Kupa josh Skënderbeun, Josa: Të mos pësojmë gol

118
Nga Kukësi te Kukësi. Skënderbeu do të ndeshet dy herë brenda pak ditësh me skuadrën veriore ndaj së cilës do të luajë një pjesë të madhe të sezonit mes Kupës e Kampionatit. Mesjava është arena e trofeut të dytë sezonal dhe kampionët kërkojnë që këtë vit të mos lëshojnë terren. Gjysmëfinalja e parë u vendos nga një gol i Pero Pejiç, por akti i dytë do të zbulojë emrin e skuadrës finaliste me korçarët, që do të kërkojnë të shënojnë të paktën një gol për të qëndruar në lojë. “Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos pësojmë gol sepse do të kemi në dispozicion 90 minuta për të shënuar. Edhe nëse rezultati do të jetë në favorin tonë nuk duhet ta lejojmë Kukësin të sulmojë. Kjo është një sfidë shumë delikate”, ka thënë Josa në konferencë për shtyp. Dëmtimet janë kryefjala e ditës në kampin e bardhekuqve, megjithëse ndaj Partizanit treguan se janë ende një grup i fortë pavarësisht mungesave. “Me mungesat jemi mësuar tashmë, por edhe ndaj Partizanit skuadra tregoi se lojtarët që mungojnë nuk ndikojnë në lojën tonë”, tregoi i pari i bankinës së bardhekuqve. Në fund, tekniku i kampionëve nuk pranon të bëjë një parashikim për këtë sfidë.
Kupa trofeu që “josh” Skënderbeun
Në një sezon me ecejake dhe ku për herë të parë në 4 vitet e fundit nuk ka qenë dominues, Skënderbeu është sërish aty për të synuar deri në fund të dy trofetë. Kampionët, që kanë qëndruar më pak se rivalët në krye të klasifikimit, nuk duken më skuadra e pathyer dhe diçka të tillë e tregojnë ndeshjet e fundit, sidomos ajo në kampionat me Apoloninë. Megjithatë formacioni i drejtuar nga Mirel Josa duket të ketë kaluar periudhën e ngërçit dhe në sprintin final të sezonit vjen më i karikuar dhe me besim në arritjen e një rezultati historik. Humbjet në Laç për kampionat dhe në sfidën e parë gjysmëfinale në Kukës duken si një kujtim i largët kjo për paraqitjen e bërë nga kampionët ndaj Partizanit dhe fitorja me Apoloninë që e kanë afruar më shumë me titullin e 5 radhazi. Por për bardhekuqtë këtë sezon është e rëndësishme të shkojnë deri në fund edhe në kupë, ku kanë një rezultat për të përmbysur. Edhe pse kanë dominuar futbollin shqiptar në 4 sezonet e fundit duhet thënë që në kupë historia për ta ka folur ndryshe, me një finale të humbur ndaj Tiranës dhe më tej me pamundësinë për të provuar shansin në një tjetër finale. Por ky sezon prandaj është i veçantë dhe pavarësisht se në Korçë kërkojnë të shkruajnë historinë me titullin e 5 kampion radhazi. Që do të thotë se kanë ndërmend të lënë pas dore edhe Kupën, duke qenë se kampionati mbetet gjithnjë i vështirë. Misioni finale nuk është i pamundur, pavarësisht se në sfidën e kthimit duhet një përmbysje diçka që tek Skënderbeu nuk ka ndodhur në vitet e fundit. Madje historia e dy viteve të fundit ka treguar që Skënderbeu është dorëzuar edhe pas barazimeve të regjistruara në ndeshjet e para. Në fillim Bylis, pas barazimit në Korçë, triumfoi në shtëpi për të kaluar në finalen e 2013. Një vit më parë ishte Flamurtari që surprizoi të gjithë në shtëpinë e “ujqërve me fitoren 0-2, që erdhi pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë në Vlorë. Por sot historia është ndryshe, pasi Skënderbeu ka ardhur deri këtu me një marsh të admirueshëm golash, 30 të shënuar dhe 5 të pësuar, duke eliminuar Flamurtarin mbajtës të trofeut.
Gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë
Laçi – Tirana ora 15:30 (0-0)
Skënderbeu – Kukësi ora 17:30 (0-1)
Kukësi: “E treta, e vërteta”
Për të fituar trofeun duhet të mposhtësh më të fortin. Për Kukësin ka ardhur ora e së vërtetës, pasi verilindorët kanë llogaritë e hapura me Skënderbeun për sfidën e kthimit të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Kampionët e dimrit, të cilët janë në elitën e futbollit shqiptar për të tretin sezon radhazi, kanë vuajtur faktin që mbi krye kanë pasur gjithmonë Skënderbeun dhe për ironi të fatit këtë fund sezoni kanë mundësinë të thyejnë hegjemoninë e kampionëve, si në kampionat, ashtu dhe në Kupë. Nëse në garën për titull mundësitë nuk janë shumë të mëdha nuk rezulton diçka e tillë në Kupë, pasi ndeshja e parë ka dhuruar një rezultat të mirë për Kukësin me fitoren minimale 1-0. Progresi i bluve nga verilindja e vendit në këtë turne është i dukshëm, pasi dy sezone më parë u eliminuan nga Laçi në gjysmëfinale. Në sezonin e kaluar humbën finalen me Flamurtarin dhe në rrjedhë logjike, për ata që besojnë tek shifrat, ky mund të konsiderohet si viti i tyre në trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend. Sigurisht që Skënderbeu, pavarësisht dominimit në futbollin shqiptar në vitet e fundit, nuk ka bërë mirë në Kupë, por për skuadrën e Artim Shaqirit ky mbetet testi i sezonit, pasi vetëm pak ditë pas sfidës së Kupës ndaj kampionëve do të vijë dhe përballja e kampionatit. Kukësi gjendet në udhëkryq në pikun sezonal dhe të gjitha rrugët drejt suksesit kalojnë nga përballja me Skënderbeun. 
Të rinjtë e Shqipërisë humbasin ndaj Bosnjes
Kombëtarja U-19 e Shqipërisë, e cila drejtohet nga Altin Lala, e ka humbur ndeshjen e saj të parë miqësore, teksa është mundur dje në Mostar nga Bosnje-Hercegovina, 0-3. Golat për boshnjakët, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Vrapçiçi”, janë shënuar nga Haliloviç në të 33’, Gojak në të 40’dhe Festiç në të 55’. Ndeshja e dytë do të zhvillohet të enjten në stadiumin “Podavala”të Gabelit në ora 15:00. Kësisoj U-19 për 2015-ën ka regjistruar 2 fitore (2-0 me Rumaninë dhe 5-0 me Greqinë), si dhe tre humbje (1-2 me Italinë dhe CR Lacio, si dhe 0-3 me Bosnje-Hercegovinën) 
Basketboll me rregullore të re
Federata Shqiptare e Basketbollit tashmë do të jetë me rregullore të re, e cila pritet të promovohet këto ditë. Ka qenë një punë e gjatë e Jorgji Shundit, ish-gjyqtarit ndërkombëtar, por njëkohësisht dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, që e ka përshtatur rregulloren shqiptare sipas kërkesave të Federatës Botërore të Basketbollit. Rregullorja e re ka dalë nga aktiviteti, ndërsa pritet që ajo shpejt të vihen në zotërim të komunitetit të basketbollit.
Flamurtari, kampionia e të rejave
Flamurtari është kampionia e të rejave në basketboll, teksa në finale ka mundur Apoloninë, 50-47. Ndërkohë tashmë në fundjavë pritet të nisin dhe play-off për të rinj, atje ku Ardhmëria Basket do të jetë përballë Apolonisë, kurse Tirana do të ketë përballë, kurse Tirana do të jetë përballë Superior Klimës. Të dyja gjysmëfinalet do të luhen më 25 prill, kurse finalja do të jetë më 26 prill, ndërsa fituese në fuqi është Vllaznia, e cila nuk është kualifikuar sivjet
Vllaznia fiton finalen e parë
Tirana dhe Vllaznia, ashtu sikurse vitin e kaluar, janë duke diskutuar titullin kampion në basketboll për meshkuj. Në ndeshjen e luajtur dje në mbrëmje në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, Vllaznia, edhe me petkun e kampionit, ka arritur të fitojë 74-65. Tashmë do të luhet ndeshja e dytë në Shkodër, ndërsa për femra sot do të luhet ndeshja e tretë mes Apolonisë e Flamurtarit në Durrës. Deri më tani janë 1-1, sepse Apolonia ka fituar në Vlorë, 63-61, kurse vlonjatet kanë fituar ndeshjen e parë 73-66.
Paskal Mers vëzhgon moshat e basketbollit
Paskal Mers, specialisti i Federatës Botërore të Basketbollit, ka qenë në një vizitë pune njëjavore në Shqipëri. Ai ka vëzhguar nga afër stërvitjen që bëhet me moshat, teksa ka qenë i pranishëm në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në Elbasan, Vlorë, Korçë e Shkodër. Dhe programi për certifikimin e trajnerëve të moshave është në kuadrin e solidaritetit olimpik dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. 
Studenti nuk dorëzohet për titullin
Studenti nuk ka ndërmend të dorëzohet, ndërsa çështjen e titullit kampion në volejboll për meshkuj e ka çuar në ndeshje të pestë. Sepse dje në mbrëmje ka fituar përsëri në sallën “Farie Hoti”përballë Tiranës, 3-1. Dy setet e para janë fituar nga djemtë 25-14 dhe 25-18. Edhe seti i tretë duket se ka qenë në duart e Studentit, por në fund, thuajse në pikët shtesë, ka fituar Tirana, 25-23. Mirëpo nuk ka pasur forcë kthese, sepse seti i katërt është fituar nga Studenti, 25-19 dhe 3-1. Tashmë pritet ndeshja e pestë për titullin kampion