Kur u shkel Kushtetuta, pse FSHF-ja mos bëjë paqe për Tiranën e Vllazninë?

602
Nga Agron KAJA
SITUATA/ Flet për gazetën “Telegraf”Agustin Kola, ish-futbollisti i skuadrës bardheblu, ndjen keqardhje edhe për shkodranët
Situata e rënduar që ka kapur dy skuadra të mëdha të Kategorisë Suiperiore, Tiranën dhe Vllazninë, natyrisht që i ka rritur ndjeshmëritë edhe të atyre figurave që kanë dhënë kontribut ndër vite tek këto skuadra. Ndoshta njeri nga më të spikaturit në këtë situatë, dhe jo vetëm është ish-sulmuesi i madh i 17 Nëntorit (sot Tirana), i cili në një intervistë për gazetën “Telegraf”, kërkon shpëtimin e tyre me ndryshime në formulën e kampionatit të Superiores. “mendoj se politika sportive duhet të mësojë nga politika e ditës në vendin tonë. Siç bënë ata ditë më parë ku prekën ligje e Kushtetutën, le të prekin edhe formulën e Kategorisë Superiore. Të mblidhen me urgjencë në FSHF dhe ta bëjnë atë me 12 apo me 14 skuadra. Ky është sugjerimi im, i cili nuk është utopi, kur bëhet fjalë që të shpëtohen vlera”, deklaroi midis të tjera Agustin Kola, në intervistën e tij në gazetën “Telegraf”.
Jeni aktiv z. Kola me komentet tuaja në median sportive, ndjeheni mirë kështu?
Pse të mos ndjehem mirë kur unë flas me pasion, flas për pasion e kërkoj që ky pasion i imi, jo vetëm që të mos keqkuptohet, por të bjerrë në veshët e duhur. Sepse kam qenë shumë kritik ndaj gjithçkaje që kam parë në këtë edicion të Kategorisë Superiore, e cila në këtë fund degjeneroi shumë me arbitrimin në Kukës.

Ndërkohë që me situatën e Tiranës sot, që është skuadra juaj e zemrës, besoj se do të keni më shumë kritika?
Nga t’ia fillosh me këtë Tiranë sot, e ku të dalësh me këtë FSHF, dje dhe sot. Jemi në një situatë që unë asnjëherë nuk e kisha menduar për Tiranën, që të jetë ajo në rrezik mbijetese. Pse jo, edhe Vllazninë nuk e kisha menduar ndonjë herë kështu, dhe e gjithë kritika ime është në adresë të atyre që i kanë çuar në këtë gjendje këto dy skuadra të mëdha.

Po kalendarin që i vendos pikërisht përballë e njëra duhet të largohet nga kategoria, ja vlen ta “kritikojmë” në këtë rast?
Çfarë ti bësh kalendarit, nuk e ka ai fajin. E thashë më sipër, fajtorë janë të gjithë ata aktorë që janë bërë faktorë në këtë gjendje. Së pari është keqmenaxhimi i klubeve, e së dyti, mendoj se kanë ndikuar shumë aleancat që kanë bërë disa skuadra në dëm të disa të tjerave, e këtu futen si të dëmtuara Tirana me Vllazninë.

Po arbitrat, mendoni se kanë ndikim në situatën e skuadrave në përgjithësi, e në veçanti për Tiranën e Vllazninë?
Natyrisht që edhe ata janë bërë faktor negativ në gjithë garën e këtij sezoni. Nuk mund të harrohen sa e sa ndeshje, të cilat nga gjykime të njëanshme, me apo pa dashje, e kanë bërë Kategorinë Superiore edhe si një pazar ku mund të arbitrosh si të duash, pa frikë fare për pasojat, faturën e të cilave e merr futbolli.

