Kur Vlora priste Partizanin e Beogradit

1221
Nga Ergys Alushi
DOSSIER/ Pas 30 viteve, skuadra e kryeqytetit serb rikthehet në Shqipëri, ja historia dhe bilanci i ndeshjeve me Flamurtarin 
Qyteti, kantier ndërtimi
Shorti përballë “Partizanit” të Beogradit vendosi në lëvizje të gjitha strukturat e pushtetit e shtetit në Vlorë, jo vetëm ato të futbollit e sportit. Direktivat ishin të qarta e të prera: “Kërkohet angazhim maksimal dhe përgatitje me përgjegjësi të madhe politike e kombëtare”.
Flamurtari segundo en todo”. Gazeta spanjolle “El mondo deportivo”. “Flamurtari i dyti në të gjitha”, ishte titulli i gazetës së njohur sportive spanjolle, në faqen 30 të saj të datës 17 qershor 1987. Në rrugët e qytetit filluan bisedat, pyetjet, hamendësimet, por edhe shqetësimet. “A do të vijnë serbët në Vlorë?”, “A do ta lejojë Partia të luhet një ndeshje e tillë?”. Tribuna e re e stadiumit “Flamurtari”, me gjithë anekset e nevojshme, shatërvani para tij dhe zgjerimi i bulevardit, ishin në qendër të punimeve natë e ditë, të cilat ndiqeshin me interes nga i gjithë qyteti dhe që duhet të përfundonin deri në ditën e ndeshjes, 16 shtator. Ndeshjen e radhës në kampionat përpara se të ndeshej me “Partizanin” e Beogradit, ekipi i Flamurtarit do ta zhvillojë në Korçë me ekipin vendas Skënderbeu. Atje do të kërkonte të qëndronte edhe “Partizani” i Beogradit, drejtuesit e të cilit ndoshta do të ishin konsultuar me ata spanjollë, pasi sipas dëshmive të kohës, kishin kërkuar të akomodohen “atje ku qëndroi vitin e kaluar Barcelona.
Për trajnerin jugosllav, Bubeqi ishte lojtari që i kishte pëlqyer më shumë. Për Vlorën dhe Shqipërinë, të gjithë lojtarët, ishin Heronj. Gëzon, jo vetëm Vlora, por e gjithë Shqipëria. Në Kosovë, thanë se u gëzuan edhe më shumë. Në Vlorë ishte kryer një tjetër akt patriotik kombëtar në Histori. Në telegramin e tij, veterani i çiklizmit shqiptar, kampion prej shumë vitesh, Bilal Agalliu shkruan: “Me fitoren mbi “Partizanin” e Beogradit, na kujtuat shpirtin heroik të patriotëve vlonjatë”.
Ishte minuta e 76-të kur Kushta bëri atë gjuajtje të mrekullueshme, portieri Omeroviç nuk mundi të fluturojë që të mund të godasë të paktën atë top të ardhur aq befas, sa për ta nxjerrë jashtë. Por qëllimi i regjimit ishte gati ta injoronte famën e ekipit, t’i përbuzte lojtarët kampionë, sepse Partia nuk lejonte që dikush të ngrihej më shumë mbi emrin e saj në popull!
