ai shënon me një të djathtë të fuqishme, i gjendur brenda zonës kuksiane. Gjuajtja e parë për Kukësin vjen nga Allmuça në minutën e 31-të. Dhe vjen minuta e 37-të: Halilaj bën mrekullinë, duke pritur një predhë të lëshuar nga kundërshtari (Junior Moraes) në pozicion ballor, i gjendur mbi pikën e bardhë të penalltisë. Në minutën e 74-t gjyqtari turk i akordon të dytën e verdhë Malindit, duke e nxjerrë me të kuqe. Sulmuesi e penalizon skuadrën e tij me këtë veprim, duke kryer dy ndërhyrje të gabuara në mesin e fushës, si të ishte lojtar mbrojtës. Për pak më shumë se 15 minuta, Kukësi është i detyruar të luajë me 10 lojtarë, por që arriti ta mbrojë deri në fund ndeshjes, që pati shtatë minuta shtesë. Një kualifikim historik i Kukësit, por i shoqëruar edhe me shkarkimin e dy trajnerëve të Metalurgut, nga një pas çdo ndeshje: Juri Maksimovit pas ndeshjes në “Qemal Stafa” dhe Vladimir Pjatenkos në “Metalurhi”.

 Premio 200 mijë euro

 Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, u kishte bërë futbollistëve premtimin se, nëse do të kalonin Metalurgun do të merrnin 200 mijë euro. Për kalimin e turit të dytë ndaj Sarajevos, lojtarëve iu shpërnda 100 mijë euro premio nga klubi.

 Vetëm një humbje në gjashtë ndeshje

 Ecuria e Kukësit në Ligën e Europës, në aventurën e parë ndërkombëtare të tij është e jashtëzakonshme, pasi në gjashtë  ndeshje ka pësuar vetëm një humbje, kjo me Metalurgun e Donteskut. Në pesë ndeshjet e tjera ka arritur 2 fitore dhe 3 barazime. Golaverazhi 7-4. Asnjë skuadër shqiptare nuk i ka këto statistika pozitive. Kjo është një tjetër e veçantë e kuksianëve, pas kalimit të tre tureve.

  ECURIA E KUKËSIT NË EUROPË

LIGA E EUROPËS

Turi i parë

4 korrik 2013

Flora Talin–Kukësi   1-1

11 korrik 2013

Kukësi-Flora Talin   0-0

Kualifikohet Kukësi falë golit në fushë kundërshtare

Turi i dytë

18 korrik 2013

Kukësi-Sarajevo      3-2

25 korrik 2013

Sarajevo-Kukësi      0-0

Kualifikohet Kukësi me rezultatin e përgjithshëm 3-2

Turi i tretë

Dje, 1 gusht 2013

Kukësi-Metalurg D.   2-0

Dje, 8 gusht 2013

Metalurg D.-Kukësi   1-0

Kualifikohet Kukësi me rezultatin e përgjithshëm 2-1

Sot, shorti i “Play-off”-it

 Shqipëria ka për herë të parë dy ekipe në fazën “play-off” të Ligës së Europës: Skënderbeun, që vjen pas eliminimit në turin e tretë të Ligës së Kampioneve (nga Shahkter Karagandy) dhe Kukësin që, u kualifikua me Metalurg Donteskun, por me të veçantën se kanë kaluar tre ture dhe tre ekipe: Flora Talinin (Estoni), Sarajevon (Bosnjë) dhe Metalurg Donteskun (Ukrainë). Kundërshtaret e ekipeve tona do të njihen pas hedhjes së shortit ditën e sotme në selinë e UEFA-s. Gjithsesi, ato janë skuadra me emër të madh në Europë, si Totenhemi, Dinamo e Kievit, Braga, Fiorentina, Spartaku i Moskës, AZ Alkmari, Beshiktash, Salzburgu, Shtutgarti, Rubin Kazan, Sevilja, Standard Liezhi, Udineze, Sëlltik apo edhe Viktoria Plzen, etj.. Në “play-off” të Ligës së Europës shkojnë 62 skuadra, nga të cilat 29 dalin nga çiftet e turit të tretë të këtij kompeticioni, 15 janë skuadra që vijnë si humbëse dhe të eliminuara nga turi i tretë i Ligës së Kampioneve, ku këtu futet edhe Skënderbeu dhe 18 janë ekipe elitare që e nisin tanimë aventurën e tyre në Europë.

 LIGA E KAMPIONËVE PËR FEMRA

Ada humbet 3-1 me bjelloruset e Bobruihankës

 Ada e Velipojës humbi 3-1 me Bobruihanka të Bjellorusisë, në ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve në futbollin për femra, takim i zhvilluar në “Sportni Park Beltinci”, të Bjellorusisë.

Ndeshja ishte e vlefshme për grupin e 5-të, ku bëjnë pjesë edhe polaket e Unia Rasiborz dhe ZNK Pomurje e Sllovenisë. Golin e vetëm për velipojaket e shënoi Arlinda Gruda, në minutën e 76-të duke shkurtuar diferencën në 3-1. Golat për bjelloruset u shënaun nga Buzinova (32’) dhe një dopjetë e Ajilës (40’ dhe 56’). Për Adën, kjo ishte pjesëmarrja e tretë në Ligën e Kampioneve.

