Kukësi për historinë, Flamurtari për Europën

588
Sigal

 Të dielën në “Qemal Stafa” do të luhet finalja e Kupës së Shqipërisë. Trofeu vlen 50 milionë lekë

Kukësi-Flamurtari, kjo është finalja e madhe e edicionit të 62-të të Kupës së Shqipërisë. Superndeshja do të luhet të dielën në orën 18:00 në impiantin ndërkombëtar “Qemal Stafa”. Si për ironi, kjo dhe të jetë dhe finalja e fundit e një Kupë të luajtur në këtë stadium, pasi ai do të prishet. Flamurtari kërkon ta çojë në 4 numrin e trofeve të fituar në këtë kompeticion, arritje, e cila do të vlente edhe për pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Ndërsa për Kukësin që tashmë e ka siguruar Europën nëpërmjet kampionatit, fitimi i Kupës së Shqipërisë do të ishte një arritje historike në vitin e dytë në Kategorinë Superiore. Për të ardhur në finale,

Kukësi eliminoi Teutën, ndërkohë që Flamurtari shkaktoi surprizën në Korçë duke mundur 2-0 Skënderbeun dhe eliminuar kampionët e Shqipërisë. Për Flamurtarin kjo është hera e 12-të që arrin në finale (tre të fituara), ndërkohë që për Kukësin ky është një moment historik, pasi e arrin për herë të parë atë. Për herë të parë, Flamurtari ka marrë pjesë në finalet e vitit 1960 kur humbi 1-0 me Dinamon. Për herë të fundit kishte qenë në vitin 2009, kur fitoi 2-1 me Tiranën. Flamurtari e ka fituar tri herë Kupën e Shqipërisë: 1984/85 1987/88 2008/09. Finalja e Kupës së Shqipërisë Kukësi-Flamurtari pritet të jetë një spektakël i vërtetë i futbollit shqiptar jo vetëm në fushën e blertë por edhe në shkallët e stadiumit “Qemal Stafa”. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, tashmë edhe në rolin e Prefektit të Kukësit, deklaroi për mediat se do të ketë premio. “Do të ketë një premio shumë të lartë madje, në rast se fitohet kupa. Këtë e dinë lojtarët dhe stafi, pasi ne kemi dhënë premio edhe përpara se të hynim në kupë dhe ka qenë goxha e madhe. Kështu që do të jetë e njëjta edhe në rastin e marrjes së trofeut. Ndaj pres mobilizim të madh në ‘Qemal Stafa’, ashtu si në Kupat e Europës”. Të dy klubet që e dëshirojnë me çdo kusht këtë trofe po bëjnë të pamundurën që të sigurojnë mbështetjen maksimale nga tifozët e tyre, dhe për t’ia arritur këtij qëllimi kanë vënë në dispozicion mjete transportin falas për itinerarin Kukës–Tiranë dhe Vlorë-Tiranë. Vlonjatët njoftuan pak ditë se për mbështetësit kuqezi do të jenë gati 50 autobusë, teksa priten jo më pak se 2500 tifozë vlonjatë, ndërkohë që edhe Bashkia e Kukësit ka vendosur mjetë pa fund për të sjellë tifozët në Tiranë. Kukësi është zhvendosur në kompleksin “Tropikal” në Durrës, për të vijuar me përgatitjet për finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Flamurtarit. Trajneri Starova së bashku me stafin kanë kryer këtë lëvizje për shkak të kushteve që ofron ky kompleks, por në të njëjtën kohë për të ambientuar futbollistët në terrenin me bar natyral, në mënyrë që mos të krijohen probleme gjatë finales. Gjithashtu kjo lëvizje është bërë edhe për të larguar skuadrën nga vëmendja e tifozëve, pasi kërkohet përqendrim maksimal për ndeshjen e fundit të sezonit, e cila ka në mes një trofe. Nën urdhrat e trajnerit ka qenë i plotë grupi i futbollistëve, me të cilët janë bashkuar në stërvitje edhe mesfushori Musolli si dhe lojtari i krahut të majtë Hoxha. Starova ka punuar shumë në aspektin taktik me ekipin, duke i udhëzuar për mënyrën se si duhet të vendosen në fushë dhe të luajnë në finalen ndaj Flamurtarit.