Hidhet shorti i UEFA-s/ 20 korrik 1987
Ishte dita kur nëpërmjet “Sportit Popullor” u mësua për shortin e Kupave të Evropës dhe për kundërshtarin që ishte më shumë sesa një kundërshtar futbolli. Ishte viti i tretë që ekipi i futbollit Flamurtari dilte nënkampion i vendit dhe merrte pjesë në Kupat e Evropës në futboll. Por, kishte dalë edhe finalist i Kupës së Republikës, në një finale drithëruese me “Vllazninë” ku mundej 3 me 0 në Shkodër në ndeshjen e parë dhe arrinte të fitonte 3 me 0 në Vlorë në ndeshjen e kthimit deri në minutën e 76, kur Ragami do të shënonte golin që do ta shpallte Vllazninë” fituese të Kupës. Atë ditë, ndeshja e kthimit në Vlorë do të luajë në një stadium, i cili në rikonstruksion e sipër, sidomos tribuna qendrore. Dhe shorti e kishte vendosur përballë ekipit serb të “Partizanit” të Beogradit. “Flamurtari segundo en todo”. Gazeta spanjolle “El mondo deportivo”, “Flamurtari i dyti në të gjitha”, ky ishte titulli i gazetës së njohur sportive spanjolle, në faqen 30 të saj të datës 17 qershor. Vendin kryesor, veç tabelës së renditjes së kampionatit shqiptar, renditjes së golashënuesve si dhe fotografisë së ekipit të Flamurtarit, e zinte shkrimi me titull “Flamurtari i dyti në të gjitha”, dhe i shoqëruar me këtë nëntitull: “Mbeti prapa Partizanit në kampionat dhe ra përballë Vllaznisë në Kupë”, “Vendi i dytë pas Partizanit u zu nga Flamurtari, rivali më i rrezikshëm për kampionët. Këta të fundit, në fazën e parë luajtën shumë më mirë, ndërsa në të dytën pësuan një rënie të shkaktuar nga dëmtimet e elementeve kyç të ekipit. Ndër më të dalluarit “flamurtarë”, dallohet Rrapo Taho (mbrojtës i qendrës), e mbi të gjithë, Agim Bubeqi (sulmues i qendrës), i cilësuar si një nga sulmuesit më të mirë të kampionatit…”. Ndër të tjera, në shkrimin e kësaj gazete shkruhet edhe se “…Si e dhënë kurioze vlen për t’u nënvizuar se në sezonin 1985-1986, edhe Dinamo u shpall kampione, por në Gjirokastër në ndeshjen e fundit duke fituar ndaj Luftëtarit…”.
Po kush ishte “Partizani” i Beogradit?
Deri në atë vit ishte 9 herë kampion dhe 5 herë fitues i Kupës së Jugosllavisë. Kishte dalë edhe një herë në finalen e Kupave të Evropës në vitin 1966, kur ishte mundur nga “Real” i Madridit me rezultatin 2 me 1. “Partizani” i Beogradit kishte që nga viti 1983 që nuk e fitonte titullin kampion, por ashtu si edhe “Flamurtari”, në dy vitet e fundit kishte qenë aq pranë fitimit të titullit dhe e kishte humbur vetëm në fund. Renditja e kampionatit jugosllav në vitin 1986-1987 do të ishte:
Vardar 38 pikë, Partizani 37 pikë, Velezh 36 pikë, Hajduku 36 pikë, Crvena Zvezda 35 pikë, Osijek 34 pikë.
Deklarata e trajnerit të Flamurtarit, Leonidha Çurri, kur mësoi për shortin:
“Është i dyti vit që “Flamurtari”merr pjesë në kupën e UEFA-s. Vitin që shkoi shorti na vuri përpara një prove të vështirë. Na u desh të luanim me ekipin e fortë të Barcelonës. Sidoqoftë Flamurtari arriti të nxjerrë dy ndeshje të bukura. I paharruar do të mbetet sidomos takimi i parë në Vlorë, kur ne kryesonim me golin e Vasil Rucit. Por këto i takojnë së kaluarës. Shorti këtë radhë na vuri përballë “Partizanit” të Beogradit, një ekipi tjetër të njohur. Ç’është e vërteta, përgatitjet i kemi filluar sapo mbaroi kampionati kombëtar, por koha që mbetet deri në 16 shtator do të jetë një periudhë përgatitjeje intensive. Së shpejti ekipi do të shkojë në pikën klimaterike të Llogarasë, ku janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për një stërvitje sa më të rregullt të futbollistëve….”.
