Kupa e Shqipërisë, goleadë e Skënderbeut, surprizon Flamurtari

455
Sigal

Ndeshjet e para tregojnë edhe një herë supremacinë e Superiores ndaj kategorive të tjera.

U luajtën dje 16 ndeshjet e turit të parë në Kupën e Shqipërisë ku vihet re fitorja në pjesën më të madhe e skuadrave të Superligës, me Skënderbeun që bëri goleadë duke mundur Himarën 10-1 e me Partizanin, Kukësi, Vllazninë, Tiranën, Teutën e Apoloninë që bënë thjeshtë detyren. Të vetmet që ngecën nga skuadrat e superiores ishin Flamurtari në një barazim pa gola ndaj Kamzës dhe Elbasani në një barazim 2-2 ndaj Shkumbinit. Kryesisht të gjitha skuadrat luajtën me formacion të dytë duke mos dashur të lodhnin futbollistët kryesorë për ndeshjet e fundjavës. Më shumë sesa goleada e Skënderbeut bie në sy barazimi i Flamurtarit, që edhe këtu nuk arrin të sigurojë fitore duke ngecur bindshëm në sulm e duke komplikuar disi situatën në kupë.Kjo ndeshje në kupë është e dyta rreshta që Flamurtari e mbyll në barazim. Ndërkohë skuadra tjetër e Superligës që nuk arriti të korrë fitore është Elbasani. Skuadra që akoma nuk ka mundur të fitojë një ndeshje në këtë sezon, qoftë në Superligë, apo edhe tani në Kupë. Elbasani mori një barazim 2-2 duke u ndalur nga Shkumbini, e me këtë rezultat duket se me të vërtetë ky Elbasan e ka shumë të vështirë për tu ngritur. Ndërkohë që Partizani mori një fitore me vlerë ndaj Ilirisë 3-0, duke e bërë kalimin në fazën tjetër pothuajse një punë të kryer. Të njëjten gjë mund të themi edhe për Vllazninë e Tiranën që fituan përkatësisht 2-0 dhe 3-0 ndaj kundërshtarëve të tyre. Paraqitje të mirë bëri edhe Apoloni që “çarmatosi” Dinamon, 13 herë kampionen e Kupës, tashmë në kategori të parë. Duket se edhe Apolonia, pavarësisht zellit që mund të kenë dinamovitët, e ka siguruar një biletë për fazën tjetër..Ndërkohë skuadrat e Kategorisë së parë si Lushnja, Tërbuni, Pogradeci e Luftëtari arritën të merrnin fitore me vlerë ndaj kundërshtarëve të tyre që do të vlejnë për ndeshjen e kthimit. Të 16-të ndeshjet e tjera do të zhvillohen me satë 22 tetor në ora 14:00.

Ndeshjet e turit të parë

Grupi A

1-Veleçiku 0–0 Besa

2-Burreli 0–1 Lushnja

3-Shkumbini 2–2 Elbasani

4-Kamza 0–0 Flamurtari

5-Iliria 0–3 Partizani

6-Himara 1–10 Skënderbeu

7-Naftëtari 0–2 Laçi
8-Tomori 1–2 Tërbuni

Grupi B
9- Vora 1-4 Kukësi

10-Luftëtari 2-1 Bylis
11-Dinamo 0-4 Apolonia
12-Ada 1-1 Kastrioti
13- Adriatiku Mamurras 0-2 Vllaznia
14-Besëlidhja 0-2 Teuta
15-Sopoti 0-3 Tirana
16-Pogradeci 2-0 Butrinti

