Ku ndryshon futbolli në fushë, nga boksi në ring?

615
Nga Agron KAJA
INCIDENTI/ Me dhunën që u ushtrua ndaj arbitrave dhe vëzhguesit, pas ndeshjes Flamurtari-Vllaznia 1-1, mos duhet mësuar se kemi Prokurorë në Vlorë?!
Ku ndryshon futbolli nga boksi? Ndryshon në faktin se, boksi fillon me grushte e mbaron me përqafime, ndërsa futbolli në Vlorë filloi me përqafime dhe përfundoi me grushte. Dhe këtë e treguan disa drejtues të Flamurtarit pas barazimit 1-1 me Vllazninë. Tashmë e dinë të gjithë ata që shikojnë dhe lexojnë për Kategorinë Superiore, se në stadiumin “Flamurtari” u ushtrua dhunë. E dinë se, atë dhunë e ushtruan persona zyrtarë të klubit, por edhe të tjerë që ishin në tribunën VIP. Sot, dy ditë pasi ka ndodhur, ajo dhunë nuk vjen si një kronikë, por si një përgjigje në të gjitha planet e qytetarisë e të misionit të futbollit. Ndoshta ajo që vlen të theksohet më shumë, është fakti se kjo dhunë u ushtrua nga njerëz që një barazim në fushë ua faturuan arbitrave, që mosarritjen në fushë ia deleguan FSHF-së, dhe aq më keq, për këtë mosarritje rezultati, kërkojnë që të rrëmbehen armët! Nuk e kemi dëgjuar deri më sot (e hënë, 7 maj 2018), nëse Prokurorja e Përgjithshme e ka parë e dëgjuar Administratorin e Flamurtarit pas kësaj ndeshjeje, i cili në gjaknxehtësi e sipër, ka bërë disa shkelje të etikës dhe të ligjeve që funksionojnë në shtetin shqiptar. Se, së pari, i ka quajtur arbitrat bij k****sh, një fyerje sa morale për një post të tillë, aq edhe fyese e të ndëshkueshme. Se, nëse familjet e këtyre arbitrave vërtetojnë ligjërisht të kundërtën, çfarë mbetet në gojën e kësaj shprehjeje! Edhe drejtori sportiv i klubit ka bërë boksierin në këtë fundndeshje, teksa tinëz ka goditur një nga arbitrat asistentë, të cilit i ka shkaktuar plagë në fytyrë. Për gjithkënd që ka jetuar kohë më të vështira me futbollin, në këtë rast na mbetet të heqim një paralele krahasuese mes viteve 1991 dhe 1997, që këta persona zyrtarë gjaknxehtë, e sollën në versionin e një vlonjati që ka mbetur larg periferisë së qytetarisë të këtij qyteti. Të një vlonjati që Flamurtarin nuk e shikon në fushë për kënaqësi apo dashamirësi, por për një interes ekonomik ose të një dimensioni tjetër e, për pasojë, iu errën sytë e mendja. Mund të quhet normal çdo pretendim për një vendim të arbitrave në fushë, por ajo që duket dhe është e parregullt, nuk shkon me dhunë për drejtues klubesh e skuadrash, sepse ata fillimisht duhet të gjejnë mes tyre se kush e ka fajin që Flamurtari ndodhet në vendin e 6-të në renditje, larg çdo trofeu. E kishte ish-trajneri Shpëtim Duro që dha dorëheqjen, e kanë arbitrat që janë akuzuar javë për javë edhe me libër shtëpie, apo e kanë ata që e ndërtuan dhe e menaxhojnë këtë “Flamurtar” Këtë analizë le ta bëjë opinioni, duke parë aty edhe një paradoks sportiv të shtunën pasdite në Vlorë. Sepse kur në stadiumin e futbollit ushtrohej dhunë, në pallatin e sportit kishte festë. Jo se vajzat vlonjate të basketbollit u shpallën kampione, pasi ky ishte titulli i 22-të i tyre, por se aty ishte logjika, arsyeja e qytetaria më e pastër vlonjate. Gjithsesi, nuk na mbetet të bëjmë moral në këto radhë, se ndoshta ata që dhunuan, teorikisht mund të jenë më të ditur, por sot profesionalisht na mbetet të shkruajmë se, ndaj kësaj dhune duhet “dhunë” ligjore shumë e ashpër, jo vetëm deklarative. Shembulli i Greqisë, ndoshta për Flamurtarin mbetet në tavolinën e Disiplinës, jo me pasion, por me realitetin që po tregon ky klub futbolli i madh në histori, sot i vogël dhe i dhunshëm, në kulturë e menaxhim. Futbolli luhet me top në fushë, dhe jo me armë në tribunën e stadiumit. Nuk jemi në Vlorën e vitit 1912, sot në 2018-ën!
Sigal