Çfarë thoshin vlonjatët për shortin
Lajmi në qytet u përhap si rrufe. Gazeta e vetme sportive në vend “Sporti Popullor” të hënën e datës 20 korrik 1987, u shit brenda pak minutave. Kush arriti ta blinte ishte më fatlumi, por edhe më i kërkuari nga të gjithë të tjerët. Të gjithë donin ta lexonin, ta shikonin me sytë e vet atë që dukej si e pabesueshme. Atë paradite, askush nuk e kishte mendjen për të shkuar në det. Kudo flitej për lajmin në gazetë. Flitej për “Flamurtarin” e tyre. Ishte hedhur shorti i për Kupat e Evropës. Deri këtu gjithçka ishte normale sepse pritej, por nuk pritej një kundërshtar i tillë. “Partizani” i Beogradit!!! Në rrugët e qytetit filluan bisedat, pyetjet, hamendësimet, por edhe shqetësimet. “A do të vijnë serbët në Vlorë?!”. “A do ta lejojë Partia të luhet një ndeshje e tillë?!”. Shqetësim kishte edhe në Komitetin e Partisë, ku sapo ishte mësuar për shortin dhe skuadrën kishin telefonuar drejt Tiranës, por përgjigja kishte qenë: “Ende nuk dihet asgjë, do të jemi në kontakt. Kujdes maksimal!”. Atë vit, “Flamurtari”,ashtu si edhe një vit më parë, kishte dalë nënkampion. E kishte humbur kampionatin në tre javët e fundit. Dhe e humbet përsëri në Gjirokastër, ashtu si edhe një vit më parë, kur Luftëtari i hapi portat Dinamos në Gjirokastër, e Flamurtari do të barazonte pa gola në Tiranë me 17 Nëntorin.
Shorti përballë Partizanit të Beogradit vendosi në lëvizje të gjitha strukturat e pushtetit e shtetit në Vlorë, jo vetëm ato të futbollit e sportit. Direktivat ishin të qarta e të prera: “Kërkohet angazhim maksimal dhe përgatitje me përgjegjësi të madhe politike e kombëtare!”. Në këto rrethana, ekipit të futbollit vlonjat iu krijuan të gjitha kushtet për një stërvitje të plotë e të specializuar.
Një ditë në Llogara me Flamurtarin
Me këtë titull gazetari vlonjat Perlat Vehbiu, në gazetën “Sporti Popullor” të datës 27 korrik 1987, do të përshkruante stërvitjen e ekipit në Llogara. “…Është i treti vit që futbollistët vlonjatë e nisin stërvitjen në Llogara. Pse kanë zgjedhur pikërisht këtë vend? Jo aq për bukuritë e tij, se sa për vlerat që merr stërvitja në këtë vend malor. Mjeku i ekipit Sotiraq Peto, na flet me pasion për punën e mirëfilltë mbi të cilën mbështetet stërvitja. Vendimtare është klima malore bregdetare. Trajneri Leonidha Çurri dhe ndihmësi i tij Skënder Elmazi, janë me të vërtet të preokupuar. Këto dy-tri javë të qëndrimit në Llogara, duan t’i shfrytëzojnë sa të jetë e mundur më shumë për stërvitjen. Pas vrapimit disa kilometërsh mes pyllit të gjelbër, në të përpjeta e të tatëpjeta, futbollistët nisin stërvitjen brenda fushës. Ndërsa vazhdon stërvitja, sportdashësit diskutojnë me njëri tjetrin: Ja, ai është Vasil Ruci, një nga golashënuesit më të mirë të ekipit. Pranë tij janë të rinjtë me perspektivë Vasil Ziu, Viktor Daullja e Thanas Gjyli. Ja dhe i palodhuri Latif Gjondeda, pranë tij luajnë Ferkoja e Iljadhi. Ja dhe veterani i ekipit “Mjeshtri i Sportit” Petro Ruci, Çipi e Tahoja të sigurtë. Çfarë të re do të ketë sivjet ekipi? Në fushën e stërvitjes shohim Sokol Kushtën e Eqerem Memushin. I pari ka luajtur sulmues me Partizanin në Tiranë,ndërsa i dyti si mesfushor. Por, ja tek dallojmë dhe dy futbollistë që sapo kanë ardhur nga ekipi i të rinjve, Ferkoja i ri dhe Iljadhi i ri, vëllezërit e dy futbollistëve më të vjetër me të njëjtin mbiemër. Pra, Flamurtari sivjet do të na paraqitet edhe me forca të reja”.
