Kukësi-Skënderbeu, finalja e parakohshme

558
Kukësi-Skënderbeu, pa i hequr rëndësinë çiftit tjetër të raundit gjysmëfinal, Tirana-Laçi, cilësohet nga të gjithë specialistët dhe sportdashësit si finalja e parakoshme e Kupës së Shqipërisë. Kukësi dhe Skënderbeu ishin binomi më i bukur i kampionatit shqiptar në dy sezonet e fundit, teksa në këtë aktualin janë sërish aty për të garuar për titullin së bashku me Partizanin dhe Tiranën. Kampionët dhe nënkampionët e vendit në dy vitet e fundit, përveçse janë në garë për të qenë në krye, shorti i ka vendosur përballë edhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Të dyja skuadrat regjistrojnë sulmin më të fortë sezonal, por mbi të gjithë qëndron Pero Pejiç. Kroati, që një vit më parë u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit me Skënderbeun, duket në të njëjtën rrugë edhe sezonin aktual. I vetëdijshëm për peshën që ka në skuadër, Pejiç vendos mbi gjithçka suksesin e skuadrës se sa atë personal. “Ndeshje e vështirë për mua, sepse Skënderbeu është ekip i mirë. Nuk e di për golat borxh që mund të kem ndaj skuadrave të mëdha, por e rëndësishme është të fitojë ekipi. Më mirë të kalojmë dhe të fitojmë Kupën se sa të shënoj unë dhe të humbasim”, thotë fillimisht Pejiç. Pejiç dhe goli janë në një marrëdhënie të shkëlqyer, por kroati ka hasur vështirësi për t’i shënuar skuadrave pretendente të sezonit. Duke përjashtuar një gol ndaj Partizanit, kroati nuk i ka shënuar ende Tiranës dhe Skënderbeut, që do ta ketë përballë në sfidat e Kupës. Ky fakt nuk duket se e shqetëson 32-vjecarin, që golin e vlerëson njësoj ndaj çdo kundërshtari duke shpresuar që në fund të fitojë dhe trofeun kryesor në vend. “Nuk kam presion. Nuk e kam problem që i shënoj Laçit dhe jo Tiranës e Skënderbeut. Për mua goli është njësoj. E rëndësishme për mua është të marrim kampionatin, pastaj gjithçka do të jetë super. Personalisht jam i lumtur, pasi kam shënuar 24 gola”. Pejiç përmend kampionatin përpara sfidës së parë gjysmëfinale të Kupës. “I pari është kampionati, pastaj do të hedhim sytë në të dyja frontet”, ka përfunduar kroati që ka luajtur në disa ekipe në vendin tonë, madje dhe duke qenë kampion me ta.
Shaqiri: Mbarojmë Skënderbeun, mendojmë Laçin
Për Artim Shaqirin, sfida e të mërkurës në “Zeqir Ymeri”, është finalja e parë e një serie përballjesh direkte që do të vendosin fatet e sezonit. Shorti i Kupës së Shqipërisë u tregua tepër kapriçioz, teksa ka vënë përballë dy skuadrat e kreut, pra Kukësin dhe Skënderbeun. “Me Skënderbeun do të luajmë finalen e parë, pasi na presin të tjera përballje po kaq të vështira. Luajmë në fushën tonë dhe shpresojmë të shfrytëzojmë këtë fakt për të marrë rezultat pozitiv”. Përplasja me skuadrën që po dominon futbollin shqiptar e kalon në plan të dytë takimin me Laçin në kampionat, për të cilin Kukësi, sipas Shaqirit, do të mendojë pas mesjavës. “Nuk mendojmë për Laçin, por për ndeshjen e Kupës më Skënderbeun. Vetëm pas mes javës do t’i kthejmë sytë te kampionati”. Ndërkoë që çdo hap fals në këtë fazë të sezonit mund të kushtojë rëndë dhe këtë e ka të qartë shqiptaro-maqedonasi. “Në këtë fazë të sezonit çdo gabim mund të kushtojë rëndë, prandaj nuk duhet të bëjmë asnjë hap fals nëse dëshirojmë t’i arrijmë objektivat”.
Skënderbeu në Kukës me shumë mungesa…
Skënderbeu është skuadra që duhet mundur, ndërsa si kampione e Shqipërisë, katër herë radhazi, asnjëherë nuk ka arritur të bëjë bis trofesh. Sepse nuk ka mundur të fitojë Kupën e Shqipërisë, ndonëse dy herë ka bërë të veten Superkupën. Gjysmëfinalja e Kupës së Shqipërisë i ka rezervuar një përplasje me Kukësin, e quajtur ndryshe vendi i parë me të dytin. Dhe për fatin e keq, Josa do të ketë mungesa. Nuk do të ketë në dispozicion dy mesfushorët e krahëve, Prognin dhe Berishën. Pa thënë Ademirin, si dhe Peter Olajinkën, i cili është i dënuar nga Disiplina. Në dispozicion do të jenë Alikaj dhe Osmani, të cilët nuk janë në formën e tyre optimale. Për Skënderbeun duket se kjo është javë vendimtare, pasi luan sot ndaj Kukësit në Kupën e Shqipërisë e të hënën me Partizanin për kampionat. Por dhe ndaj të kuqve përsëri do të ketë mungesa, sepse Nimaga është ndëshkuar me të kuqe, kurse Vangjeli e Abazi kanë plotësuar numrin tre të verdhave. Parë kështu, Skënderbeu e Josa duhet të ndërtojnë dy formacione të ndryshme për të dy ndeshjet.
