Kryetrajneri Sadik Mema: Evidentuam disa talente në këtë veprimtari

61
Për Kryetrajnerin e AN “Te Stela”, veprimtaria që u organizua prej tyre ditën e shtunë, “Notojmë të gëzuar”, ia arriti qëllimit të saj. Sipas tij, aty fëmijët garues, jo vetëm që u argëtuan, por prej tyre u evidentuan edhe disa notarë të vegjël të talentuar. “Për ne si organizatorë të veprimtarisë “Notojmë të gëzuar”, mendoj se qëllimit ia arritëm. Në garat që zhvilluam, ne së pari ndjemë atmosferën e gëzueshme të fëmijëve, sepse pas stërvitjeve të shumta, garat ishin tregues i secilit prej tyre. Ne evidentuam disa talente që do të na shërbejnë për të ardhmen”, theksoi fillimisht në deklarimin e tij Kryetrajneri Sadik Mema. Por, për të, pas kësaj veprimtarie, Kampionati Kombëtar që do të zhvillohet më 21 e 22 prill, do të jetë barometri i kësaj pune disa mujore. “Këtu në këtë pishinë, javën e ardhshme do të zhvillohet Kampionati Kombëtar për të Rinj e të Rritur në pishinë 25 m. Ne kemi muaj që punojmë për këtë event, në të cilin do të përfaqësohemi me dinjitet në të gjitha garat. Masat tona janë të plota për këtë veprimtari”.