Kupa e Republikës në not starton me rekordin e parë

582
Ka startuar dje në mjediset e Akuadromit të Tiranës Kupa e Republikës në sportin e Notit, veprimtari kjo e organizuara nga Federata Shqiptare e Notit dhe Ministria e Arsimit dhe e Sportit. Në këtë veprimtari, krahas notarëve nga të gjitha qytetet e vendit, morën pjesë edhe Drejtori i Drejtorisë së Sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) Vladimir Gjoni, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit Agim Çiraku, etj. Veprimtaria dy ditore është në vazhdën e shumë veprimtarive të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të Federatës Shqiptare të Notit. Në Kupën e Republikës për sportin e Notit morën pjesë ekipet Stela, Tirana, Partizani, Nobis, Vilson, Tirana Delfin, Teuta, Saranda, Butrinti, Jon Vlora, Vllaznia, Vlora Not dhe një ekip nga Kosova që merr pjesë por është jashtë gare. 
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Sportit, pranë MAS Vladimir Gjoni tha për “Telegraf” se Federata Shqiptare e Notit shquhet për seriozitet dhe është një prej organizatave të sportit që i ka dhënë një impuls të ri notit. Natyrisht që mbështetjet nga dikasteri ynë kanë qenë modeste për këtë federatë dhe për shumë të tjera, por nuk duhet harruar investimi i madh i qeverisë për Stadiumin e Futbollit në Elbasan, Stadiumin në Shkodër dhe atë në kryeqytet. Edhe për federatën shqiptare të Notit dhe sportistët që mbledh kjo federatë është menduar një pishinë olimpike dhe moderne që të jetë me standarde evropiane. 
Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku tha se çdo eveniment në sportin e notit ka rëndësinë e vet dhe ne po bëjmë përpjekje që edhe ky sport të rritet si në masivitet ashtu edhe në cilësi. Në Kupën e Republikës marrin pjesë trembëdhjetë ekipe, të cilat kanë traditë të hershme në nor dhe që kanë grumbulluar edhe shumë rekorde kombëtare dhe ndërkombëtare. Filip Nito, një prej stafit teknik në garat e Kupës së Republikës, tha se kjo garë ka nisur mbarë me thyerjen e rekordit në stil bretkocë të mbajtur nga Patricia Cani të Partizanit në vitin 2011 me kohën 37:32, ndërsa tani kemi rekordin e ri të Nikolë Merizaj të ekipit Stela me kohën 36:37.
Sigal