Ky është futbolli yt, o e degjeneruara FSHF…!

471
Sigal

Adriatik Riza Dosti

Një President futbolli që së bashku me nja 10 ”trima” të tjerë të familjes e të fisit hyn në fushë e masakron një Gjyqtar të Superligës shqiptare,-rasti në Kamëz.

Banditë civilë në mes ditës me Diell e në sy të policisë së Lleshit rrahin e dhunojnë futbollistët korçarë në Fushë Krujë,-rasti përpara ndeshjes Kastrioti – Skënderbeu.

Arbitër që pa pikë personaliteti arrin deri aty sa të shajë futbollistin në fushë me fjalën ofenduese e raciste Jevg Muti, -rasti i Olsi Sokolit në ndeshjen Kastrioti – Tirana me futbollistin Majkëll N’go.

President klubi që së bashku me të birin e bodigardët e tij hyn deri në dhomat e zhveshjes e konfliktohet fizikisht me futbollistët kundërshtarë -rasti i Presidentit të Laçit dhe djalit të tij në ndeshjen në kryeqytet Tirana – Laçi

Arbitër i papërgjegjshëm si Kridens Meta që urdhërohet të mos ta mbarojë lojën pa barazuar ekipi i mikut për hir të Presidentit të FSHF, -rasti i ndeshjes Tirana – Laçi, 1-1 gol i miqve në minutën e 100-të të ndeshjes.

President klubi që përdor fëmijët e Akademisë së Luftëtarit të Gjirokastrës për t’iu bërë reklamë klubeve greke Olimpiakos e Panathinaikos!

President klubi që vendos çmime biletash në Superligë sa e si t’i doje kokrra e qejfit ,vetëm e vetëm për të penguar ardhjen në stadium të tifozëve të ekipit kundërshtar,-rasti i ndeshjes në Shkodër: Kukësi – Partizani.

President klubi që jo vetëm nuk i paguan lojtarët në kohën e duhur e sipas rregullave e kontratave zyrtare të depozituara edhe në FSHF, por edhe i kërcënon e u rreh gjoksin,-rasti i ngjarjeve të fundit tek ekipi i Flamurtarit mes Presidentit Idrizi e lojtarëve të skuadrës.

Policë të Lleshit e të Bashkive që në vend që të parandalojnë dhunën prej rrugaçëve në shkallët e stadiumeve tona e, sidomos në tribunat VIP, shkojnë e godasin e konfliktohen fizikisht me trajnerët e futbollistët në fushë e deri në dhomat e zhveshjes,-rasti pas ndeshjes Kastrioti – Tirana.

Zyrtarë, nëpunës e vëzhgues, horra e vagabondë të FSHF që shkelin në mes të ditës deri edhe normat më njerëzore e humane, siç ishte rasti i pengimit të trajnerit të Tiranës, të birit të Ali Memës së madh. Arditit, për të nderuar kujtimin e të atit të tij javën e shkuar në stadiumin “Selman Stermasi”.

Trajner, drejtor teknik e administrator të kërcënuar deri edhe me jetën e tyre në Shkodër,-raste të përsëritura disa herë që kulmuan me ngjarjet e fundit të kësaj të marte.

Dhe kulmi mbërrin kur si dikur në vitet ’50, në jugun e frikshëm të Italisë, Presidentët e Napolit e të Palermos përplaseshin fizikisht deri edhe me armë e vrisnin njëri tjetrin, model tipik ky i ndjekur të mërkurën e 3 prillit 2019 nga Presidenti i Laçit Laska, që ndjek kolegun e tij kundërshtar me makinë dhe më pas konfliktohet fizikisht e egërsisht me të ,në mes të rrugës e të sheshit,-rasti pas ndeshjes Laçi – Tirana për Kupën, kur Presidenti i KF Tirana është sulmuar e dhunuar fizikisht nga Presidenti i Laçit.

Dhe pastaj themi: Pse sulmohet Tirana e pse degjenerohet Vllaznia, pse e groposen deri dje Partizanin e pse e syrgjynosën fare Dinamon, pse po e shkatërrojnë Flamurtarin dhe pse po kërkojnë me ngulm dënimin e Skënderbeut? Pse?

Sepse Dukës e të tijve në FSHF iu ka hyrë fort në zemër për një mijë e një arsye nga ato që lexohen nga poshtë tavolinave, aksi ”futbollistik”, Kamëz- Fushë Krujë – Laç e deri në Kukësin e Gjicit që rri e rri e bën sikur ”kruhet e fërkohet” ndonjëherë, thjesht sa për të humbur gjurmët me shefin e madh të Partizanit, vëllanë e Edvinit, që nuk përton t’i përgjigjet deri edhe prej Amerike…

Dhe pastaj radha i vjen Braçes,që e do Partizanin Kampion se s’bën… Finos që kërkon kokën e Dukës e karrigen e tij, madje deri edhe vete të Gjatit fare që bën sikur dënon dhunën në futbollin shqiptar përmes ca mbledhjeve tipike të neveritshme të tij dhe, në fund ,gjithçka të paktën deri tani mbyllet me ulërimat e Shakohoxhës në Digjitalbin e Armandos: Panuçi ik! dhe Shqipëria ka kampionatin e futbollit më të bukur në Rajon!!!

Ok, ja dhe Panuçi iku, por kur do ikin këta të mësipërmit që e kanë zënë për fyti futbollin shqiptar e po i bëjnë gropën dita – ditës. Ky është problemi…!