Kukësi, midis titullit dhe Kupës

603
Sigal

 Shtatë ndeshje pa humbje, trajneri Sulejman Starova ka gjetur “formulën e artë” të fitores

Sulejman Starova duket se ka gjetur “formulën e artë” të fitores. Trajneri tiranas, i cili prej dy sezonesh është instaluar në Kukës, fillimisht në rolin e drejtorit sportiv dhe tani në atë të trajnerit, i ka të gjitha shanset të hyjë në historinë e klubit verilindor. Kukësi ndodhet në vendin e dytë, me shanse të qarta për titullin kampion – ndodhet vetëm pesë pikë larg Skënderbeut kur nga kampionati kanë mbetur edhe pesë ndeshje, si dhe është  në finalen e Kupës së Shqipërisë. Starova ka fituar titullin kampion me Partizanin në sezonin 1992-1993 dhe me Tiranën në sezonin 2004-2005. “Nuk biem në eufori dhe do të qëndrojmë me ‘këmbë në tokë’, për të ruajtur serinë mjaft të mirë të 7 ndeshjeve të fundit. Për momentin mendojmë dhe stërvitemi vetëm për ndeshjen e radhës, atë me Partizanin në Tiranë”, – tha Starova pas fitores me Kastriotin. Në fakt, Kukësi është skuadra e momentit në kampionat, pasi është e vetmja që i ka fituar pesë ndeshjet e fundit. Fitorja e fundit është ajo kundër Kastrioti, kur një gol i Vilfor Hysës në minutën e fundit të kohës së rregullt i dha fitoren e shtatë radhazi Kukësit midis  kampionatit dhe Kupës, një ecuri që nisi me suksesin 2-1 ndaj Tiranës, më 16 mars. Kuksianët, të cilët u shpallën nënkampionë vitin e kaluar, ndodhen në vendin e dytë me pesë me pak se Skënderbeu kryesues dhe pesë pikë më shumë se Partizani, ndjekësi i tyre më i afërt. Kalendari i ofron Kukësit pikërisht Partizanin në javën e 29-të. Një humbje me të kuqtë do ta reduktonte në +2 pikë avantazhin, por një fitore me Partizanin do ta çonte në +8 pikë avantazhin për kuksianët, që do të saldonin kështu vendin e dytë dhe do të synonin vendin e parë, në pritje të ndonjë hapi tjetër fals të Skënderbeut. Kalendari për Kukësin: Partizani (j), Laçi (b), Skënderbeu (j), Lushnja (b) dhe Bylisi (fitore në tavolinë). Pra, një kalendar i lehtë. Kuksianët do të jenë me sy e veshë kur Partizani do të luajë me Skënderbeun në “Qemal Stafa”. Portieri Argent Halilaj, njeriu kyç në ecurinë  jashtëzakonshme të Kukësit në Ligën e Europës, ku për herë të parë një skuadër shqiptare kaloi tre ture, tha për mediat: “Morëm një fitore shumë të vështirë me Kastriotin, që luftonte për mbijetesë, por ndoshta ata nuk duhet t’i kërkonin pikët me ne me kaq ngulm. Ishte fitorja e shtatë radhazi dhe shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm. Nuk duhet të fitojmë me Partizanin për të ruajtur vendin e dytë, por për të synuar titullin kampion, që mbetet i hapur. Skënderbeu ka 5 pikë më shumë se ne, por kemi kalendar më të favorshëm”. Kupa e Shqipërisë mbetet objektivi më i arritshëm për Kukësin në këtë sezon, pasi verilindorët janë në finale me Flamurtarin, dhe duke i parë të dy ekipet, nga këndvështrimi statistikor, Kukësi është një skuadër më e mirë. Aktualisht, ka një diferencë prej +11 pikësh nga Flamurtari.