Kursi UEFA B për trajnerët kosovar
Ka nisur këtë javë, në Qendrën Stërvitore në Kamëz, kursi UEFA B. E veçanta e tij është se ky kurs zhvillohet vetëm me trajnerë kosovarë. Janë gjithsej 38 specialistë futbolli të Kosovës, të cilët do të pajisen në fund të kursit me diplomat B. Për shkak të largësisë, kursi do të jetë intensiv. Ky kurs është pjesë e programit vjetor të Sektorit të Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Prej kohësh FSHF po bashkëpunon për të rritur nivelin teknik të specialistëve nga Kosova duke organizuar kurse të niveleve të ndryshme kualifikimi enkas për ta.
Tirana shpall çmimet e biletave ndaj Laçit
Tirana – Laçi është sfida tjetër gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë, ndërsa klubi i bardhebluve ka shpallur dhe çmimet e biletave. Nëse për femrat, të paktën dhe sipas bardhebluve, hyrja do të jetë falas, për të tjerët do të jenë këto çmime biletash. Tribunat A dhe B do të kushtojnë 700 dhe 500 lekë të rinj. Tribunat D1, D2, D3 300 lekë të rinj dhe C-ja, po ashtu, 300 lekë të rinj. Tifozeria mike, sipas tiranasve, do të jetë në tribunë B dhe C të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Sakaq një lajm i mirë vjen për kampin bardheblu, tashmë ka nisur stërvitjen dhe Elis Bakaj, që ka qenë i dëmtuar. 
Laçi, gati të pushtojë “Qemal Stafën”
Gjashtë autobuza do të jenë në dispozicion të tifozerisë kurbinase, të cilët presin që ta bëjnë “zjarr”sot në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”në përballjen me Tiranën. Katër autobusa janë vendosur nga kryebashkiaku i Laçit, Bardhi, kurse dy janë nga kryebashkiaku i Mamurrasit. Madje të gjithë do të nisen rreth orës 13:30 nga Laçi, kurse pjesa tjetër e tifozëve do të bashkohet në Tiranë në afërsi të Politeknikumit. Kësisoj Laçi kërkon të përsëri historinë kur ka fituar Kupën e Shqipërisë më 2013-ën ndaj Bylisit, por dhe atë të vitit 1998, teksa pat eleminuar në raundin çerekfinal Tiranën. Ndaj të gjithë kanë bërë thirrje: Äsnjë mungesë, drejt Tiranës…
Disiplina pezullon dy javë Shetën, gjobit Tiranën
Laçi duket se do të jetë pa qendërmbrojtësin e vet, Arjan Sheta, sot ndaj bardhebluve, sepse Komisioni i Disiplinës e ka pezulluar dy javë për shkak të protestave dhe ofendimeve të gjyqtarëve. Mirëpo po ky komision nuk ka harruar të gjobisë dhe Tiranën, në shumën prej 50.000 lekësh të rinj, sepse tifozeria e saj në ndeshjen me Flamurtarin në Vlorë është sjellë keq. Ndërkohë në “gijotinë”janë futuar kategoritë inferiore, atje Oliver Pepaj i Veleçikut dhe Ardian Nallbati i Bilisht Sportit, për goditje të zyrtarit të ndeshjes, janë dënuar me 14 muaj. Deri në fund të sezonit është dënuar Trifon Meraku i Bilisht Sporti, kurse me nga dy ndeshje janë dënuar Alban Bruçi i Adës, Vath Musallari i Olimpikut dhe trajneri i Veleçikut, Elis Ligataj. Po kështu Butrinti dy ndeshje do të jetë pa spektator, ndërsa katër javë e ka pësuar Ermir Llojku i Domosdovës. 
KOKSH, mirënjohje për shkollën “Pjetër Budi”
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, dhe sekretari i përgjithshëm Stavri Bello kanë dorëzuar titullin Mirënjohje për shkollën 9-vjeçare “Pjetër Budi”në të cilën më 4 mars është zhvilluar Dita Olimpike e titulluar “100 ditë drejt Bakusë 2015”. Titulli i është dorëzuar drejtorit të shkollës, ndërsa gjithçka është zhvilluar dhe në prani të nxënësvet të kësaj shkolle. Tashmë dhe me prezantimin e Paketës Nr.4 Olimpike nëpër rrethe pritet që ditët olimpike të shtrihen në të gjitha shkollat e vendit, teksa kanë për qëllim përfshirjen e nxënësve në iniciativën për t’u marrë me sport.
Sigal