Kuqezinjtë kthehen në fushë, Reja nis përgatitjet kundër Francës

459
Sigal

Pas goditjes së rëndë që mori në ndeshjen kundër Andorës, kombëtarja e Shqipërisë zbriti sërish në fushë paraditen e së premtes për seancën e parë stërvitore në prag të përballjes së fundit kundër Francës në eliminatoret e Euro 2020.

Nuk ka kohë për “pengje”, pasi Edi Reja dhe të besuarit e tij janë të detyruar që kundër kampionëve të botës, në mos për të marrë pikë, por për të bërë një paraqitje dinjitoze dhe shumë ndryshe nga ajo e fundit në “Elbasan Arena”.

Trajneri italian e ndau skuadrën në dy pjesë. Lojtarët që u aktivizuan titullarë kundër Andorës u mjaftuan me ushtrime në pishinë, për të rikuperuar energjitë dhe formën fizike.

Pjesa tjetër e futbollistëve iu nënshtrua përgatitjeve në fushë sipas programit të paracaktuar. Ndryshe nga ndeshja e fundit, Reja pritet të kthehet sërish te lojtarët tashmë të konsideruar titullarë të padiskutueshëm në skuadrën kuqezi.

Kështu, Gjasula që mungoi për shkak të pezullimit e ka të sigurtë vendin e formacion, ashtu si edhe Bare e Hysaj, që e nisën përballjen ndaj Andorës si zëvendësues.Ndërkohë, vështirë që Florian Kamberi të bëjë debutimin me ngjyrat kuqezi, pasi sulmuesi i Hibernian nuk ka plotësuar ende dokumentacionin për të zbritur në fushë me kombëtaren e Shqipërisë.