Kupa dhe kampionati, gara bëhet emocionuese

605
Teksa është luajtur 75% e sezonit janë në garë 4 skuadra për titullin kampion me një diferencë prej 4 pikësh nga vendi i parë në të katërtin. Java 29-të konfirmoi me plotë kuptimin e fjalës se ky është jo vetëm kampionati, por edhe sezoni më i bukur dhe më i luftuar në 20 vitet e fundit. Gjithashtu edhe në garën për mbijetesë lufta është e hapur, pasi Apolonia ka ende shpresa. Këto sigurisht janë gjëra të thëna, por ka edhe një tjetër detaj që e bën jo vetëm kampionatin më të luftuar, por të gjithë sezonin më të bukur dhe më të luftuar. Kupa e Shqipërisë ka mbërritur në gjysmëfinale, të cilat do të diskutohen midis 4 prej 5 skuadrave më të mira të kampionatit aktual, çka i shton akoma më shumë rëndësinë këtij trofeu. Prej shumë vitesh nuk ndodh që në ndeshjen e kampionatit, që i paraprin sfidave gjysmëfinale, skuadrat të luajnë me gazin në maksimumin dhe impenjim total. Në përgjithësi në një moment të tillë trajnerët kursejnë lojtarët më të mirë, por kjo nuk ndodhi kësaj radhe. Laçi, Tirana, Kukësi dhe Skënderbeu luajtën me titullarët në sfidën e javës së 29-të për të çuar deri në fund luftën në kampionat. Sikur të mos mjaftojë kjo, në intervistat për shtyp pas ndeshjes, asnjë nga trajnerët e 4 skuadrave gjysmëfinaliste nuk guxon të kthejë vëmendjen tek Kupa. Josa dhe Cungu nuk u ndalën fare për ndeshjen e të mërkurës, Magani kërkoi të shijonte me skuadrën suksesin ndaj Flamurtarit dhe afrimin me kreun, ndërsa Shaqiri hodhi një batutë duke e cilësuar sfidën me Elbasanin si një miqësore përpara sfidës së parë me Skënderbeun. Tashmë sezoni është në sulmin final dhe në këtë periudhë të tij në të shkuarën aleancat kanë funksionuar më së miri, duke lëshuar diku për të përfituar në një vend tjetër. Për këtë arsye quajeni sezoni më i bukur dhe më i luftuar i 20 viteve të fundit, pasi jo vetëm kampionati, por edhe Kupa po dhuron emocione të forta. Nga e hëna lojtarët dhe trajnerët e 4 skuadrave gjysmëfinaliste do të mendojnë për sfidat e të mërkurës me deklaratat, apo thumbimet për kundërshtarin, për t’i shtuar akoma më shumë sharmin, jo vetëm trofeut të dytë për nga rëndësia në vend, por të gjithë sezonit të futbollit shqiptar.
Në Kukës presin Apelin
Një ndër sfidat më interesante të gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, që do të zhvillohen nesër, është përplasja e Kukësit me Skënderbeun. E thënë ndryshe, përplasja e vendit të parë në renditje me vendin e dytë, teksa diferenca mes tyre, përtej faktit që kampionët në fuqi u ndalën në Laç, duket si një finale e parakohshme. Në fakt në Kukës, edhe për shkak të vendimit të Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit një javë më parë, që e ka dënuar këtë fushë një ndeshje pa tifozë, është në pritje të vendimit të Apelit. Pa thënë që për shkak të dëborës së ditëve të fundit, e cila e ka zbardhur plotësisht fushën e stadiumit “Zeqir Imeri”, Kukësi e ka shtyrë me një ditë vajtjen në qytetin verilindor për t’u përgatitur për këtë ndeshje. Që do të thotë se edhe dje është stërvitur në fushën me bar artificial të Akademisë së futbollit Internacional në Pezë-Helmës. Për shefin e klubit të Kukësit, Jonuz Hallaçi., jo vetëm që ndeshja do të luhet në Kukës, por mbi të gjitha nuk ka alternativë tjetër për zhvillimin e takimit në një fushë tjetër. “Aktualisht në fushën e stadiumit tonë trashësia e dëborës është 20 centimetra. Bora ka nisur të shkrihet, por nëse nuk ndodh do të pastrohet me dorë nga fusha përgjatë së martës. Ne mendojmë se edhe tifozët do të na jenë të pranishëm në stadium dhe do të jenë mbështetje për skuadrën tonë. Ne krahas titullit, duam dhe Kupën”, thotë Hallaçi në emër të klubit të Kukësit, në një kohë që trajnerët e katër skuadrave duket se e kanë lënë të flasin vetëm një ditë përpara ndeshjeve të para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, të cilat do të zhvillohen nesër. 