Në dy të parat, i humbi të gjashtë takimet duke pësuar në total 80 gola dhe shënuar vetëm 2, teksa pati humbje edhe 21-0 me qipriotët e Apolon Limasolit.

Pozicionet më të mira në vite, sipas trajnerëve. Italiani Xhani De Biazi, më rezultativi

 Shqipëria humb një vend në FIFA

 Kombëtarja Shqiptare ka zbritur një vend më poshtë në renditjen e muajt gusht nga ranglista e FIFA-s. Pas asaj ngjitje “me ashensor” të Shqipërisë, kur historikisht muajin e kaluar ka prekur vendin e 37-të për herë të parë në histori, Shqipëria tashmë renditet e 38-ta me 689 pikë. Kundërshtarët e Shqipërisë në shtator, Sllovenia ka vendnumëruar e 45-ta, derisa kombëtaret të renditura më mirë nga grupi ynë mbeten Zvicra e 15-ta që ka përparuar për një vend dhe Norvegjia e 25-ta, pozicion i njëjtë me muajin e kaluar. Ngritjen më të madhe nga grupi i Shqipërisë e ka pasur Islanda që ka përparuar për 3 vende dhe tashmë renditet e 73-ta, ndërsa Qipro është ngjitur për dy vende në krahasim me muajin korrik dhe tashmë renditet e 123-ta. Spanja vazhdoi dominimin e qartë në renditjen botërore, duke pasur 1484pikë. Në vendin e dytë është Gjermania me 1257 pikë dhe në të tretin Kolumbia me 1219 pikë. Në “Top 10” janë dhe Argjentina, Holanda, Italia, Portugalia, Kroacia, Brazili, Belgjika. Shqipëria do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Armeninë, më 14 gusht, kështu një rezultat i mirë me të do t’i jepte mundësi të ngjitej sërish.

Shqipëria, nga viti 1993, kur ka nisur edhe të aplikohet renditja e FIFA-s, është drejtuar nga 11 trajnerë: Bejkush Birçe, Neptun Bajko, Astrit Hafizi, Medin Zhega, Sulejman Demollari, Xhuzepe Dosena, Hans-Peter Brigel, Oto Bariç, Ari Han, Josip Kuzhe dhe Xhani De Biazi. Trajneri italian De Biazi ka regjistruar dhe pozicionin më të mirë, pra vendin e 37-të, të arritur në muajin korrik 2013. Për herë të parë, një renditje e FIFA-s është publikuar në gusht të vitit 1993 dhe Shqipëria ndodhej në vendin e 92-të nga 168 vende. Statistikat e mëposhtme tregojnë pozicionet më të mira që kanë arritur trajnerët dhe muajt e vitit.

Midis kujt ndodhemi në FIFA

37   Japonia        695  0

38   Shqipëria      689  -1

39   Venezuela      688  -3

Midis kujt ndodhemi në UEFA

21   Rumania        732  0

22   Shqipëria      689  -1

23   Serbia         663  0

Renditjet në vitin 2013

Janar      63

Shkurt     71

Mars       64

Prill      48

Maj        43

Qershor    38

Korrik     37

Gusht      38

 

 

Rivalët e grupit

FIFA UEFA Ekipi          Pikë +/-

15   11   Zvicra         987  +1

25   14   Norvegjia      801  +1

38   23   Shqipëria      689  -1

45   25   Sllovenia      634  0

70   35   Islanda        499  +3

123  45   Qipro          256  +2

STATISTIKAT

Renditja më e lartë

37 – korrik 2013

Renditja më e ulët

124 – gusht 1997

Zhvendosja më e mirë

23 – prill 2011

Zhvendosja më e keqe

-18 – korrik 2008

Mesatarja e renditjeve

Vendi i 87-të

RENDITJET MË TË MIRA SIPAS TRAJNERËVE

Trajneri             Vendi      Viti

Bejkush Birçe        91         tetor 1993

Neptun Bajko         87         nëntor 1995

Astrit Hafizi        79         shkurt 2000

Medin Zhega          88         tetor 2000

Sulejman Demollari   86         shtator 2001

Xhuzepe Dosena       93         tetor 2002

Hans-Peter Brigel    82         janar 2006

Oto Bariç            62         shtator 2006

Ari Han              78         janar 2009

Josip Kuzhe          50         prill 2011

Xhani De Biazi       37         korrik 2013

Femrat në vendin e 60-të

 Përveç ekipeve kombëtare të meshkujve, FIFA publikon dhe ato për femra. Kështu, skuadra e drejtuar nga Altin Rraklli renditet në vendin e 60-të, midis Sllovenisë (59) dhe Izraelit (61). Në renditjen europiane zë vendin e 31-të, po midis këtyr dy vendeve: Sllovenia (31) dhe Izraeli (33). Kjo renditje është publikuar, më 2 gusht 2012. Renditja e ardhshme do të dalë, më 13 dhjetor 2013. Në mars te këtij viti, Shqipëria e femrave renditej në vendin e 125-të.