Kukësi gjuan Trabzonsporin, turqit i futën dhjetë gola Vllaznisë në Intertoto

504
Sigal

Në korrik të vitit 2011, në skandalin e trukimeve u arrestua presidenti i Trabzonsporit, Sadri Shener

Kukësi do të ketë përballë Trabzonsporin turk në fazën e “play-off”-it të Ligës së Europës, ndërsa Skënderbeu do të sfidojë Chernomorets Odessa, skuadrën ukrainase ku aktivizohen edhe dy lojtarë shqiptarë, Elis Bakaj dhe Kristi Vangjeli. Si futbolli turk, ashtu edhe ai ukrainas, janë shumë herë më lart se futbolli ynë, në çfarëdolloj klasifikimi dhe mbështetjeje financiare, në rang klubesh dhe kombëtaresh, ndaj pritshmëritë e shumta duhen vetëpërmbajtur. Ndeshjet e para do të luhen më 22 gusht, ndërsa ato të kthimit më 29 gusht. Korçarët dhe kuksianët i luajnë ndeshjet e parë në fushë kundërshtare. Trabzonspori nuk është një skuadër e panjohur për ambientin futbollistik shqiptar. Skuadra turke është ndeshur me Vllazninë në turin e dytë të Kupës Intertoto, në korrik të vitit 2007. Para një atmosfere te mahnitshme “alla turke”, Vllaznia e Shkodrës ka përjetuar një shkatërrim total në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës Intertoto, duke pësuar humbje të thellë 6-0 (8 korrik 2007) nga turqit e Trabzonsporit, me nga tre gola në çdo pjesë loje. Në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”, Trabzonspori fitoi 4-0 (14 korrik 2007), por ndeshjet u mbuluan me një perde dyshimi shumë të fortë për një rezultat të trukuar. Trabzonspori është themeluar në vitin 1967, që përfaqëson qytetin me të njëjtin emër. Kjo skuadër i luan ndeshjet në “Hüseyin Avni Aker Stadyumu”, me kapacitet prej 24169 vendesh. Kundërshtarët e Kukësit e kanë fituar gjashtë herë titullin kampion në Turqi, në sezonet 1983-1984, 1980-1981, 1979-1980, 1978-1979, 1976-1977, 1975-1976. Tetë herë ka fituar Kupën e Turqisë, në sezonet 2009-2010, 2003-2004, 2002-2003, 1994-1995, 1991-1992, 1983-1984, 1977-1978, 1976-1977, ndërsa Superkupën e Turqisë e ka bërë të vetën po tetë herë, në edicionet 2010-2011, 1995-1996, 1983-1984, 1980-1981, 1979-1980, 1978-1979, 1977-1978, 1976-1977. Pra, sikurse shihet, kemi të bëjmë me një skuadër me shumë trofe, me traditë dhe histori pozitive në futbollin turk. Për sezonin e ri futbollistik turk, që pritet të nisë më 16 gusht, Trabzonspori është përforcuar ndjeshëm me lojtarë cilësorë dhe me emër në skuadrat europiane. Të tillë janë: portugezi Bosingua, që ka luajtur së fundi në Angli me Celsin dhe QPR-në, apo francezi Florent Maluda, që ka luajtur po ashtu në Angli me Celsin, në 6 sezonet e shkuara.

Trabzonspori në këtë edicion

 Skuadra turke mori pjesë direkt në turin e tretë të Ligës së Europës. Trabzonspori eliminoi bjellorusët e Dinamos së Minskut. Në ndeshjen e parë, skuadra turke fitoi 1-0 në transfertë. Në takimin e dyte të luajtur në stadiumin “Huseyin Avni Aker” në Trazbon, ndeshja përfundoi në barazim pa gola.