FSHF refuzon kërkesën e homologëve serb për biletat

Dje u mblodh Komiteti Ekzekutiv pranë FSHF me kryesimin e Armand Dukës për të shqyrtuar kërkesën e homologëve serbë për zhvillimin e dy ndeshjeve kualifikuese për Euro 2016 pa tifozët miq, si në ndeshjen tonë ndaj Serbisë në Beograd edhe në ndeshjen e Serbëve ndaj nesh në Elbasan. Komiteti vendosi refuzimin e kërkesës së serbëve për një marrëveshje dypalëshe që nuk do të lejonte tifozët të shihnin ndeshjen drejtpërdrejtë në stadium. FSHF nxori deklaratën zyrtare në faqen e tyre nga ku shkruhet: ”FSHF vendosi të mos pranojë kërkesën e Federatës së Futbollit të Serbisë, për një marrëveshje bilaterale, sipas të cilës, ndeshjet Serbi – Shqipëri në Beograd dhe Shqipëri-Serbi në Elbasan të zhvillohen pa praninë e tifozëve miq. Ajo kërkon nga pala serbe, që FSHF, të pajiset me sasinë e biletave që i takojnë, konform rregullave të përcaktuara nga FIFA dhe UEFA, në mënyrë që ato t’ia shpërndajë tifozëve dhe grupimeve shqiptare, të interesuara për të ndjekur ndeshjen në Beograd. Gjithashtu ajo kërkon marrjen e masave për sigurinë e tyre në stadium dhe jashtë tij”. Këshilli Ekzekutiv shpreh bindjen se mungesa e tifozëve, jo vetëm për këtë ndeshje por për futbollin në përgjithësi, sjell një humbje shumë të madhe. Ky institucion shprehet se duhet të krijohet një frymë sa më e qetë dhe sa më bashkëpunuese mes palëve, duke shmangur konfliktet e panevojshme dhe kjo ndeshje të cilësohet thjeshtë si një lojë dhe mos të vishet me etiketime politike apo etnike. Gjithashtu në frymën e kësaj ndeshje dhe zhvillimin sa më normal të saj do të mundësohet që me datë 13 tetor 2014 të zhvillohet një ndeshje miqësore mes veteranëve serbë dhe atyre shqiptar në këtë sport.

Këtë të shtunë Superliga fillon javën e shtatë me ndeshje që sjellin “aromë” titulli

Java e shtatë e Superligës hapet me “beteja”

Superliga do lërë lodhjen e Kupës së Shqipërisë, në ndeshjet që u zhvilluan dje, për të hapur javën e shtatë të sajë me superndeshjet Partizani-Flamurtari dhe Skënderbeu-Tirana, ndeshje që do luhen për vendin e parë të renditjes. Duke parë ecurinë e skuadrave në Kupë, më e predispozuar për të fituar duket Skënderbeu që fitoi me goleadë ndaj Himarës, ndërsa Partizani dhe Tirana bënë detyrën ndaj kundërshtarëve. Ndërkohë Flamurtari e gjen veten në vështirësi, me frikën që dështimin në Kupë mund ta përcjellë edhe në Kampionat, nga ku në fakt ndeshjen e fundit e barazoi me Laçin. Ndeshja hapëse do jetë ajo e orës 17:00, me Partizani-Flamurtari, nga ku do të ndeshen mbrojtja më e mirë në kampionat me sulmin e munguar deri më tani të Flamurtarit. Fitorja është një detyrim për të dyja skuadrat ngaqë ndajnë kreun e tabelës me pikë të barabarta (11) dhe çdo tolerim do të shkaktonte humbje të pozitave të fituara. Barazimi i Flamurtarit me Laçin tregoi edhe një herë papjekurinë deri më tani të vlonjatëve, pavarësisht se kanë një grup të shkëlqyer futbollistësh në përbërje por që akoma nuk e kanë gjetur ritmin e përbashkët në lojë. Nga ana tjetër Partizani po tregon cdo javë një fytyrë të re, por më kryesorja është mbrojtja prej “hekuri” që ka lejuar vetëm dy gola deri më tani në portë. Ndeshja tjetër, ajo e orës 20, vë përballë Skënderbeun dhe Tiranën, dy skuadra që ndeshjet e fundit kanë vuajtur që të shkojnë tek rezultati pozitiv, me kryeqytetasit që kanë humbur një dhe kanë barazuar një dhe me korçarët që pavarësisht që fituan ndaj Kukësit, përsëri nuk arritën të ruanin serinë e fitoreve për tu mundur nga Teuta 2-0. Kjo ndeshje është një shans i mirë për të dyja skuadrat pasi në rast fitoreje do të mundin rivalen e drejtpërdrejtë për titull dhe sigurisht do të rikthehen tek rezultatet e mira që për Tiranën do të thotë qëndrimi në krye ndërsa për Skënderbeun rikthimi në krye të tabelës.

Të shtunën

Partizani 17:00 Flamurtari

Skënderbeu 20:00 Tirana

Nr Skuadra Nd F B H P
1 FK Tirana 6 3 2 1 11
2 KF Flamurtari 6 3 2 1 11
3 KF Partizani 6 3 2 1 11
4 KF Skënderbeu 6 3 1 2 10
5 KF Kukësi 6 3 1 2 10
6 KF Vllaznia 6 3 2 1 8
7 KF Teuta 6 2 1 3 7
8 KF Laçi 6 1 4 1 7
9 KF Apolonia 6 1 1 4 4
10 KF Elbasani 6 0 0 6 0