10 fituesit e Kupës së Shqipërisë

 Nëse do ta fitojë Kukësin trofeun e Kupës do të hyjë në “Librin e Artë” të kompeticionit, si skuadra e 11-të që fiton një Kupë të Shqipërisë, duke u bashkuar kështu me Tiranën (15 trofe), Partizanin (15), Dinamon (13), Vllazninë (6), Flamurtarin (3), Teutën (3), Elbasanin (2), Apoloninë (1), Besën (1) dhe Laçin.

Fituesi (ende) në fuqi i kompeticionit është Laçi, që nga ana e tij mundi Bylisin (1-0) në finalen e sezonit ta kaluar. Laçjanët janë eliminuar këtë edicion nga Skënderbeu. Më shumë trofe në Kupë kanë Partizani dhe Tirana, të dyja nga 15, por të dy ekipet kryeqytetase nuk ia dolën të shkonin as në çerekfinale. Dinamo ka 13 kupa të fituara.

 5 milionë lekë

 Fituesit i Kupës do të marrë pjesë në Ligën e Europës, teksa do të përfitojë 5 milionë lekë nga FSHF-ja dhe 120 mijë euro nga UEFA për pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

BILETAT

 Federata Shqiptare e Futbollit, si organizatore e Kupës së Shqipërisë ka publikuar edhe çmimet e biletave për finalen e Kupës së Shqipërisë Kukësi–Flamurtari. Institucioni i futbollit ka vendosur që për tribunat qendrore, A dhe B, çmimi të jetë 600 lekë, ndërsa për tribunat D1 dhe D3 tifozët që kërkojnë të rezervojnë një vend në këto sektorë, bileta do të kushtojë 300 lekë. Një çmim pak më të lartë, më saktësisht 400 lekë, do të ketë tribuna D2 për faktin se ndodhet në pjesën qendrore të sektorit lindor të impiantit kryeqytetas.

Rruga e Flamurtarit për në finale

 Ecuria e suksesshme e Flamurtarit nisi më 23 tetor të vitit të ndaj Gramshit, ku fitoi 3-0 dhe 2-0. Në 1/8-at e finaleve eliminoi Tomorin me rezultatin e përgjithshëm 6-2. Në çerekfinale eliminoi Vllaznia. Pas barazimit në Shkodër, vlonjatët firuan 1-0 në Vlorë. Në gjysmëfinale ndodh surpriza, ku pas barazimit në Vlorë me Skënderbeun, djemtë e Gjokës fitojnë 2-0 në Korçë dhe arrijnë pas pesë sezonesh në finalen e Kupës së Shqipërisë. Në finale: 12 herë (1960, 1982/83, 1983/84, 1984/85, 1986/87, 1987/88, 1989/90, 1990/91, 1995/96, 1996/97, 2008/09, 2013/14). Tri herë fitues: 1984/85 1987/88 2008/09.

 Rruga e Kukësit për në finale

 Në rrugëtimin e tij, Kukësi fillimisht eliminoi Naftëtarin me rezultatin e përgjithshëm 6-0. Në 1/8-at e finaleve Kukësi gjen përballë Apoloninë, e cila fiton ndeshjen e parë në Fier 1-0. Megjithatë në kthim kuksianët nuk falin, duke fituar thellë 4-0.

Çerekfinalja ishte disi më e thjeshtë, ku Kukësi i fiton të dyja sfidat me Bylisin me shifrat e njëjta 2-1, ashtu siç edhe bëri në gjysmëfinale me Teutën, të cilën e mund dy herë, për t’u kualifikuar në finalen e 18 majit. Për Kukësin, që u eliminua sezonin e kaluar në gjysmëfinale nga Laçi, kjo është hera e parë që mbërrin një finale.