Alban Bushi, dy sezone te Trazboni

 Trabzonspori ka pasur edhe pak shije shqiptare. Me këtë skuadër ka luajtur edhe ish-sulmuesi i njohur i kombëtares kuqezi, aktualisht drejtor teknik i saj, Alban Bushi, në vitet 2001-2003, kur ai u transferua nga Instanbulspori. Bushi ka zhvilluar 12 ndeshje me Trabzonsporin, por pa mundur të shënojë qoftë dhe një gol të vetëm. Pas largimit nga Trabzoni, Bushi luajti sërish në Turqi me Instanbulspori. Albani ka veshur në Turqi edhe fanellën e Adanasporit. Bushi ka zhvilluar në total 108 ndeshje në Turqi, duke shënuar 26 gola.

Shqiptarët e Turqisë

 Janë të paktën 11 lojtarë shqiptarë, që janë aktivizuar në Turqi midis viteve 1999 dhe deri në ditët tona. Ish-sulmuesi Alban Bushi ka luajtur midis viteve 1999-2005, duke shpenzuar gjashtë vjet në Turqi me Instanbulspor dhe Trabzonspor. Ish-mesfushori Klodian Duro është dhe lojtari shqiptar që ka veshur me shumë fanella në Turqi. Janë katër ekipe: Gallatasaraj (2002-2003), Samsunspor (2002, 9 ndeshje), Malatiaspor (2002-2003, 18 ndeshje, 3 gola) dhe Çaykur Rizespor (2004, 11 ndeshje, 1 gol). Vioresin Sinani, ish-golashënuesi i spikatur i Vllaznisë, Tiranës dhe Besës, tri herë fitues i “Këpucës së Artë” në Shqipëri, ka luajtur në Turqi me Kajserisporin në sezonin 2004-2005, duke shënuar një gol në katër aktivizimet e tij. Kështu, Lorik Cana ka luajtur me Gallatasarajin në sezonin 2010-2011, duke u aktivizuar në 24 ndeshje dhe shënuar një gol. Cana erdhi nga Sanderlendi i Anglisë dhe u transferua më pas të Lacio. Mbrojtësi Debatik Curri është aktivizuar për tre sezone me Genshlerbirlixhi (2010-2013), por paraqitjet e tij, edhe për shkak të dëmtimeve të vazhdueshme kanë qenë të pakta: vetëm 33 ndeshje. Curri mbërriti në Turqi nga ukrainasit e Vorskla Poltavës dhe u kthye po në Ukrainë, te Hoverla Uzhhorod. Ish-mesfushori i Dinamos dhe i Kombëtares shqiptare, Redi Jupi, është aktivizuar për tre sezone me Dijarbakirspor: 2003-2006, duke u paraqitur në 88 ndeshje dhe shënuar 5 gola. Shefi aktual i ekipeve kombëtare ka luajtur edhe në Kroaci me Istra Pulën dhe NK Rijekën, si dhe në Slloveni me Slavija Vevçen. Futbollisti kavajas Bekim Kuli është formuar në Turqi te Samsunspori. Kuli luajti në dy periudha: 1999-2001 (5 ndeshje, 1 gol) dhe 2003-2004 (7 ndeshje, asnjë gol). Një tjetër lojtar është mesfushori Gilman Lika, aktualisht te Al-Faisaly në Arabinë Saudite. Shkodrani u transferua nga Vllaznia në gusht të vitit 2008 tek Hacetepe (2008-2009, 24 ndeshje, 2 gola), dhe më pas luajti për Bolusporin (2009-2010, 28 ndeshje, 3 gola) duke e mbyllur me Diyarbakirsporin (2010-2011, 4 ndeshje), përpara se të transferohej te Tirana. Mesfushori vlonjat, Hair Zeqiri, është aktivizuar me Çaykir Rizesporin, duke u aktivizua në sezonin 2011-2012 (20 ndeshje), por edhe pse nënshkroi një kontratë 3-vjeçari ai qëndroi vetëm një vit. Bekim Balaj është aktivizuar me Genshlerbirlixhi, pasi u transferua nga Vllaznia. Por, edhe pse sulmuesi shkodran nënshkroi një kontratë katërvjeçare (me një vlerë prej 600 mijë euro) me Genshlerbirlixhi, ai luajti vetëm një ndeshje në sezonin 2010-2011 dhe u rikthye në janar te Tirana. Sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj ka luajtur me dy ekipe në Turqi: Haçetesporin (2008-2009, 11 ndeshje) si dhe me Ordusporin (2010, 10 ndeshje, 2 gola). Aktualisht, Sukaj luan në Iran me Sepahan. Mbrojtësi aktual i Karabakut në Azerbajxhan, shkodrani Admir Teli, ka luajtur me Hacetepesporin në sezonin 2008-2009 (16 ndeshje).

