Kupa e Shqipërisë, futbolli kthehet në një teatër absurd

854
Sigal

Përcaktohen 16 skuadrat e turit të dytë. Luhet në anekse e fusha stërvitore dhe me lojtarë të rinj

Kupa e Shqipërisë “zbardhi” dje emrat e 16 skuadrave të turit të dytë, ku të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore kaluan pa asnjë problem. Nëse turi i parë e shndërroi kompeticonin në një “teatër në skenën e gjelbër”, ai i dytë na ofron “betejat” e vërteta, boll të kujtojmë se Partizani do të sfidojë Vllazninë, ku pas dy ndeshjeve njëra prej tyre do t’i japë lamtumirën, për t’i dhënë fund ëndrrës “Kupë”. Nga grupi A, u kualifikuan Skënderbeu, Teuta, Tirana, Laçi, Besa, Lushnja, Mamurrasi dhe Shkumbini; ndërsa nga grupi B: Kukësi, Vllaznia, Kastrioti, Bylis, Partizani, Apolonia dhe Tomori. Pra, 12 skuadrat e Kategorisë Superiore, plus katër skuadra nga Kategoria e Parë (Mamurrasi, Shkumbini, Apolonia, Tomori). Nga 16 skuadrat e kualifikuar, nëntë prej tyre e kanë fituar të paktën nga një herë trofeun, ndërkohë që e ekipi i vetëm fitues që në mungon në listë është Dinamo (13 herë fituese), që u eliminua pas dy humbjeve nga Bylisi.

SKËNDERBEU FITON 8-0

Nuk ka pasur asnjë surprizë sa u takon skuadrave të Superiores, ndërkohë që koha shtesë u nevojit në Peqin, ku Shkumbini likuidoi me golin e tretë (3-1) Burrelin, dy skuadra këto të Kategorisë së Parë. Fitoren më të thellë (8-0) e regjistroi Skënderbeu kundër Ilirisë, ku ka shënuar plot 8 herë:  katër gola realizoi Tahirllari dhe tre Kame. Goleadë ka bërë edhe Kukësi ndaj kucovarëve, teksa verilindorët e Shensojit kanë realizuar 5 herë në portën e Naftëtarit: Hoxha 13’, Progni 27’, Jonuzaj 69’, Cikalleshi 72’ dhe Bytyci 81’. Teuta nuk ka shpenzuar shumë energji, duke u mjaftuar me fitoren e pastër 2-0 ndaj Besëlidhjes.

KALON TIRANA, IKËN DINAMO

Pas një pjesë të para pa gola, Tirana i është falur pjesës së dytë. Dy gola i ka realizuar Çota dhe një Taku. Pas humbjes 1-0 në ndeshjen e parë në Patos, bardheblutë përmbysin gjithçka në kthim dhe avancojnë më tej në Kupë. Kurbinasit e Nicës e kanë mundur sërish Elbasanin, me rezultatin 2-0. Partizani ka shënuar tri herë në portën e velipojakëve të Adës, me golat e Bordon 21’, 53’, Malo 78’ (penallti),   duke u kualifikuar pa shumë probleme për në turin tjetër, ashtu sikurse ka bërë Flamurtari ndaj Gramshit, që ka luajtur në fushën e Orikumit.

NGA 4-0, NË 4-4

Tetë gola u shënuan në Kavajë, në duelin mes Besës dhe Kamzës. Katër gola në njërën portë dhe katër në portën tjetër, e kanë shndërruar këtë ndeshje në një stërvitore të vërtetë, por ajo që bie në sy është fakti se Besës udhëhiqte 4-0, për të “lejuar” më pas pësimin e katër golave nga Kamza. Luftëtari u eliminua nga Mamurrasi, që edhe pse humbi 3-2 avancoi për më tej për shkak të suksesit në ndeshjen e parë dhe golave në fushën kundërshtare. Pukjanët kanë befasuar në Fier, duke fituar 2-1, por ky rezultat nuk u ka mjaftuar atyre për t’u kualifikuar. Apolonia kalon në turin tjetër. Pesë gola në Berat, atje ku  Tomori ia ka dalë të fitojë 3-2, duke përparuar në këtë kompeticion, ndërsa Bylisi ka mundur sërish Dinamon, falë golave të Muratajt dhe Bakiut.

