Kukeli: “Jam shqiptar dhe nuk mund të ndryshoj”

507
Sigal

Për Burim Kukelin, papritmas, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kosovari luajti si titullar në fitoren e 7 shtatorit, me rezultatin 3-1 ndaj Qipros. Kukeli e bëri debutimin e tij kuqezi në Tiranë. Para mbërritjes së tij në Luzernë, të hënën në mesditë, Burim Kukeli foli me “20 minuten” për ballafaqimin që e pret të martën ndaj Zvicrës.

Karriera juaj futbollistike hyri në një stad të ri, si pjesë e kombëtares shqiptare…

(Qesh) Diçka e pabesueshme. Nga kontakti i parë me drejtuesit e FSHF deri në eliminatoren me Qipron më kishte mbetur pak kohë për të realizuar çdo gjë. Dhe tani jam këtu, pjesë e kombëtares shqiptare. Nuk mund të gëzoj shumë për këtë realitet të ri për momentin, sepse duhet të përqendrohem te ndeshja me Zvicrën dhe të jap maksimumin tim.

Thonë se ende ua ngatërroni emrat shokëve tuaj në kombëtare. A është kjo e vërtetë?

(Qesh përsëri) Kjo është e drejtë. Unë, përveç Hykës, me të cilët kam luajtur në Lucernë, nuk njihja askënd tjetër në kombëtaren shqiptare.

Atëherë, jeni me fat që FSHF-ja ju dërgoi ftesë për në kombëtare?

Vërtet është kështu. Megjithatë, isha i befasuar kur Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) më kontaktoi mua rreth tre muaj më parë. Për fat të keq nuk ishte e mundur që të merrja pjesë në ndeshjet testuese të qershorit e gushtit, por trajneri besonte tek mua dhe bëri gjithçka të mundshme që të luaja për ekipin kombëtar shqiptar.

Dhe ja, të martën, ndeshjen tuaj të dytë ndërkombëtare me Shqipërinë e luani ndaj Zvicrës. A keni menduar ndonjëherë për atë që ju pret në Lucernë?

Unë u rrita në Zvicër dhe i detyrohem shumë këtij vendi. Sigurisht, kjo është një ndeshje shumë e veçantë për mua. Pastaj, të luajturit në Lucernë, ku kam kaluar katër vjet e gjysmë të karrierës sime, përbën një tjetër emocion. Jam i vetëdijshëm se kjo ndeshje nuk është e lehtë, por jam shqiptar dhe nuk mund të ndryshoj. Dhe jam shumë i lumtur për fanellën që kam veshur.

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Valon Behrami etj., kanë zgjedhur të luajnë për Zvicrën. Ju mund ta kuptoni vendimin e tyre?

Në këtë rast nuk kam asgjë për të thënë. Ka shumë lojtarë të kombeve të ndryshme që kanë bërë të tilla zgjedhje. Zgjedhja e kombëtares së Zvicrës ishte e drejtë e tyre ndaj duhet të pranohet dhe respektohet.

Duke qenë se luan në ligën zvicerane, a ju ka pyetur trajneri De Biazi për kundërshtarin e radhës?

Jo, sepse nuk ka qenë me të vërtetë e nevojshme. Në këtë nivel të futbollit nuk ka sekrete. Drejtuesit e kombëtares shqiptare dërgojnë vëzhgues të tyre, pastaj mund t’i studiojnë rivalët përmes DVD të ndeshjeve. Për më tepër, është shumë më e rëndësishme që të përqendrohemi në lojën tonë dhe jo të kundërshtarit.

Çfarë prisni ju nga ndeshja e së martës?

Zvicra është favorite për të fituar jo vetëm në këtë ndeshje, por në përgjithësi në këtë grup. Ne jemi të vetëdijshëm se në Lucernë do të jetë një betejë e vështirë. Por le të shkojnë me besim dhe pasion në lojë, sepse me zemër mund të mundim çdo kundërshtar të këtij grupi.

Granit Xhaka thotë mirë që luhet në Lucernë, se po të luhej në Bazel do të ishin në stadium 30 mijë shqiptarë. A e konsideroni këtë ndeshje, sikur ta luanit në shtëpi?

Shumë tifozë shqiptarë do të na përkrahin në këtë ndeshje, nuk ka diskutim. Shumë prej tyre jetojnë në Zvicër dhe duan ta përdorin këtë mundësi unike për të parë kombëtaren e tyre të zemrës. Edhe familja ime me disa miq do të jetë në stadium. Sepse edhe për ta është një ndeshje shumë e veçantë.

A duhet të presim provokime ndaj lojtarëve si ju, që kanë vendosur të luajnë me Zvicrën kundër Shqipërisë?

Unë nuk mendoj. Siç e kam thënë më parë, secili mund të vendosë se për kë dëshiron të luajë.