Kukësi kampion edhe në merkato, por edhe në miqësoret VIP

571
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Mes Turqisë dhe Shqipërisë, skuadrat e elitës në futbollin shqiptar po numërojnë ditët e rifillimit të Kampionatit
Dimri në Shqipëri po mban si në pranverë, sa i përket edhe mundësive stërvitore të skuadrave tona të futbollit, në këtë periudhë pa veprimtari zyrtare. Duke ju referuar kryesisht skuadrave të Kategorisë Superiore, nga të cilat, më shumë kanë shtegtuar në Antalia të Turqisë, në këtë periudhë ato kanë hyrë në pikun e saj. Stërvitje, merkato dhe miqësore, kjo ka qenë “menyja” e këtyre ditëve, madje edhe për Laçin, Lushnjen e Vllazninë, të cilat nuk kanë mundur që të stërviten jashtë Shqipërisë, por në ambientet stërvitore në Durrës, Shkodër e Laç. Nëse për anën stërvitore efektet do të duken gjatë pjesës së mbetur të sezonit, në këtë periudhë të gjitha skuadrat e Superiores kanë zhvilluar edhe merkato, ku nëse i referohemi tabelës, lëvizjet janë të shumta, më pak zyrtare dhe më shumë mediatike. Edhe pse mediat sportive ndihmojnë në “zbardhjen” e emrave të afruar e të larguar, dukshëm evidentohet se skuadra kampione në fuqi, Kukësi, ka bërë më shumë merkato, dhe jo vetëm me lojtarë. Sepse pas largimit të Milinkoviç si trajner, në bankinë është ulur austriaku i njohur Peter Pakult, ndërsa drejtor teknik është vendosur Nderim Nexhipi, shqiptari nga Maqedonia që ka provuar të luajë disa vite në Superioren shqiptare. Pasi ka larguar futbollistët Rauf Alijev, Ndriçim Shtubina, Rexhep Memini, Hair Zeqiri, Millosh Kërkotiç, drejtuesit kuksianë kanë thirrur disa futbollistë cilësorë, si Donjet Shkodra, Maldin Ymeraj, Nikolas Le Dilon, Irakli Dzaria, Filip Zederiç. Ndërsa për ndeshjet miqësore VIP për Kukësin, veçohet ajo e datës 13 janar kundër Fenerbahçesë të Turqisë, ku në barazimin 2-2 pati edhe momente tensioni pas saj. Por edhe skuadrat e tjera të Kategorisë Superiore, këtu në Shqipëri dhe në përgatitjet në Antalia, kanë qenë në ritmin e kësaj periudhe me stërvitje, merkato e ndeshje miqësore. E veçanta është se thuajse të gjitha kanë rezultuar me humbje, ndërsa trajnerët e tyre kanë deklaruar se më shumë kanë parë gjendjen e skuadrës në tërësi dhe të përforcimeve të reja në veçanti. Te Skënderbeu, lajmi i fundit ishte blerja e mesfushorit durrsak Emiliano Vila, i cili sapo u divorcua nga Partizani, u përfshsi në skuadër nga trajneri Ilir Daja. Flamurtari ka operuar në pistë të huaj për merkaton, ndërsa Partizani, pasi largoi rreth 11 futbollistë, merkaton e ka zhvilluar të alternuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Edhe Kamza është aktive në këto ditë përgatitore në Turqi, ku ka publikuar edhe 8 blerje të reja futbollistësh, ndërsa Teuta, pas vendosjes së trajnerit Stavri Nica, merkaton e ka përqendruar në disa shtet, deri në Afrikë. Vllaznia duket besnike e futbollistëve vendas, ku më të veçantë janë Xhevair Sukaj e Renato Mallota, që së bashku me Ergis Mersinin e larguar nga Luftëtari, do të jenë plotësimi i boshllëqeve të lëna nga largimet e Edon Hasanit, Arsid Krujës e Çarls Atsinës.
Skuadra e Samuel Etos bën “Pazar” te Kukësi me Rrumbullakun
Në këto ditë stërvitore në Antalia të Turqisë, një nga lojtarët që ka spikatur më së shumti te Kukësi, është mbrojtësi i krahut të majtë Simo Rrumbullaku. Nga informacionet e klubit kuksian, mësohet se ai është vëzhguar në tre miqësoret, por ende nuk është bërë një ofertë zyrtare nga skuadra turke e Antaliasporit, ku aktivizohen ylli kamerunas Samuel Eto dhe mesfushori francez, Samir Nasri. Kampionët e Shqipërisë kanë fituar dy ndeshje me skuadra turke, ndërsa kanë barazuar 2-2 me gjigantët e Fenerbahçesë.
Skuadra e vetme e Kategorisë së Parë, Tirana stërvitet në Turqi
Skuadra e Tiranës ka ditë që ndodhet në Antalia, ku po kryen fazën përgatitore dimërore. Përveç stërvitjes dhe miqësoreve, lojtarët kanë gjetur kohë edhe të argëtohen në këto ditë në Turqi. Por e veçanta dje ka qenë një video e sulmuesit Ngoo, i cili është një lojtar i dalë nga akademia e Liverpulit dhe ka publikuar disa video në “Instagram”. Aty shfaqet ai dhe ekipi bardheblu duke parë në një sallë kinemaje ndeshjen Liverpul-Mançester Siti (4-3).
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-Java e 17-të
Datë 27 janar 2018 
Kamza-Laçi
Flamurtari-Partizani
Vllaznia-Kukësi
Luftëtari-Skënderbeu 
Teuta-Lushnja

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 16 37
2. Flamurtari 16 28
3. Laçi 16 27
4. Kukësi 16 25
5. Partizani 16 24
6. Kamza 16 23
7. Luftëtari 16 19
8. Teuta 16 15
9. Vllaznia 16 15
10. Lushnja 16 8

12 lëvizje
Në skuadrën e Kukësit gjatë kësaj merkatoje të dimrit, janë afruar 5 lojtarë, 1 trajner dhe 1 drejtor teknik, ndërsa janë larguar 1 trajner dhe 4 futbollistë

KUKËSI
Të larguar: Rauf Alijev, Ndriçim Shtubina, Rexhep Memini, Hair Zeqiri, Millosh Kërkotiç
Të afruar: Peter Pakult (Trajner), Nderim Nexhipi (Drejtor Teknik), Donjet Shkodra, Maldin Ymeraj, Nikolas Le Dilon, Irakli Dzaria, Filip Zederiç 
KATEGORIA SUPERIORE/ Mes Turqisë dhe Shqipërisë, skuadrat e elitës në futbollin shqiptar po numërojnë ditët e rifillimit të Kampionatit
Sigal