Kukësi triumfon në Peqin, Shkumbini “mbytet” në shtëpi

502
Sigal

 KUPA E SHQIPËRISË/ Sot do të luajnë Skënderbeu-Kastrioti (për grupin A) dhe Teuta-Bylis (grupi B)

  Kukësi mposhti 2-0 Shkumbinin në Peqin, në ditën e katërt të çerekfinaleve, duke hedhur kështu një hap të sigurt drejt gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë, çka do të ishte një hap historik për klubin verilindor. Kuksianët e drejtuar nga Armando Cungu u shfaqën më autoritar ndaj një Shkumbini, që i ka humbur të katër ndeshjet çerekfinale në këtë kompeticion, dhe tashmë luan vetëm për të respektuar garën. Eksperienca e lojtarëve kuksianë, përfshirë dhe blerjet dimërore i dhanë një diferencë të qartë ndaj peqinasve. Kukësi e vendosi diktatin e tij qysh në minutat e para, ku sulmuesi italian Prandeli (i ardhur në merkaton e janarit) tregoi se është një blerje cilësore, së bashku edhe dy sulmuesit e tjerë kosovarin Yll Hoxha dhe tropojanin Gerhard Progni. Enkel Alikaj luan rolin e fantazistit, duke furnizuar me vertikalizimet e tij vijën e parë kuksiane. Sulmuesi beratas Vangjel Mile tenton t’i japë jetë sulmit të Shkumbinit, por djali i trajnerit Kristaq Mile, e ka të pamundur të çajë mbrojtjen kuksiane dhe të thyejë portierin Halilaj. Në minutën e 24-t, kosovari Yll Hoxha vertikalizoi një top për Gerhard Progni, por portieri i Shkumbinit, Elvis Kotorri, reagoi duke shmangur një gol të sigurt. Tri minuta më pas, në të 27’, është Yll Hoxha, ai që shënoi golin e parë për Kukësin. Kosovari lëshoi një goditje të kalibruar nga distanca, duke realizuar një gol të mrekullueshëm dhe shpërblyer epërsinë e kuksianëve në pjesën e parë. Edhe fraksioni i dytë ka të njëjtin ritëm dhe pamje, më këmbëngulës Kukësi dhe pa forcë Shkumbini. Katër minuta para mbarimit të kohës së rregullt, është sulmuesi serb Lazar Popoviç, i cili ka zënë vendin e italianit Prandeli në fillim të këtij fraksioni loje, ai që vulos gjithçka me golin e dytë, duke i dhënë kështu fitoren e tretë në katër ndeshje për Kukësin dhe e ngjitur skuadrën e tij në kuotën e nëntë pikëve. Duhet përmendur fakti se, Kukësi eliminoi në raundin e dytë Tiranën, fituesen e edicionit të fundit.

SKËNDERBEU-KASTRIOTI

 Sot, për grupin A, Lideri i kampionatit do të presë Kastriotin në Korçë, me synimin e vetëm fitoren dhe prerjen përfundimtare të biletës midis katër më të mirave të Shqipërisë në Kupë. Finalistët e humbur të edicionit të vjetshëm (humbën ndaj Tiranës) i kanë fituar të tri ndeshjet e para. Në takimin e zhvilluar në Krujë, Skënderbeu fitoi me rezultatin 2-1, ndërkohë që kanë fituar edhe me Shumbinin 4-1 dhe me Kukësin 4-2. Skënderbeu ka qenë tetë herë në gjysmëfinale dhe i ka humbur të katër finalet e luajtura. Korçarët do të luajnë kundër Kastriotit, pas turneut të Portugalisë.

 TEUTA-BYLIS

 Në grupin B, Teuta pret Bylisin. E dorëzuar në kupë, me tri humbje në po aq ndeshje në çerekfinale, prandaj ndeshje kundër Bylisit ka më shumë shije prestigji, për më tepër kjo në debutimin e trajnerit të ri, Gugash Magani. Ballshiotët, në drejtimin e kosovaro-turkut Naxhi Shensoi i kanë fituar të tri ndeshjet dhe janë favoritët kryesorë për të kaluar në gjysmëfinale. Të shtunën, Laçi mposhti 1-0 Flamurtarin, në grupin B. Golin e çmuar e shëmoi kroati Stipe Buljan në minutën e 76-të. Pas ndeshjeve të ditës së katërt, Laçi dhe Flamurtari kanë nga gjashtë pike. Gara është e hapur.