TË GJITHA FINALET E KUPËS

1939 Tirana

1948 PARTIZANI-17 Nëntori 5-2

1949 PARTIZANI-17 Nëntori 1-0

1950 DINAMO-Partizani 2-1

1951 DINAMO-Partizani 3-2

1952 DINAMO-Tirana 4-1

1953 DINAMO-Partizani 2-0

1954 DINAMO-Partizani 2-1

1957 PARTIZANI- Lokomotiva 2-0

1958 PARTIZANI-Skënderbeu 4-0

1960 DINAMO-Flamurtari 1-0

1961 PARTIZANI -Besa 1-1, 1-0

1963 TIRANA-Besa 1-0 2-3 (5-2 pen)

1964 PARTIZANI-Tomori 3-0

1965 VLLAZNIA-Skënderbeu 1-0

1966 PARTIZANI-Vllaznia 2-1, 4-3

1968 PARTIZANI-Vllaznia 4-1

1970 PARTIZANI-Vllaznia 4-0,0-1

1971 DINAMO-Besa 2-0

1972 VLLAZNIA-Besa 2-0, 0-2 (5-3 pen)

1973 PARTIZANI-Dinamo 1-0

1974 DINAMO-Partizani 1-0

1975 LABINOTI-Lokomotiva 1-0 1-0

1976 TIRANA-Skënderbeu 3-1, 1-0

1977 TIRANA-Dinamo 2-1 1-2 (8-7 pen)

1978 DINAMO-Traktori (Lushnja) 1-0

1979 VLLAZNIA-Dinamo 1-1, 2-1 (shtesë)

1980 PARTIZANI-Labinoti 1-1, 1-0

1981 VLLAZNIA-Besa 5-1 1-2

1982 DINAMO-Tirana 1-0, 2-3

1983 TIRANA-Flamurtari 1-0

1984 TIRANA-Flamurtari 2-1

1985 TIRANA-Flamurtari 2-1

1986 FLAMURTARI-Partizani 2-1

1987 VLLAZNIA-Flamurtari 3-0, 1-3

1988 FLAMURTARi-Partizani 1-0

1989 DINAMO-Partizani 0-0, 3-1

1990 DINAMO-Flamurtari 1-1 (4-2 pen)

1991 PARTIZANI-Flamurtari 1-1 (4-3 pen)

1992 ELBASANI-Besa 2-

1993 PARTIZANI-Albpetroli 1-0

1994 TIRANA-Teuta 0-0, 1-0

1995 TEUTA-Tirana 0-0 (4-3 pen)

1996 TIRANA-Flamurtari 1-1 (4-3 pen)

1997 PARTIZANI-Flamurtari 2-2 (4-3 pen)

1998 APOLONIA-Lushnja 1-0

1999 TIRANA-Vllaznia 0-0 (3-0 pen)

2000 TEUTA-Lushnja 0-0 (5-4 pen)

2001 TIRANA-Teuta 5-0

2002 TIRANA-Dinamo 1-0

2003 DINAMO-Teuta 1-0

2004 PARTIZANI-Dinamo 1-0

2005 TEUTA-Tirana 0-0 (6-5 pen)

2006 TIRANA-Vllaznia 1-0

2007 BESA-Teuta 3-2

2008 VLLAZNIA-Tirana 2-0

2009 FLAMURTARI-Tirana 2-1

2010 BESA-Vllaznia 2-1 (shtesë)

2011 TIRANA-Dinamo 1-1 (4-3 pen)

2012 TIRANA-Skënderbeu 1-0 (shtesë)

2013 LAÇI-BYLIS 1-0 (shtesë)

2014 Kukësi-Flamurtari (18 maj)

 Gëzim Krasniqi rinovon me Partizanin

 Partizani siguron edhe firmën e Gëzim Krasniqit për sezonin e ardhshëm, duke blinduar në këtë mënyrë repartin e mbrojtjes, që rezultoi “arma” më e fortë e të kuqve gjatë kampionatit që sapo u mbyll. Mbrojtësi 24-vjeçar e kishte shprehur dëshirën për ta vijuar aventurën e tij me klubin kryeqytetas dhe pas bisedimeve me drejtuesit u arrit konsensusi për rinovimin e kontratës. Krasniqi është lojtari i pestë kosovar që rinovon, pas Behar Maliqit, Nderim Nexhipit, Labinot Ibrahimit dhe Besnik Krasniqit. Partizani synon të ndërtojë një skuadër pretendente për sezonin e ardhshëm, pasi numri i lojtarëve të rikonfirmuar shkon në 9. Ertan Demiri është elementi i fundit cilësor i të kuqve që ende nuk ka rinovuar. Me boshtin e skuadrës të ruajtur, drejtuesit e Partizanit synojnë goditjet e mëdha në merkato, që kanë të bëjnë kryesisht me rikthimin e lojtarëve që kanë dhënë kontribut për fanellën e të kuqve në të kaluarën, siç janë Gjergji Muzaka, Gerhard Progni apo Erando Karabeci. Ndërkohë që synohet edhe Sokol Cikalleshi, i cili ka shënuar 17 gola me Kukësin vetëm në kampionat.