Kukësi dhe Teuta mbyllin javën e 13-të në “paqe”

475
Sigal

Barazim 1-1 në sfidën mbyllëse të këtij raundi të Kategorisë Superiore, në Kategorinë e Parë, Vllaznia pëson disfatën e parë sezonale

Kukësi dhe Teuta kanë ulur siparin e ndeshjeve të javës së 13-të në Kategorinë Superiore pas një barazim, i cili në fakt nuk i ka ndihmuar dy skuadrat në një moment ku u duheshin pikë për t’iu bashkuar ekipeve të kreut të renditjes dhe për të mbajtur hapin e Partizanit e Skënderbeut që tashmë janë të shkëputura. Pjesa e parë pa dy skuadra të kujdesshme taktikisht dhe rezultati ndryshoi vetëm falë një goditje dënimi nga Teuta. Në të dytën, po një goditje dënimi solli edhe barazimin, ndërsa më pas nuk kishte më skema në fushën e lojës. Dy skuadrat luajtën hapur duke sulmuar pareshtur me sulme e kundërsulme, por askush nuk kishte më saktësi para katërkëndorit kundërshtar e, si rrjedhojë ndeshja u mbyll me barazimin 1-1. Pas këtij barazimi mjaft të luftuar, “djemtë e detit” ruajnë vendin e tretë, me 22 pikë, aq sa ka edhe Laçi, ndërsa kuksianët pozicionohen të pestët në klasifikimin aktual, me 21 pikë.

Armando Cungu: Meritonim më shumë se barazimi

Mendoj se nuk ishte ndeshje e lehtë për ne. E dinim se ishte ndeshje e vështirë, duke pasur parasysh dhe problemet që kishim. Kishim mjaft dëmtime, në 10-15 minuta e para nuk ekzistuam mirë, ndoshta prej presionit dhe dëshirës për të fituar. Ekipi meritonte sot më tepër se një barazim, për atë që dha në fushë. Çdo trajner ka dëshirë për përmirësim. Dëshirat janë të mëdha, sa më shumë të jenë me kualitet të gatshëm, që marrin përgjegjësi do të jetë më mirë. Kukësi luan futboll dhe kjo më ngroh, ka karakter, ka gjendje të mirë fizike, edhe pse kanë oscilacione disa lojtarë. Ajo që na mungon është brishtësia se si pësojmë dhe vuajtja për të shënuar, edhe pse krijojmë raste. Duhet të shënojmë që të marrim pikur dhe kjo është një e metë e jona”-tha Cungu.

Blendi Shkëmbi: Objektivi i Teutës janë kupat e Evropës

Mendoj që Teuta është gjithmonë e përgatitur për të fituar ndeshjet. Ndaj Kukësit, Skënderbeut apo Partizanit. Se sa e arrijmë këtë e shikojmë pas ndeshjes dhe e diskutojmë. Duhet ta administronim më mirë rezultatin. Kemi disa futbollistë të rinj, jo me eksperiencën e duhur. Në fund të këtij rezultati jam i kënaqur. Edhe me futbollistët edhe me lojën e bërë”. Tekniku Shkëmbi është shprehur për objektivat e skuadrës së tij. “E kemi thënë që ne synojmë Kupat e Evropës, por deri tani edhe pse kemi bërë mirë, llogaritë bëhen në fund dhe duhet të punojmë. Në këtë pushim do jemi në vendin e tretë, por duhet të punojmë më shumë për ta mbajtur këtë vend”-tha Shkëmbi.

KUKËSI-TEUTA 1-1

Rexhinaldo 49′ / Kamara 30′

Kukësi: Frashëri, Maliqi, Shameti, Cuculi, Zguro, Ethemi, Shkodra, Dzaria, Shafik, Shpehar, Rexhinaldo. Trajner: Armando Cungu

Teuta: Hidi, Gjorgievski, Shkalla, Osmani, Beqja, Kamara, Sidibe, Avdyli, Kallaku, Progni, Latif. Trajner: Bledi Shkëmbi