 KUPA E SHQIPËRISË

FAZA ÇEREKFINALE

GRUPI A

(03/04.02.2013)

Të dielën

Shkumbini-Kukësi 0-2

Të hënën

Skënderbeu-Kastrioti 14:00

RENDITJA

1. Skënderbeu   3    9

2. Kukësi       4    9

3. Kastrioti    3    3

4. Shkumbini    4    0

GRUPI B

(02/04.02.2013)

Të shtunën,

Laçi-Flamurtari 1-0

Të hënën

Teuta-Bylisi    14:00

RENDITJA

1. Bylis        3    9

2. Flamurtari   4    6

3. Laçi         4    6

4. Teuta        3    0

Dy ditë më parë, policia italiane e Ankonës ndaloi ish-futbollistin shqiptar, Xhulian Rrudho

 Sportistët e arrestuar për drogë

 Arrestimi në Itali, i ish-futbollistit shqiptar, Xhulian Rrudho, i shtohet një listë të gjatë të sportistëve që janë ndaluar për përdorim dhe shpërndarje droge në botë. Ish-futbollisti lushnjar i Kombëtares U-21, i rritur në Itali, ku dhe u aktivizua me Ankonën, Kievon, Sansovinën dhe Skafatezen, u arrestua nga policia italiane vetëm dy ditë më parë në Ankona, së bashku edhe me shqiptarin tjetër, Mimet Zeqirin, teksa iu gjetën 1.5 kilogram kokainë. Rrudho nuk përdorte kurrë makinën e tij, për të shpërndarë drogën, por ai përdorte linjat e autobusit për ta transportuar atë dhe shpërndarë më pas në sheshin “Ugo Basi”.

Gazeta “Telegraf” boton një speciale me disa nga sportistët që janë arrestuar dhe dënuar me burg, për përdorim droge.

Kështu, ish-futbollisti i Liverpulit, Mark Uard u dënua me tetë vjet për përdorimin e drogës. Pas përfundimit të karrierës sportive, Uard u përfshi në shpërndarjen e kokainës në Liverpul. Ai u arrestua pasi u gjet me 4 kg kokainë, në maj 2005. Në tetor 2005, ai u dënua me tetë vjet, por u lirua nga burgu i Kirkhamit, në maj të vitit 2009, pas katër vitesh burg. Darril Henri u dënua me 41 vjet burg, për trafikim kokaine dhe për tentativë për vrasjen e një gjyqtari, i cili po e gjykonte, ndërsa kishte kontraktuar vrasës profesionistë. Menaxheri i futbollit, Trevis Henri, u dënua me tre vjet për posedim droge. Futbollisti amerikan, Rajan Lif u dënua me pesë vjet për posedim droge. Eugen Morris u dënua me 20 vjet burg, për trafikim droge, por në fakt ai kreu vetëm tre vjet.

Janë shumë sportistë të bejzbollit, të cilët janë dënuar për përdorimin e drogës. Uilli Mejs Aikens u dënua në vitin 1994, me njëzet vjet burg, për shpërndarje kokaine, ndërsa ai kishte marrë pjesë edhe një larje hesapesh midis dy grupeve të trafikimit. Orlando Manuel u dënua me 10 vjet për përdorim droge, por ai bëri vetëm 10 muaj. Aleks Koul u dënua 18 muaj, për posedim droge me qëllim shpërndarje. Rikardo Xhordan u përfshi në skemën e shpërndarjes së drogës, dhe në vitin 2007 ai u dënua me shtatë vjet burg për shpërndarje droge. Deni MekLein u dënua me 12 vjet burg, ndërkohë që Darril Strauberri u dënua me 18 muaj.

Ish-basketbollisti amerikan, Isiah Rajder, u arrestua në vitin 2006, për rrëmbim, në Marin Siti të Kalifornisë, pasi futi në makinën e tij një femër pa dëshirën e asaj të fundit. Në vitin 2007, ai u arrestua për disa krime, përfshirë posedimin e kokainës. Ai u ndëshkua me shtatë muaj burg, 120 orë punë sociale dhe ndjekjen e një programi edukimi ndaj drogës. Rajder pohoi se kishte pasur probleme të mëdha me përdorimin e kokainës. Ish-basketbollisti Greg “Kadillak” Anderson u dënua me pesë muaj burg në vitin 1998, pasi u gjet me me kokainë, të cilën ai synonte ta shiste në Biloksi të Misisipit.

