Kualifikohen Zvicra e Kroacia, Italia në 90 minutat e fundit drejt Rusisë

597
Nga Agron KAJA
PLAY-OFF BOTËRORI/ Në zonën e Evropës, dje u mbyllën verdiktet për dy skuadrat e tjera, sot dhe nesër, dy sfida për dy kualifikime
Mbrëmja e sotme, është e dyta që përcakton skuadrën e tretë dhe të katërt në zonën e Evropës, të cilat nga dy ndeshjet e play-off-it do të shkojnë në finalet e Kampionatit Botëror të Futbollit “Rusi 2018”. Pas kualifikimit dje të Zvicrës ku luajnë gjashtë futbollistë me origjinë shqiptare, dhe të Kroacisë që thuajse ishte e kualifikuar që në takimin e parë 4-1, sot e ka radhën Italia, katër herë Kampionia e Botës, e cila pas humbjes tri ditë më parë 0-1 në Suedi, do të kërkojë një biletë për në finalet e Kampionatit Botëror. Një pozicion i pritshëm ky për skuadrën Italiane, pasi në Grupin G kualifikues nuk mundi të kalonte Spanjën, dhe play-off-i mbeti e vetmja shpresë për të qenë në Rusi. Trajneri axur, Xhanpierro Ventura, së bashku me kapitenin Xhanluixhi Bufon, dje në konferencën për shtyp, kanë shprehur besimin dhe shpresën e kualifikimit, pas takimit të kthimit ndaj Suedisë sot në “San Siro”. “Ndryshe nga takimi në Suedi, do të ndryshojmë diçka, dhe shpresoj që t’ia dalim e të marrim rezultatin kualifikues. Nuk ka nevojë për panik, sepse që kur u hodh shorti dhe ramë në një grup me Spanjën, e menduam që mund të ishim edhe në ‘play off’, kështu që nuk është diçka e papritur. Tani duhet të përqendrohemi dhe të bëjmë maksimumin për të përmbysur rezultatin”, theksoi fillimisht trajneri i Italisë, i cili i jep kurajë skuadrës se sot do të dalin të fituar. “Unë i dëgjoj të gjithë, por në fund vendos vetë dhe jam i bindur që nesër (sot), do të marrim rezultatin që duam. Për këtë nevojitet, zemër, zgjuarsi taktike dhe shpejtësi”, u shpreh Ventura, ndërkohë që kapiteni Bufon, kërkoi nga shokët e skuadrës që të kenë besim, se kjo është një sfidë që duhet fituar. “Ne duhet të luajmë me besimin se jemi në gjendje që ta fitojmë ndeshjen me Suedinë. Këtë e treguam edhe në takimin e parë, pasi shpërdoruam shumë raste dhe pësuam në një moment që më shumë ishte i pashmangshëm”. Nesër luhet ndeshja e fundit play-off në zonën e Evropës, e cila përcakton edhe skuadrën e 14-të që do të shkojë në finalet e Botërorit “Rusi 2018”, Irlandë-Danimarkë. Ndeshja e parë në Kopenhagë përfundoi në barazimin e bardhë 0-0, duke e lënë të hapur çdo gjë për të martën në 90 minutat e kthimit. 
RREGULLORJA
Në Zonën e Evropës, ishin 9 grupe kualifikuese, ku skuadrat që zunë vendet e para u kualifikuan direkt në finalet e Botërorit në Rusi. Ndërsa 8 skuadrat më të mira, të cilat u renditën në vendet e dyta, po luajnë në play-off, pas shortit që u hodh në Zyrih dhe përcaktoi katër çiftet, nga të cilët do të dalin 4 skuadra, dhe së bashku me Rusinë organizatore të Botërorit, kompletohen 14 skuadrat e Zonës së Evropës.
PLAY-OFF/ EVROPA 
Ndeshjet e para
Datë 9 nëntor 2017 
Irlanda V-Zvicër 0-1 
Kroaci-Greqi 4-1 
Datë 10 nëntor 2017 
Suedi-Itali 1-0
Datë 11 nëntor 2017 
Danimarkë-Irlandë 0-0 
Ndeshjet e kthimit
Dje, 12 nëntor 2017 
ZVICËR-Irlanda V 0-0
Greqi-Kroaci 0-0
Sot, 13 nëntor 2017 
Itali-Suedi 20:45
Nesër, 14 nëntor 2017 
Irlandë-Danimarkë 20:45
ZONA E EVROPËS
JANË KUALIFIKUAR
1. Franca 
2. Portugalia 
3. Gjermania 
4. Serbia 
5. Polonia 
6. Anglia 
7. Spanja 
8. Belgjika 
9. Islanda 
10.Rusia si vend organizator

KUALIFIKOHEN 
NGA PLAY-OFF
11.Zvicra
12.Kroacia
Skuadra të kualifikuara në Botë
Afrika (5): Egjipti, Nigeria, Senegali, Tunizia, Maroku
Azia (4): Irani, Japonia, Korea e Jugut, Arabia Saudite
Amerika e Veriut (3): Kosta Rika, Panamaja, Meksika
Amerika e Jugut (4): Brazili, Argjentina, Kolumbia, Uruguaji
Oqeania e papërcaktuar
Zelanda e Re në play off me Perunë
Sigal