Ku humbën miliona euro për fëmijët shqiptarë?

492
Sigal

Lajmi më i mirë që kanë marrë këtë sezon klubet e Kategorisë Superiore nga Federata Shqiptare e Futbollit ishte shpërndarja e shumave të konsiderueshme që do të përdoreshin për investime në futbollin e moshave. FSHF, e lajmëruar sipas njoftimit të saj vetëm të premten nga UEFA për këtë fond, u ka shpërndarë klubeve informacionin se si mund të përfitonin të ardhurat nëpërmjet projekteve që do të dorëzonin.



Në fakt, një shpjegim të tillë institucioni i futbollit duhej ta kishte bërë që në fillimin e këtij mijëvjeçari, kur UEFA filloi të kalonte rregullisht në arkat e FSHF-së shuma të konsiderueshme për klubet e Superiores.

Këto shuma, të cilat jepeshin si fond solidariteti nga të ardhurat e Ligës së Kampioneve, duhej të shpërndaheshin në të njëjtën mënyrë, për të rritur sadopak nivelin e futbollit të fëmijëve e të rinjve, aty nga ku presupozohet të dalin lojtarët, të cilët në të ardhmen do të përfaqësonin futbollin shqiptar në Kupat e Europës, apo edhe të vishnin fanellën kuqezi të Kombëtares shqiptare.

Historiku
Sipas dokumenteve dhe raporteve vjetore financiare, të cilat mund të sigurohen lirshmërisht në faqen zyrtare të UEFA-s, skema e solidaritetit është vënë në zbatim që në fundin e viteve ’90, por është konsoliduar në fillimin e mijëvjeçarit të ri kur shifrat u bënë më domethënëse.
Në vitin 2003, UEFA vendosi për herë të parë që çdo kampionat elitar do të përfitonte minimumi 176 mijë euro në vit për t’ua kaluar klubeve. Në vitet në vazhdim, kjo shifër është rritur në mënyrë të ndjeshme për të arritur deri në ditët tona ku në sezonin e fundit Kategoria Superiore ka përfituar 486 mijë euro nga kjo skemë shpërndarjeje e UEFA-s.

Të ardhurat e Shqipërisë
Raportet financiare dhe dokumentet e UEFA-s tregojnë qartësisht se, në 15 vitet e fundit, që nga sezoni 2001-2002, e deri më sot, në arkat e FSHF-së kanë kaluar 1.142.100 franga zvicerane dhe 2.986.489 euro, të cilat kanë pasur si destinacion vetëm klubet shqiptare dhe vetëm investimet në futbollin e moshave të kryera nga këto klube dhe jo FSHF.
Duhet theksuar se këto të ardhura nuk janë pjesë e investimeve për futbollin e moshave që UEFA kanalizonte nëpërmjet FSHF-së për të ndihmuar futbollin e bazës, si projekti “HattricK” apo ato “Grassroots”, falë të cilit janë ndërtuar minifushat stërvitore apo janë rregulluar impiantet e shumë klubeve shqiptare.

Shpërndarja
Në mesin e viteve 2000, Federata Shqiptare e Futbollit ua bëri të detyrueshme klubeve të Kategorisë Superiore hapjen e akademive nën varësi, pasi disa të tilla nuk i kishin. Arsyeja ishte e thjeshtë. Që nga viti 2003, për të shmangur abuzimet me skemën e solidaritetit, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s kishte vendosur kushte të qarta për ata që përfitonin nga ajo.

Shifra u kalohej Federatave, por kjo e fundit duhej t’ia kalonte të plotë për shpërndarje Ligës përkatëse. Në rastin e Shqipërisë, në mungesën e Ligës që administronte kampionatin, fondet janë kaluar në FSHF dhe kjo e fundit ka pasur në dorë çdo vit shpërndarjen në klubet përfituese. Këta klube duhej ta drejtonin vetë programin e trajnimit për të gjithë kategoritë e moshave, duke filluar që nga ajo 12-vjeçare e më tutje.

Në vitin 2003 iu kërkua gjithashtu Ligave që të raportonin nëse do të shpërndanin të ardhurat në mënyrë të barabartë, vetëm mes klubeve të kampionatit të elitës, apo kishin ndonjë kriter të tyrin për të bërë ndarjen. Njëkohësisht u kërkua që të përcaktohej nëse do të vendosej ndonjë rregull i qartë në statutet e aktiviteteve vendëse, në mënyrë që këto fonde të shkonin aty ku kishin destinacionin, tek të rinjtë dhe të mos shpërdoroheshin.
Në Shqipëri, ku tentativa e fundit e dështuar për të krijuar një Ligë ishte e një dekade më parë, të gjitha zgjedhjet ranë në duart e FSHF-së. Ndaj, kjo e fundit është ajo që i ka kthyer UEFA-s të gjitha përgjigjet përkatëse, me kriteret e shpërndarjes së këtij fondi të përvitshëm që kishte si qëllim përmirësimin e kushteve të futbollit të fëmijëve dhe të rinjve në vendin tonë.

Realiteti shqiptar
Mjafton të shkosh në fundjavë pranë fushave ku luajnë akademitë e klubeve elitare shqiptare për të kuptuar se rreth 4 milionë euro, që kanë vërshuar në futbollin shqiptar gjatë 15 viteve të fundit, nuk kanë mbërritur në destinacion. Fusha me dhe e baltë si një shekull më parë, kur Shqipëria zbuloi për herë të parë lojën e futbollit; fëmijë dhe të rinj që (zh)vishen në mes të rrugës, anës këtyre fushave apo kanaleve; fanella të vjetruara nga përdorimi, shpeshherë të Real Madridit, Çelsit, Juventusit, Interit apo Milanit.

Pa harruar këtu fëmijë, prindërit apo familjarët e të cilëve paguajnë vetë për transportin apo kuotën mujore për të qenë pjesë e akademive elitare. Kjo shfaqje e shëmtuar do të ishte evituar sadopak nëse këto të ardhura, të cilat praktikisht janë dhuratë nga idhujt që ato shohin çdo javë në Ligën e Kampioneve, do të ishin përdorur realisht për të bërë diferencën në futbollin shqiptar dhe për ta larguar nga bataku ku është zhytur.

Ajo që shqetëson më shumë është fakti se, një javë më parë, shumë klube deklaruan se nuk kishin asnjë informacion rreth këtij fondi solidariteti që duhej shfrytëzuar për të rinjtë. Ndaj, natyrshëm, lind pyetja nëse klubet në fjalë kanë përfituar realisht ndonjëherë nga këto të ardhura apo ato kanë “qarkulluar” lirshëm sipas interesave në Federatën Shqiptare të Futbollit për projekte të tjera.

Kësaj pyetje mund t’i japin përgjigje vetëm persona brenda FSHFsë, të cilët në 15 vitet e fundit kanë pasur si detyrë që t’ua kalojnë këto fonde klubeve shqiptare për të përmirësuar bazën e piramidës futbollistike në vendin tonë dhe kanë firmosur për lëvrimin e tyre. (Panorama Sport)