KUPA E SHQIPERISE

TURI I PARË ELIMINATOR,

NDESHJET E KTHIMIT

GRUPI A

SKËNDERBEU-ILIRIA   8-0  (3-1)

Golat: Tahirllari 2’, 48’, 70’, 82’, Kame 26’, 66’ 75’, Muzaka 90’

TEUTA-BESËLIDHJA  2-0  (2-1)

Golat: Mustafaj 24’, Muriqi 60’

TIRANA- ALBPETROL  3-1  (0-1)

Golat: Cota 5’, 67’, Taku 65’ / Kapo 86’

LAÇI- ELBASANI   2-0  (2-1)

Golat: Brkic 51’ (pen), Vucaj 73’

BESA-KAMZA  4-4   (2-0)

Golat: Celhaka 32’, Mile 35’, B.Krasniqi 50’, Bajaziti 61’ / Mehmeti 75’ (pen(, Blloku 77’, 87’, Keta 81’

LUSHNJA-HIMARA  3-0  (2-3)

Golat: Canka 33’, Celi 47’, Shkurti 75’

SHKUMBINI-BURRELI  3-1   (1-2)

Golat: Magani 42’, Lluca 58’ (pen), Branica 99’ / Erkocevic 47’

LUFTËTARI-MAMURRASI  3-2  (1-2)

Golat: Braho 33’ (pen), Nora 45’, Thimio 53’ / Metaj 49’, Mala 76’

GRUPI B

KUKËSI-NAFTËTARI  5-0  (1-0)

Golat: Hoxha 13’, Progni 27’, Jonuzaj 69’, Cikalleshi 72’, Bytyci 81’

FLAMURTARI-GRAMSHI   2-0  (3-0)

Golat: O.Beqiri 42’, Xhani 90+3

VLLAZNIA-VELEÇIKU  2-0  (3-0)

Golat: Vecaj 12’, Gjini 65’

KASTRIOTI-BUTRINTI  3-1  (1-1)

Golat: Fonseka (2), Malindi / Cuko

BYLISI- DINAMO  2-0  (2-0)

Golat: Murataj 20’, Bakiu 39’

PARTIZANI-ADA  3-1  (1-1)

Golat: Bordon 21’, 53’, Malo 78’ (pen) / Pelinku 68’

APOLONIA-TËRBUNI  1-2  (3-0)

Golat: Naci 60’ / Gjeqi 61’, Lila 90+3’ (pen)

TOMORI-POGRADECI  3-2   (0-0)

Golat: Ozunaj 2’, 55’, Lajthia 12’ / Alillari 42’, Pere 45’

 Në kllapa janë rezultatet e ndeshjeve të para.

  61 gola në 16 ndeshje

 Nëse në 16 ndeshjet e para të këtij turi i shënuan në total 45 gola, në ato të kthimit (thjesht stërvitore), u realizuan 61 gola, ku spikasin me nga tetë gola ndeshjet Skënderbeu-Iliria (8-0) dhe Besa-Kamza (4-4).

Turi i dytë ofron sfidën Vllaznia-Partizani

 Sipas rregullit të paracaktuar nga FSHF-ja “në secilin grup, skuadra e parë luan me skuadrën e fundit të grupit, e dyta me të parafundit e kështu me radhë). ballafaqimi kryesor i këtij “stacioni” të Kupës së Shqipërisë është ai mes Vllaznisë dhe Partizanit, por nuk mbeten pas as çiftet Tirana-Lushnja, Kastrioti-Bylis dhe Laci-Besa. Fatlumë janë Skënderbeu dhe Kukësi, që do të luajnë kundër Mamurrasit dhe Tomorit.