Java e 29-të (4 prill 2015)
Elbasani – Kukësi 0-4
Vllaznia – Teuta 1-0
Laçi – Skënderbeu 1-0
Flamurtari – Tirana 1-2
Partizani – Apolonia 1-0
Renditja
Skuadra N F B H Golaverazhi P
Kukësu 29 19 4 6 47-20 61
Skënderbeu 29 18 6 5 43-14 60
Partizani 29 18 5 6 31-16 59
Tirana 29 17 6 6 37-19 57
Laçi 29 15 8 6 36-16 53
Flamurtari 29 9 7 13 23-26 34
Vllaznia 29 11 3 15 24-31 33
Teuta 29 7 2 20 25-44 23
Apolonia 29 4 4 21 9-46 16
Elbasani 29 4 1 24 15-58 13 
Dinamo edhe me Sejdinin jashtë objektivit për Superiore
Emërimi i Faruk Sejdinit në krye të Dinamos, pas dorëheqjes së Mehmetit, dha përshtyepjen se presidenca blu e kishte marrë seriozisht ngjitjen në Superiore. Kjo ide u përforcua edhe më shumë në dy javët pasuese, atje ku blutë e kryeqytetit arritën të fitonin ndaj kundërshtarëve të fortë si Sopoti dhe Butrinti, por shpresat e tifozërisë u veniten shumë shpejt me humbjen 2-1 të skuadrës në transfertë me Bylisin. Tashmë diferenca me ballshiotët dhe lushnjarët kryesues në grupin e Jugut është 10 pikë dhe nuk mund të flitet më për objektivin Superiore, aq shumë të trumbetuar gjatë tregut të lëvizjeve të futbollistëve në dimër. Sidomos kjo me mbërritjen e lojtarëve me eksperiencë si Daniel Xhafaj, Elvis Kotorri dhe Igli Allmuca. Dinamo është e destinuar të lëngojë në Kategorinë e Parë, të paktën edhe një sezon, sepse presidenca blu nuk mendon se ka ardhur momenti i duhur për të investuar energji për ngjitjen në Superiore. Gara në Grupin B të Kategorisë së Parë po zhvillohet mes Bylisit dhe Lushnjës, që kanë grumbulluar të njëjtë kuotë pikësh, 38, dhe po i fitojnë të gjitha përballjet e tyre. Në këtë grup një emër i rëndësishëm i traditës, sikurse konsiderohet Luftëtari, rrezikon seriozisht rënien në Kategorinë e Dytë, pasi renditet në vendin e fundit me të njëjtën kuotë pikësh me Naftëtarin. Në Grupin e Veriut vijon i pandalshëm rrugëtimi i Tërbuni të Pukës, që ka krijuar një diferencë prej 4 pikësh me Mamurrasin e vendit të dytë. Kalendari i sfidave të mbetura e favorizon ndjeshëm formacioni e Plorit, që, edhe nëse arrin të gabojë në një takim, sërish nuk e rrezikon vendin e parë. Në këtë grup duket se Veleçiku është i destinuar të luajë një Kategori më poshtë sezonin e ardhshëm, pasi mbetet i shkëputur në fund me 6 pikë më pak se Besa.
Eugert Zhupa, garë në Belgjikë
Eugert Zhupa, i cilësuar ndryshe “Shqiponja” e çiklizmit shqiptar, të paktën edhe sipas Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ka qenë pjesëmarrëse në një garë të zhvilluar ditët e fundit në Belgjikë. Bëhet fjalë për garën Driedagsen De Pena – Koksijde, ndërsa sipas sekretarit të përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Alfred Tahiraj, është një garë e kategorisë së dytë të Federatës Botërore të Çiklizmit. Në të kanë marrë pjesë ekipe të njohura të botës së çiklizmit si “Tim Skai”, “Etiks Kuik Stip”, “Loto Sudal”, “Astana Pro Tim”, “BMC Rasing Tim”, “Movistar Tim”, “Suthist Pro Cikling”. Dhe pikërisht në këtë skuadër është pjesëtar dhe Eugert Zhupa, i cili së bashku me Redi Halilajn do të jenë përfaqësuesit e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Evropiane në Baku, 12-28 qershor. Dhe në të tre garat e zhvilluara në Belgjikë, Zhupa ka qenë në krye të grupit, ndërsa është viti i parë që ai merr pjesë si profesionist. 
Hyqmet Shypheja, presidenti i Radioamatorizmit
Hyqmet Shypheja është presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit. Dhe kjo në përfundim të zgjedhjeve që janë bërë në këtë Federatë të shtunën në ambientet e Agjencisë së Shërbimit të Sporteve. Në të ka marrë pjesë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, ndërsa është mbajtur dhe një minutë heshtje në kujtim të ish-presidentit Miftar Fana. Ai e drejtoi Federatën Shqiptare të Radioamatorizmit për 33 vjet. Dhe deri në zgjedhjet e radhës më 2016, kjo Federatë do të drejtohet nga elbasanasi Hyqmet Shypheja, i cili ka përvojën dhe kontributin e çmuar në këtë sport. 
Sigal