  Tre trajnerë

e kanë drejtuar Kukësin gjatë këtij sezoni: Armando Cungu, Naxhi Shensoi dhe Sulejman Starova

 Dy tituj

kampionë ka fituar Sulejman Starova në karrierën e tij: me Partizanin (1) dhe Tiranën (1)

 49 pikë

ka grumbulluar skuadra verilindore pas 28 javëve: 14 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje

NDESHJET E MBETURA

Java 29/(19 prill)

Partizani-Kukësi

Java 30/(26 prill)

Kukësi-Laçi

Java 31/(30 prill)

Skënderbeu-Kukësi

Java 32/(3 maj)

Kukësi-Lushnja

Java 33/(10 maj)

Bylis-Kukësi

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 29

E shtunë, 19 Prill

Kastrioti-Vllaznia 14:00

Skënderbeu–Besa 17:00

Tirana- Bylis 3-0*

(fitore në tavolinë)

E diel, 20 Prill

Lushnja–Flamurtari 14:00

Laci-Teuta 16:00

Partizani-Kukësi 17:00

RENDITJA

1     Skënderbeu         54

2     Kukësi         49

3     Partizani             44

4     Teuta                  42

5     Laçi                     41

6     Vllaznia       38

7     Flamurtari           38

8     Tirana          37

9     Besa                    35

10   Kastrioti             29

11   Lushnja        26

12   Bylis                   24

 Mbështetësit e Partizanit vizitë në stërvitje: “Respektoni fanellën, fitoni me Kukësin!”

  Tifozët e kuq, presion lojtarëve

 Tifozeria e kuqe ishte dje e pranishme  në stërvitjen e skuadrës. Përgjatë seancës  stërvitore të zhvilluar paradite në kompleksin “Olimpik” të Yrshek, një përfaqësi e tifozëve ka zhvilluar një takim me lojtarët në prag të sfidës të rëndësishme ndaj Kukësit e vlefshme për  javën e 29-të të Kategorisë Superiore.  Kryefjala e këtij takimi të paralajmëruar prej tyre ka qenë të motivimi i  skuadrës  për ndeshjet  e mbetura të këtij sezoni futbollistik. Përfaqësuesit e tifozerisë së kuqe në bisedën disa minutëshe që kanë zhvilluar me lojtarët u kanë kërkuar këtyre të fundit të respektojnë fanellën të cilën veshin si dhe të japin shpirtin në fushë duke filluar nga ndeshja e radhës me Kukësin, e cila rezulton përcaktuese për arritjen e objektivit primar përfaqësimin në Kupat e Europës. Njëkohësisht, tifozët kanë konfirmuar se mbështetja e tyre në stadium nuk do të mungojë ndaj ekipit madje ajo do të jetë edhe më e fuqishme në këtë fazë delikate të kampionatit. Një takim i cili është mirëpritur nga e gjithë skuadra dhe veçanërisht nga trajneri Marcio Sampaio i cili që nga koha që ka marrë drejtimin e ekipit ka fituar simpatinë e tifozerisë së kuqe. Sfida mes Partizanit dhe Kukësit do të luhet ditën e diel ne orën 17:00 në stadiumin “Qemal Stafa”.

 Tirana, me mendjen te Vllaznia

 Në javën e 29-të të Superiores, Tirana do të marrë fitoren 3-0 në tavolinë me Bylisin (të përjashtuar prej disa javësh), ndaj bardheblutë kanë nisur të mendojnë që tani për Vllazninë, që mbetet një rivale direkt për qëndrimin në Superiore. Aktualisht, Tirana ndodhet në vendin e 8-të me 35 pikë, një më shumë se Besa e vendit të 9-të. Një lajm i mirë në kampin bardheblu është rikthimi në krye të skuadrës i Gugash Maganit, i cili mungoi në fitoren me Lushnjën për shkak të një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Skënderbeu, në heshtje shtypi

 Skënderbeu është në krizë të plotë rezultatesh, edhe pse është favoriti kryesor për titullin kampion. Katër humbje radhazi, tre në kampionat dhe një në Kupën e Shqipërisë (që e nxori jashtë gare në këtë aktivitetit kampionen e Shqipërisë), janë arsye të mjaftueshme për të vendosur heshtje për shtyp në kampin korçar. Asnjë futbollist nuk duhet të komunikojë me mediat, të paktën deri të shtunën, kur do të luhet takimi me Besën. Formacioni i Mirel Josës është në një duel për titull me Kukësin, me verilindorët që kanë rikuperuar nëntë pikë vetëm në tre takimet e fundit.