Vlora, kantier ndërtimi
Tribuna e re e stadiumit “Flamurtari”, me gjithe anekset e nevojshme, shatërvani para tij dhe zgjerimi i bulevardit, ishin në qendër të punimeve natë e ditë, të cilat ndiqeshin me interes nga i gjithë qyteti dhe që duhet të përfundonin deri në ditën e ndeshjes, 16 shtator. Arkitektë e inxhinierë, teknikë, zbatues, mjeshtra ndërtimi, specialistë e muratorë të thjeshtë, punuan për ditë të tëra deri në përfundimin e punimeve të caktuara. Ndërmarrja e ndërtimit “Perlat Rexhepi” mbajti peshën kryesore të punimeve, drejtor i së cilës ishte Qeverim Kushta, babai i futbollistit Sokol Kushta që do të shënonte golin e kualifikimit në Beograd, në ndeshjen e kthimit. Babë e bir që nderonin Vlorën e Shqipërinë në një përballje të tillë që i kalonte kufijtë e një ndeshje futbolli. Të shumtë ishin njerëzit që kontribuan që nga mjeshtri Vllasi Mone e deri te Mihal Mako, Kujtim Haskaj, Jorgo Vangjeli, Gëzime Dule, Vasilika Aliraj, Agush Musai, Mezan Brahimi, Ali Hyseni, Ali Mustafai e të tjerë.
Tribuna e stadiumit
Arkitekti i tribunës së re do të ishte inxhinieri Sami Canaj, së bashku me bashkautorin Agron Zeqo. 1000 vendet e tribunës u pajisën me shtresë druri, pa harruar edhe punimet që kryen specialistë të ndërmarrjes së përpunimit të drurit, në mobilimin e dhomave, si dhe kabinave të transmetimit të radios, televizionit, dhomës së shtypit, të telefonisë, etj. Jo pak, por 5000 metër kub lëvizje dherash, 600 metra kub beton arme të parapërgatitur me elementë të teknikës së re, si dhe 280 metra kub beton arme monolit në formën e themeleve, e 1500 metër katror të shtresave të derdhura me granil, pllaka mozaik mermeri, kur edhe veshjet sanitare u bënë me pllaka majolike të bardha. 
Zgjerimi i rrugës
Punëtorët e specialistët e ndërmarrjes banesa do të ishin kryesorët në zgjerimin e rrugës kryesore të qytetit, që do të ishte imazhi i qytetit, i shtetit socialist në sytë e atyre që vinin nga Beogradi. Që nga drejtori Vasillaq Ndini e deri te tekniku Petraq Kote, skrepisti Teki Dervishi, rulisti Nail Meta, e të tjerë punëtorë, do të ishin natën e ditën në rrugë për të përmbushur detyrën e ngarkuar. Përgjatë rrugës u bënë 9000 metër kub gërmime dhe transport dheu, 1200 metër kub betonime të ndryshme, 4200 metër kub mbushje me zhavorr e çakëll, 5600 metër katror shtrime me pllaka. Punuan disa brigada për përfundimin në afat e kohë rekord të rrugës. Brigada që drejtoheshin nga Isuf Ajazi, Petref Tringa, Ylli Meçaj e të tjerë.
Shatërvani “qershia mbi tortë”
Inxhinierët e specialistët e uzinës së Sodë PVC-së së bashkua me ata të elektro ujësjellësit krijuan diçka origjinale, në punët e shumta që u kryen atë kohë në Vlorë, ndërtimin e një shatërvani funksional, para stadiumit, që është edhe sot. Nisi si diçka e vogël, simbolike, por që në përfundim doli një vepër e plotë me 190 metro kub betonime, veshje me granil 970 metra katror, 160 metro katror veshje me mermer, 2.5 ton vendosje tubosh. Inxhinierët Isuf Bodo e Shpëtim Meli do të ishin në drejtimin e punimeve. 