Alban Bushi

Instanbulspor, Trabzonspor

Klodian Duro

Gallatasaraj, Samsunspor, Malatiaspor, Çaykur Rizespor

Lorik Cana

Gallatasaraj

Debatik Curri

Genshlerbirlixhi

Bekim Kuli

Samsunspor

Gilman Lika

Hacetepespor, Boluspor, Diyarbakirspor

Vioresin Sinani

Kajserispor

Hair Zeqiri

Çaykir Rizespor

Bekim Balaj

Genshlerbirlixhi

Admir Teli

Hacetepespor

Xhevair Sukaj

Hacetepespor, Orduspor

Trabzonspori, në skandalin e trukimeve

 Gjatë korrikut të vitit 2011, skandali i ndeshjeve trukuara ne Turqi ishte një ndër më të rëndët. Policia turke arrestoi mbi 80 persona, midis të cilëve edhe presidentin e Trabzonsporit, Sadri Shener. Të arrestuar ishin edhe ish-drejtuesi i Federatës turke, Levent Kizil, ish-funksionari i Ankaraguçu, Mumtaz Karakaya, dhe portieri i Ankaraguçu, Serdar Kulbilge. Ish-presidenti i Federatës, Mahmut Ozgener, u ftua nga policia të dëshmojë. I arrestuar ishte edhe presidenti i Fenerbahce, Aziz Yildirim. Fillimisht skandali përfshiu tre klube Fenerbahçe, Sivasspor dhe, por të përfshira edhe te Trabzonspor dhe Giresunspor, le të mendosh për një rrjet kriminal më të gjerë që merrej me fiksimin e ndeshjeve në Premier Ligën dhe Kategorinë e Parë të kampionatit turk. Policia turke arrestoi mbi 80 persona. Në total ishin 19 ndeshje te dyshuara.

De Biazi përgëzon Kukësin:

“Asgjë nuk vjen rastësisht”

Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, vlerëson arritjet e Kukësit, që vulosi historinë në futbollin shqiptar, duke u renditur si e para skuadër shqiptare që kalon tre ture në një kompeticion europian. De Biazi shkruan në faqen e tij zyrtare në “Facebook” se, fitorja e ekipit të Kukësit, është rezultat i ideve dhe jo rastësore. “Urime Kukësi!!! La forza delle idee… Nulla avviene per caso! (shqip) Urime Kukësi. Forca e ideve… Asgjë nuk ndodh rastësisht”, shkruan trajneri i kombëtares shqiptare.

Kukësi firmos me Dragoin

I ekzaltuar nga kualifikimi i Kukësin në fazën play-off të Europa Ligë, presidenti Safet Gjici nuk ndalet as në merkato. Pasi siguroi firmën e Dritan Smajlit, numri një u klubit verilindor I bëri një tjetër dhuratë stafit tenkin, rumunin Kristian Daniel Dragoi. 31-vjecari firmosi kontratë një-vjecare me opsion rinovimi edhe një vit tjetër. Ish-mesfushori i Vllaznisë tregon arsyet që e bindën për të firmosur me Kukësin. “Vitin e kaluar kur u ndeshja me Kukësit e kuptova se ishte një skudër e organizuar shumë mirë, kishte futbollistë të talentuar dhe një trajner shumë të mirë”. I pyetur për mundësitë që ka Kukësi për të fituar trofe, Dragoi u përgjigj: “Këtë vit Kukësi mund të fitojë ndaj çdo kundërshtari ndaj besoj se do të jetë rival I fortë në të gjitha kompeticionet. Unë kam besim se mund të fitojmë gjithçka.”