Dhe kjo javë e fundit e këtij sezoni të Superiores, si mund të përshkruhet nga ana juaj?
Është një javë shumë e rëndë, e vështirë dhe e koklavitur. Janë në ethe dy-tre skuadra të mëdha që kërkojnë mbijetesën, madje edhe Flamurtari mund të quhet në këto situata. Vetëm ekstremet e renditjes janë të qeta në këtë javë të 36-të, sepse edhe ato që kërkojnë vendet e mesit, janë në “kthetrat” e mbijetesës. Vetëm se kalendari bën diferencën, dikë e ka vendosur përballë rrezikut, e të tjerat me synime pozitive.

Cilën ndeshje e veçoni si më delikaten në këtë javë të fundit të kampionatit?
Natyrisht që Vllaznia-Tirana është e këtyre përmasave delikate, është njësoj si ajo mes Real Madridit dhe Juventusit. Të gjitha ndeshjet e tjera e kanë ndonjë mundësi për të gjykuar ndryshe, Vllaznia-Tirana është për “jetë a vdekje”.

E keni ju ndonjë sugjerim, në interes të shpëtimit për mosrënie nga Kategoria Superiore të Tiranës e Vllaznisë?
Shiko, në këtë rast mendoj se politika sportive duhet të mësojë nga politika e ditës në vendin tonë. Siç bënë ata ditë më parë ku prekën ligje e Kushtetutën, le të prekin edhe formulën e Kategorisë Superiore. Të mblidhen me urgjencë në FSHF dhe ta bëjnë atë me 12 apo me 14 skuadra. Ky është sugjerimi im, i cili nuk është utopi, kur bëhet fjalë që të shpëtohen vlera.

Po nga kategoria kanë rënë edhe skuadra të mëdha në Evropë e në Botë, por nuk është ndryshuar ndonjëherë formula e kampionatit?
Nëse e keni fjalën për Juventusin, duhet ta dimë mirë se, ai ra nga Serie A në Serie C, më shumë nga Moxhi e trukimet, ndërsa Tirana e Vllaznia kanë tjetër arsye që janë në këtë gjendje, ku pjesë ka edhe FSHF-ja me arbitrat e saj. Nuk është tabu prekja e formulës, kjo mendoj se duhej bërë që në mesin e garës, kur u pa se Korabi ra shpejt nga Kategoria Superiore dhe ndeshjet me të kishin vetëm tri pikët.
Politika sportive duhet të mësojë nga politika e ditës në vendin tonë. Siç bënë ata ditë më parë, ku prekën ligje e Kushtetutën, le të prekin edhe formulën e Kategorisë Superiore. Të mblidhen me urgjencë në FSHF dhe ta bëjnë atë me 12 apo me 14 skuadra. Ky është sugjerimi im, i cili nuk është utopi, kur bëhet fjalë që të shpëtohen vlera
NDESHJET-JAVA E 36-të
E shtunë, 27 maj 2017 
Vllaznia-Tirana 17:00
Korabi-Flamurtari 17:00
(Luhet në “Selman Stërmasi)
Luftëtari-Kukësi 17:00
Laçi-Teuta 17:00
Skënderbeu-Partizani 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Kukësi 35 75
2.Partizani 35 71
3.Skënderbeu 35 71
4.Luftëtar 35 41
5.Teuta 35 40
6.Vllaznia 35 39
7.Tirana 35 38
8.Flamurtari 35 37
9.Laçi 35 37
10.Korabi 35 13
Kategorisë së Parë
Sot, një finale për 30 mijë euro
Ndeshja finale Kamza-Lushnja do të luhet sot në orën 16:30 në stadiumin “Elbasan Arena”, ndeshje e cila do të përcaktojë ekipin kampion të Kategorisë së Parë. Të dyja ekipet synojnë ta fitojnë këtë trofe, ndërsa pritet që të ketë dyndje tifozësh në stadium, sidomos ata lushnjarë që njihen për përkrahjen maksimale ndaj ekipit të zemrës. Ekipi fitues i titullit të Kategorisë së Parë përfiton 30 milionë lekë të vjetër nga FSHF, shpërblim ky që parashikohet sipas rregullores dhe jepet nga vetë Federata.
Sigal