Grupi A

SKËNDERBEU-MAMURRASI

TEUTA-SHKUMBINI

TIRANA-LUSHNJA

LAÇI-BESA

Grupi B

KUKËSI-TOMORI

FLAMURTARI-APOLONIA

VLLAZNIA-PARTIZANI

KASTRIOTI-BYLIS

Ekipet e kategorive inferioreve e “përbuzin” Kupën, duke e parë si një “mollë të ndalueme”

 “Nuk duam të kualifikohemi!”

 Kështu mund të konsiderohet ajo që shfaqin në fushë skuadrat e kategorive inferiore, të cilat paraqiten në lojë me lojtarët e dorës së dytë, gjë që mund ishte luks vetëm për të mëdhatë. Kupa e Shqipërisë ende nuk po arrin të “gjejë” veten. Dy turet e para të kësaj gare luhen thjesht për statistikë. Bojkotimi që po i bëhet Kupës është i hapur. Skuadra që deklarojnë hapur se nuk kanë asnjë objektiv, por thjesht respektojnë garën.. Ekipet e Kategorisë së Parë paraqiten në ndeshje me lojtarë të rinj dhe se nuk kanë asnjë dëshirë për të kaluar më tej. Mungon vetëm shprehja: “Ne nuk duam të kualifikohemi”. Trajnerët dhe drejtuesit e skuadrave si Dinamo, Elbasani, Tomori, Pogradeci apo Luftëtari, që janë ekipe me emër dhe traditë, për të mos folur më pas për të tjerat si Kamza, Mamurrasi, Burreli, Besëlidhja, Tërbuni etj., deklaronin se sot do dilnin në fushë vetëm në respekt të kompeticionit.

Luhet në anekse

Kupa e Shqipërisë prej disa vitesh nuk është marrë kurrë seriozisht në këtë fazë, pasi ekipet e “vogla”, ato të kategorive inferiore mendojnë më shumë për kampionatin e tyre, sesa për Kupën, një trofe që nuk e mendojnë se do ta fitojnë përballë gjigantëve të tillë si Skënderbeu, Teuta, Vllaznia apo Partizani. Shumë nga ndeshjet e Kupës, sidomos të ekipeve të kryeqytetit janë luajtur nëpër anekse stadiumesh dhe fusha stërvitore, pa llogaritur këtu formacionet e dyta apo ekipe të rinjsh. Është e turpshme, që ndeshjet e Kupës të luhen në anekse sportive, Skënderbeu, së bashku me Ilirinë bien dakord që sfida e kthimit, që duhej të zhvillohej në Korçë, të luhet sërish në Fushë-Krujë. Partizani vendosi ta luajë me Adën ndeshjen në Yrshek. Kukësi zgjodhi kompleksin “Dinamo” për të luajtur ndaj Naftëtarit. Tirana e luajti përballjen ndaj Albpetrolit në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, ashtu sikurse bënë Apolonia, Besa dhe Teuta në anekset e stadiumeve të tyre, apo Kastrioti në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Për sa i përket vazhdimësisë, përveç Tiranës dhe deri diku Partizanit, të gjitha ekipet e tjera të Superiores thuajse e kishin siguruar kualifikimin. Megjithatë, për bardheblutë dhe të kuqtë, kupa mbetet një mundësi shumë e mirë për të kapur Europën.

Ku u luajtën ndeshjet

 Partizani-Ada        Fusha sportive Yrshek

Tirana-Albepetrol    Fusha “Skënder Halili”

Kukësi-Naftëtari          Kompleksi “Dinamo”

Kastrioti-Butrinti   Kompleksi stërvitor në Kamëz

Besa-Kamza           Aneksi i Besës

Teuta-Besëlidhja          Aneksi i Teutës

Skënderbeu-Iliria    Në Fushë-Krujë

Flamurtari-Gramshi   Në Orikum