Kupa e Shqipërisë merr formë, Tirana dhe Teuta fituesit e saj në not

712
Noti shqiptar ka mbyllur aktivitetin e dytë më të rëndësishëm për stinën e verës, ndërsa ka përfunduar Kupa e Shqipërisë për të rritur. Ashtu sikurse ishte parashikuar dhe një ditë më parë, Tirana dhe Teuta jo vetëm që kanë rritur rivalitetin, por dhe kanë ndarë trofetë mes tyre. Tirana për femra dhe Teuta për meshkuj kanë qenë fituesit e Kupës së Shqipërisë, ndërsa durrsakët i kanë shtuar vlerat vetes, teksa kanë pasur dhe dy sportistët më të mirë të aktivitetit. Është fjala për Nikol Merizajn, e cila do të jetë dhe përfaqësuesja e Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”, dhe Klavio Meçe. Përgjithësisht një garë e organizuar perfekte, ndonëse në fund të aktivitetit si presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, ashtu dhe sekretarja e përgjithshme e këtij institucioni Suela Haxhija kanë pasur vërejtje për gjykimin. E këto vërejtje kanë pasur të bëjnë me qëndrimin e tyre kur sportisti ishte gati për garë, ndërsa merreshin me celularin. Apo vërejtje për punën e letrave, apo të ngatërrimit të emrave. E duke qenë se më 2-3 shtator do të jetë Kampionati Kombëtar i të rriturve dhe të rinjve, që për herë të parë në Shqipëri do të bëhet me matje e tabelë elektronike, Çiraku e Haxhija i kanë tërhequr vërejtje gjykimit.

Rekordet – Në dy ditë aktivitet të Kupës së Shqipërisë janë plot 15 rekorde kombëtare, tre për të rritur dhe dymbëdhjetë për fëmijë. Vetëm dje janë thyer dhjetë dhe serinë e ka hapur Teuta për meshkuj në stafetën 4×200 metra stil i lirë me kohën 8’21”19. Për të vazhduar tek fëmijët e moshës deri në 12 vjeç, Hurbert Çurçia në 1500 metra stil i lirë ka realizuar kohën rekord 20’17”60. I njëjti notar do të realizonte rekord dhe në 800 metra stil i lirë me kohën e re 10’20”66. Ndërkohë Gresi Koxhaku, tashmë për moshat 9-10 vjeç, është përmirësuesi i dy rekordeve; 50 metra shpinë me kohën 37”78 dhe në 50 metra shpinë me kohën 36”43. Sonia Kapedani do të ishte thyese e rekordit për moshën 11-12 vjeç në 200 metra katërnotim me kohën 2’47”83. Kledi Kadiu i Teutës është thyesi i tre rekordeve; 100 metra stil i lirë me kohën 58”53, 50 metra shpinë me kohën 31”72 dhe 200 metra katërnotim me kohën 2’23”07. Ndërkohë rekordi i të rriturve ka ardhur dhe në 4×100 metra stil i përzier nga Tirana për femra me kohën 5’02”87. Në këto kushte, Kupa e Shqipërisë, e ndarë mes Tiranës dhe Teutës, ka dhënë rezultate shumë të mira. 
Rezultatet teknike të ditës së dytë të Kupës së Shqipërisë
Meshkuj
400 m katërnotim Franc Bërdaku (Teuta) 4’59”19
200 m stil i lirë Binald Mahmuti (Tirana) 1’58”36
100 m bretkosë Kavin Duraku (Nobis) 1’11”65
100 m delfin Binald Mahmuti (Tirana) 1’02”25
50 m shpinë Mishel Xhaferri (Stela) 31”03
4×200 m stil i lirë Teuta 8’21”19
800 m stil i lirë Klavio Meçe (Teuta) 8’38”83
50 m delfin Eduard Cane (Nobis) 27”39
200 m katërnotim Binald Mahmuti (Tirana) 2’18”84
50 m stil i lirë Eduard Cane (Nobis) 26”68
4×100 m katërnotim Tirana 5’02”87
Si ekip: Teuta 280 pikë
Sportisti më i mirë: Klavio Meçe (Teuta) 1379 pikë FINA
Femra
400 m katërnotim Ana Liko (Nobis) 6’25”50
200 m stil i lirë Nikol Merizaj (Teuta) 2’12”72
100 m bretkosë Sonia Kapedani (Stela) 1’25”30
100 m delfin Diana Basho (Tirana) 1’14”00
50 m shpinë Alesia Neziri (Tirana) 35”13
4×200 m stil i lirë Teuta 10’07”47
800 m stil i lirë Arsinda Dervishi (Nobis) 10’23”13
50 m delfin Gloria Ndoja (Stela) 33”31
200 m katërnotim Nikol Merizaj (Teuta) 2’31”47
50 m stil i lirë Alesia Neziri (Tirana) 29”57
4×100 m katërnotim Teuta 4’17”79
Si ekip: Tirana 188 pikë
Sportistja më e mirë: Nikol Merizaj (Teuta) 1265 pikë FINA
Drejtori i sporteve në MAS, Vladimir Gjonaj në gara
I vetmi zyrtar i sportit që ka begenisur Kupën e Shqipërisë në not për të rritur ishte drejtori i sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj. Ka qenë prezent në garat e ditës së dytë paradite dhe ka biseduar me presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, për nivelin e paraqitjes së sportistëve. Ndërkohë, ndryshe nga Kampionati i Fëmijëve, kur ka qenë prezent Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, këtë herë nuk ka ardhur askush nga institucioni olimpik.
Sigal