0-0 në Korçë me Skënderbeun
Ndeshjen e radhës në kampionat përpara se të ndeshej me “Partizanin” e Beogradit, ekipi i Flamurtarit do ta zhvillojë në Korçë me ekipin vendas Skënderbeu. Ndeshja do të mbyllej në barazim pa gola. Në kronikën e ndeshjes do të shkruhej: Flamurtari me sulmuesit e njohur Vasil Ruci, Sokol Kushta, Agim Bubeqi, luajti si zakonisht, por nuk mundi të krijojë rast si ai i minutës së 31-të, kur dy gjuajtjet e njëpasnjëshme të Vasil Rrucit i priti portieri Shkurti. Gjendja e të gjithë ekipit ishte premtuese për takimin e së mërkurës, me Partizanin”e Beogradit.
Në kampin e punëtorëve
Në kampin e punëtorëve një vit më parë kishte qëndruar edhe ekipi i Barcelonës, që kishte luajtur me Flamurtarin në Turin e Parë të Kupës UEFA. Ndeshja e parë kishte përfunduar 1-1 në Vlorë, dhe ndeshja e kthimit 0-0, dhe spanjollët ishin kualifikuar me golin e minutës shtesë të shënuar në Vlorë. Atje do të kërkonte të qëndronte edhe Partizani i Beogradit, drejtuesit e të cilit ndoshta do të ishin konsultuar me ata spanjollë, pasi sipas dëshmive të kohës, kishin kërkuar të akomodohen atje ku qëndroi vitin e kaluar Barcelona. Ekipi jugosllav do të mbërrinte të martën në mbrëmje, duke kaluar mes për mes qytetit e duke shkaktuar kuriozitet, por edhe skena e këngë patriotke nga grupet e vlonjatëve në të dy anët e rrugës kryesore. Për ditë të tëra, mjediset e kampit të punëtorëve u kthyen në një kantier të vërtet pune, ku lyhej, pastrohej e meremetohej nga të gjitha anët, për të qenë sa më të mira për sytë e atyre që vinin nga Beogradi.
16 shtator 1987,Vlorë ora 16:30/ 15.000 shikues
Një ditë dhe një datë në Histori
Jo vetëm në historinë e futbollit por edhe më shumë se kaq. Në Vlorë do të vinte 11 herë kampionia e Jugosllavisë, “Partizani” i Beogradit. Në të vërtet do të vinte më shumë se një ekip futbolli. Në stadium do të ishin 15 mijë vlonjatë, shqiptarë. 15 mijë shqiptarë që këndonin këngë patriotike për Kosovën dhe heronjtë e saj. Për rregullimin e stadiumit, shatërvanin para tij dhe sistemimin e bulevardit kryesore, ishte punuar deri në agimin e ditës së ndeshjes. Flamurtari për të tretin vit radhazi ishte nënkampion i vendit. Një vit më parë kishte shkëlqyer në UEFA përballë Barcelonës. Të mërkurën Vlora ishte epiqendra e shqiptarëve. Ndeshja filloi me sulmin karakteristik të Flamurtarit, të shpejtë dhe frontal. Rastet janë të shumta, në minutën e tretë, pesë, gjashtë e deri në minutën e njëzet, kur Partizani shkon për herë të parë në portën e Arapit. Goli do të vinte në minutën e 31-të, kur Xhorxheviç nuk do t’i duronte dot presionit vlonjat dhe do të shënonte në portën e vet. Pjesa e parë mbyllet 1-0. Në pjesën e dytë do të jetë Roland Iliadhi që do të shënojë nga 15 metra golin e dytë për Flamurtarin. Ndeshja mbyllet 2-0. Për trajnerin Jugosllav, Bubeqi ishte lojtari që i kishte pëlqyer më shumë. Për Vlorën dhe Shqipërinë, të gjithë lojtarët, ishin Heronj. Gëzon jo vetëm Vlora por e gjithë Shqipëria. Në Kosovë, thanë se u gëzua edhe më shumë. Në Vlorë ishte kryer një tjetër akt patriotik kombëtar në Histori.
