Kupa e Shqipërisë/ Dilemat vetëm për ndeshjet e “superioreve”

442
Sigal

Rikthehet fiks pas dy javësh Kupa e Shqipërisë, me ndeshjet e kthimit të fazës së dytë nga shumë nga skuadrat e kanë garantuar kualifikimin por ka edhe nga ato që kanë lënë diçka për ndeshjet e dyta si Skënderbeu që barazoi në Pukë ndaj Tërbunit, apo edhe takimet e “superiore” në mes Elbasani-Laçi dhe Apolonia-Teuta. Ishte e pritshme që në fillim se skuadrat e Superiores nuk do të vuanin ndaj skuadrave të një kategorie më poshtë, pasi ka dallime të mëdha përsa i përket niveleve në mes tyre. Por nga të gjitha duket se surprizën në takimin e parë e bëri Skënderbeu që barazoi me Tërbunin, në një takim që dukej se të dyja skuadrat e kishin mendjen tek ndeshjet e kampionatit, sidomos korçarët që në fundjavë kishin të programuar ndeshjen ndaj Partizanit. Barazimi duket fragmental për Skënderbeun pasi nuk pritet që të bëjnë asnjë surprizë negative në fushën e tyre, pasi fitorja quhet shumë më shumë se detyrim në kampin korçar. Nga ana tjetër, Tërbuni bëri detyrën duke barazuar ndaj një prej skuadrave më në formë të momentit në Superligë, barazim që nuk i garanton asgjë por të paktën i jep shpresën që nesër të luftojnë me të vërtetë edhe për një kualifikim. Ndeshja më e rëndësishme duket ë jetë takimi mes Laçit dhe Elbasanit, takim që u mbyll në favor të laçianëve 3-2 në ndeshjen e parë. Duke parë që kemi të bëjmë me dy skuadra të Superligës, çdo rezultat në ndeshjen e kthimit është i pranueshëm, që nga kualifikimi i laçianëve e deri tek kualifikimi i Elbasanit. Më e favorizuar duket të jetë Laçi që përpos rezultatit ka edhe favorin e fushës, si një faktor plus ndaj Elbasanit. Takimi tjetër që bashkoi dy skuadra të Superligës ishte mes Teutës dhe Apolonisë, takim që në ndeshjen e parë u vu re supremacia e fierakëve vendas që vazhdojnë akoma të mbajnë denjësisht mbi shpinë emrin e “skuadrës së fushës”, duke tronditur durrsakët me dy gola. Ndeshja e kthimit, që luhet në Durrës do jetë vendimtare për të dy skuadrat dhe është një nga ndeshjet që pavarësisht rezultatit të takimit të parë, fjala e fundit do edhe shumë për tu thënë. Takimet e tjera janë më të balancuara dhe nuk priten surpriza, me të gjitha skuadrat e superiores që i kanë mbyllur ”hesapet” që në ndeshjen e parë, me Vllazninë që fitoi ndaj Kastriotit lehtësisht, duke mos e vënë asnjëherë në diskutim kualifikimin, të njëjtën gjë bëri edhe Flamurtari, skuadra që shënoi më shumë gola ndaj një kundërshtareje, me 6 të tillë. Të gjitha ndeshjet do të luhen nesër, për të mësuar më në fund edhe emrat e skuadrave që do të luajnë përsëri në fazën e tretë.

Takimet e nesërme, në kllapa rezultatet e takimeve të para

Partizani-Lushnja (1-0)

Teuta-Apolonia (1-2)

Flamurtari-Veleçiku (6-1)

Vllaznia-Kastrioti (4-0)

Skënderbeu-Tërbuni (0-0)

Laçi-Elbasani (3-2)

Kukësi-Pogradeci (2-0)

Tirana-Bylis (1-0)

Shkodran Mustafi: Ja pse nuk zgjodha të përfaqësoja Shqipërinë

Futbollisti me origjinë shqiptare, i pari shqiptar kampion bote në futboll, u shpreh se pse nuk zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë por zgjodhi Gjermaninë. Në fakt është një deklaratë shumë e sinqertë, në të cilën Mustafi tregoi realisht se zgjodhi Gjermaninë për të bërë karrierë, duke lënë mënjanë idenë që të bëhej heroi i një populli. “Nuk ishte vendim i lehtë. Shqipëria është vendi i prindërve të mi. Por unë nuk doja të bëhesha heroi i një populli, doja thjesht të bëja karrierë, të arrija diçka. Prandaj dhe u largova që 14 vjeç nga shtëpia për të luajtur me Hamburg. Prandaj u largova që 17 vjeç drejt Everton, në një vend të huaj, me gjuhë të huaj, me kulturë tjetër”. Ai ndihet më shumë shqiptar sesa gjerman nga prejardhja duke mos ngurruar të pranonte se në shtëpinë e tij flitet gjithmonë shqip, edhe pse kanë vite që ndodhen në Gjermani.