Një mijë veta në orën 2 të mëngjesit

Skuadrës së Kukësit iu rezervua dje një pritje prej heronjsh nga ana e tifozëve të kësaj skuadre, të cilëve u është dashur të udhëtojnë drejt aeroportit “Nënë Tereza”. Delegacioni kuksian udhëtoi me çarter nga Dontesku i Ukrainës. Mes vërshëllimave dhe duatrokitjeve qindra tifozë kanë pritur si heronj futbollistët, trajnerin Cungu dhe drejtuesit e klubit. Skuadra e Kukësit zbriti rreth orës 2 të mëngjesit të ditës së premte.

Bilanci me ekipet turke,

dhjetë ndeshje, dhjetë humbje

Shqipëria dhe Turqia janë ndeshur dhjetë herë në nivel klubesh. Bilanci është shumë trishtues, pasi në dhjetë takime kemi pësuar po aq humbje, duke shënuar vetëm dy gola kundër 30 të turqve. Pra në dhjetë ndeshje kemi: 0 fitore, 0 barazime dhe 10 humbje. Janë katër skuadrat tonat: Vllaznia (4 ndeshje), Partizani (2), Dinamo (2) dhe Tirana (2). Kundërshtarët janë: Gallatasaraji, Trabzonspori, Fenerbahçe, Beshikatashi dhe Kaiserspori.

VLLAZNIA

Skuadra shkodrane është ndeshur me Gallatasarajin për Ligën e Kampionëve dhe Trabzonsporin në Kupën Intertoto: katër ndeshje, katër humbje, 16 gola të pësuar kundrejt një goli të realizuar (nga Klodian Duro, pikërisht Gallatasarajit). Me Gallatasarajin, Vllaznia u ndesh në turin e dytë të Ligës së Kampioneve të edicionit 2001-2002, pasi më parë kishte eliminuar Rejkavikun e Islandës. Humbi ndeshjen e parë 4-0 në Stamboll dhe të dytën 2-1 në Tiranë. Me Trabzonsporin humbja ishte dhe më e thellë në turin e dytë të Kupës Intertoto. Dy humbje të thella: 6-0 në Trabzon dhe 4-0 në Shkodër.

TIRANA

Bardheblut ë janë ndeshur në turin e dytë të Kupës UEFA (2006-2007) me Kaisersporin, pasi më parë kishin eliminuar kroatët e Varteksit të Varazhdinit. Në takimin e parë në “Selman Stërmasi” humbi 2-0, ndërsa në Kajseri humbi 3-1. Golin për Tiranën e shënoi Hamdi Salihi.

PARTIZANI

Të kuqtë kanë pasur për kundërshtar Fenerbahçen, me të cilën u përballën në turin e parë të Kupës UEFA në sezonin 1995-1996. Dy ndeshje, dy humbje: 2-0 në Stamboll dhe 4-0 në Tiranë.

DINAMO

Blutë u ndeshen me petkun e kampionit të Shqipërisë ndaj Beshiktashit të Stambollit, në sezonin 1986-1987 të Kupës së Kampioneve (sot Liga e Kampioneve). Në Tiranë humbën 1-0, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Stmboll, 2-0.

LIGA E KAMPIONEVE

Sezoni 1986-1987, turi i parë

Dinamo-Beshiktash    0-1

Beshiktash-Dinamo    2-0

Sezoni 2001-2002, turi i dytë

Gallartasaraj-Vllaznia     4-0

Vllaznia-Gallatasaraj      1-2

KUPA UEFA

Sezoni 1995-1996, turi i parë

Partizani-Fenerbahçe      0-4

Fenebahçe-Partizani       2-0

Sezoni 2006-2007, turi i dytë

Tirana-Kajserispor         0-2

Kajserispor-Tirana         3-1

KUPA INTERTOTO

Sezoni 2007, turi i dytë

Trabzonspor-Vllaznia       6-0

Vllaznia-Trabzonspor       0-4

Bilanci në total

10 ndeshje; 0 fitore, 0 barazime, 10 humbje. Golaverazhi 2-30