Ish-boksieri amerikan, Flojd Mejuidhër, i njohur për aftësitë e tij mbrojtëse dhe njohjen e tij të gjerë në sportin e boksit, është arrestuar dhe dënuar për posedim droge. Ai u dënua pesë vjet. Ish-kampioni i peshave të rënda, Tomi Morrison, ka pasur shumë raste arrestimesh, që nga arrestimi për drejtimin e makinës në gjendje të dehur, dhunën por dhe për trafikimin e drogës dhe të armëve.

Në sportin e motorëve, piloti amerikan Xhon Li Pol, u dënua me 15 vjet burg, për shkak të krimeve të ndryshme, përfshirë trafikimin e drogës dhe vrasjen e një dëshmitari federal. Në vitin 2001, ai u zhduk me varkën e tij, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet në lidhje me zhdukjen e ish-të dashurës së tij. Edhe tani ai nuk është gjendur nga autoritetet amerikane. Edhe piloti Çarls Zuosman u arrestua në vitin 2010, për zotërimin e 2 kileve hashash dhe katër armë zjarri. Ai u dënua tre vjet, por ai vdiq në burg në qelinë e tij në vitin 2011. Xhorxh Morales u dënua me 16 vjet për shpërndarje droge, ndërsa Marti Hince u dënua me 3.5 vjet. Kim Ashkenazi u dënuar gjashtë vjet për posedim kokaine.

Në artet marciale, kikbokseri australian Evangjelos Gusis u dënua për podedim droge, por dhe për vrasjen e një prostituti mashkull, Shejn Çarters-Abot. Sportisti i sumos, japonezi Vakarin Shiniki, u arrestua në vitin 1999 për përdorim të kanabasit. Sportisti i skejtbording, amerikani Kristian Hosoi, u dënua dhjetë vjet në vitin 2000, për trafikim të substancave të ndaluara, por kreu vetëm katër vjet. Bilardisti nga Amerika e Jugut, Silvino Françsiko u dënua me tre vjet burg në vitin 1997, për shkak se u arrestua për shpërndarje të kanabasit, ndërkohë që më parë ishte ndaluar për fiksim rezultatesh.

     Edhe në sportin e tenisit nuk mungojnë dënimet me burg. Kështu, Bernard Bualo u dënua në nëntor të vitit 1990, me 3 vjet, për shkak të përdorimit të drogës, drejtimit në gjendje të dehur dhe kërcënimeve. Në atë kohë, tenisti belg 30-vjeçar (sot 53 vjeç) ishte i 42-ti në renditjen botërore. Në vitin 1988, Bualo kishte deklaruar se ai e kishte përdorur heroinën thuajse çdo ditë, deri në përfundim të karrierës së tij. Dënimit, por me kusht, të shoqëruar edhe me një gjobë prej 500 mijë eurosh, nuk i shpëtoi edhe ish-tenisti i famshëm gjerman, Boris Beker. Ai i gjykua për evazion fiskal. Boris Beker ka qenë ish-numri një i Botës, ndërsa ka fituar gjashtë Grand Slam individualë dhe është fitues i medaljes së artë olimpike në çift. Ish-tenisti amerikan Rosko Taner u dënua dy vjet për vjedhje dhe falsifikim.

Sportisti i hokejit në akull, Bob Probert, u ndëshkua me 90 ditë burg për posedim droge. Një tjetër lojtar i hokejit, Stiv Durbano është në listën e dënuarve për trafikim droge. Kanadezi njihej për sjelljen e tij të keqe dhe në ambientet sportive. Ai u arrestua në vitin 1983, pak kohë pasi ishte tërhequr nga hokeji. Durbano ishte i implikuar në një skemë për importimin e një sasie kokaine me vlerë gjysmëmilioni dollarë në Kanada. Ai u dënua me shtatë vjet, dhe pas lirimit, ai arrestua edhe një herë tjetër. Vdiq nga kanceri i shpretkës në nëntor të vitit 2012.