Formacioni vlonjat
Flamurtari: Andesti Arapi; Petro Ruci, Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Roland Iljadhi; Alfred Ferko, Alfred Ziaji (Eqerem Memushi 64’), Latif Gjondeda, Vasil Ruci (Viktor Daullja 67’); Sokol Kushta, Agim Bubeqi. Trajner: Leonidha Çurri.

Deklarata pas ndeshjes
M.Vukotiç (President i klubit Partizani)
“Mendoj se kjo është pjesa e parë e ndeshjes dhe në Beograd skuadra jonë do të luajë për t’u kualifikuar: ne kemi bindjen se mund të kualifikohemi. Por duhet të pohoj se Flamurtari është një ekip shumë i fortë dhe sot luajti shumë mirë. Në veçanti më pëlqeu lojtari juaj me numrin 10 (Bubeqi ).
F.Jusuf (Trajner i Partizanit)
“Një rezultat të tillë nuk e kam pritur edhe pse e kam ditur që Flamurtariluan një futboll të kohës. Tepër vështirë do ta kemi në Beograd për t’u kualifikuar. E kam thënë edhe më parë, ndër lojtarët tuaj më pëlqen numri 10 ( Bubeqi ) i cili në këtë takim doli fitimtarë në të gjitha dyluftimet”.
Leonidha Çurri (Ttrajner i Flamurtarit)
“Fitorja dhe veçanërisht loja e skuadrës sonë ishte e bukur. Sepse të dyja këto së bashku, treguan edhe vlerat e skuadrës sonë, mundësitë e punën tonë përgatitore për këtë ndeshje, mbi bazën e së cilës trajnerë e futbollistë do të ndërtojnë një punë më të mirë për të ardhmen”
E mërkurë 30 shtator 1987, ora 17:00, në stadiumin “Narodna Armija” Beograd.
Shikues 40.000/ Kornet 8-3
Partizan i Beogradit-Flamurtari 2-1
Flamurtari: Anesti Arapi; Petro Ruci (Eqerem Memushi 75’), Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, Roland Iljadhi; Alfred Ferko, Alfred Ziaji , Latif Gjondeda, Vasil Ruci (Vasil Ziu 51’ ); Sokol Kushta, Agim Bubeqi. Trajner: Leonidha Çurri.
Shënues: Stefanoviç 44’ (11 metërsh ), Vokrri 60‘/ Kushta 76’
“Mot i ftohtë, qiell i kthjellët, stadiumi është i rënduar nga pesha e 40 mijë shikuesve, që inkurajojnë me bindje se skuadra e tyre nuk do të bëjë tjetër veçse do të mënjanojë nga udha e suksesit Flamurtarin, nga që siç u tha në konferencën e shtypit, se: “…Partizani nuk paska bërë atë që duhej në Vlorë…”. “Ishte minuta e 76 kur Kushta bëri atë gjuajtje të mrekullueshme, portieri Omeroviç nuk mundi të fluturojë që të mund të godasë të paktën atë top të ardhur aq befas, sa për ta shtyrë përjashtë. Por topi shkundi rrjetën pas kurrizit të tij dhe gjithçka u rrënua. Partizani i Beogradit u skualifikua që në atë çast në sytë e admiruesve të tij…”. (Baku Gjoni-“Sporti Popullor”, 2 tetor 1987). Çfarë do të kishte ndodhur me ekipin e madh dhe lojtarët e atij ekipi, nëse do të eliminoheshin nga “Partizani’ i Beogradit ? Ndoshta do të ishin shpallur të gjithë tradhtarë apo armiq, e do të dënoheshin. Por edhe pse u kualifikuan dhe realizuan detyrën e madhe kombëtare, ekipin e madh, në kufi, në Han të Hotit, e prisnin kontrollet policore dhe agjentët e sigurimit të shtetit. Në kujtimet e veta, një ish-futbollist i Flamurtarit, do të kujtojë se në kufi doganierët ndaluan autobusin dhe u treguan një urdhër për kontroll nga lart. Kaq u desh, dhe pa na uruar për kualifikimin në Beograd, i zbritën nga autobusi, i zhveshën, ndërkohë që nuk harruan të çmontonin edhe sediljet. Tahos, Ziajt, Çipit, e ndonjë tjetri u morën nga një televizor, dhuratë nga kosovarët, të cilët ju kishin rezervuar një pritje madhështore, edhe pse atyre nuk u lejohej një gjë e tillë nga jugosllavët. Gjithçka ndodhte kur në Shkodër një popull i tërë priste në qendër të qytetit, që të kalonte autobusi i ekipit të madh, apo dhe në Vlorë, mijëra vlonjatë ishin përgatitur të kalonin një natë pa gjumë për të pritur heronjtë e vet. Por qëllimi i regjimit ishte gati ta injoronte famën e ekipit, ti përbuzte lojtarët kampionë, sepse Partia nuk lejonte që dikush të ngrihej më shumë mbi emrin e saj në popull.
Katër ditë pas kualifikimit në Beograd
Në Vlorë, Flamurtari-Vllaznia 2-1.
Nga e mërkura historike e Beogradit, deri të dielën e datës 4 tetor, në Vlorë vazhdonte jehona e gëzueshme e kualifikimit për në Turin e Dytë të Kupës UEFA. Stadiumi ishte mbushur si rrallë herë, ndërkohë që duartrokitje e thirrje të gjata pati për futbollistët shkodranë dhe popullin e qytetit verior, i cili ishte i pari që i priti dhe i brohoriti futbollistët e Flamurtarit pas kthimit nga Beogradi. Pjesa e parë përfundon në barazim 1-1, me sulme të shumta të Flamurtarit dhe kundërsulme të shpejta të Vllaznisë. Për vlonjatët shënon me roveshatë Vasil Ruci dhe barazon për shkodranët Rragami. Në pjesën e dytë, golin e fitores do ta shënonte mbrojtësi Çipi, pas një goditje nga këndi në minutën e 74-t.
Telegramet e urimit nga e gjithë Shqipëria për fitoren e “Flamurtarit”
Fitorja e “Flamurtarit” me “Partizanin” e Beogradit kishte krijuar një jehonë të gjerë në të gjithë vendin. Përditë, në postën e qytetit mbërrinin telegrame urimi nga e gjithë Shqipëria.
Në telegramin e tij, veterani i çiklizmit shqiptar, kampion prej shumë vitesh, Bilal Agalliu shkruan: “Me fitoren mbi “Partizanin” e Beogradit na kujtuat shpirtin heroik të patriotëve vlonjatë”.
Mësuesit e nxënësit e shkollës 8-vjeçare “1 Maj”të Fushë Arrëzit, shkruajnë: “Fitorja juaj është edhe jona. Shprehim besimin se do të arrini rezultat pozitiv dhe në takimin e kthimit”.
Komiteti i Kulturës Fizike dhe i klubit sportiv “Valbona” në Tropojë, shkruajnë kështu: “U kënaqëm shumë nga loja burrërore e ekipit të Flamurtarit që luajti siç u ka hije djemve të Vlorës. Suksese të mëtejshme dhe kualifikim”.
Komiteti i kulturës fizike, klubi sportiv “Vllaznia” dhe futbollisti veteran, mjeshtri Xhevdet Shaqiri, shkruajnë: “Ju urojmë për fitoren e merituar. Dalshi faqebardhë në takimin e dytë”.
Telegrame urime erdhën edhe nga klubi “Besa”, “10 korriku” i Gramshit, të Uzinës së Përpunimit të thellë të naftës në Ballsh, Uzina Mekanike në Qytetin Stalin (sot Kuçovë), nga sportdashësit peqinas, etj.
Sigal