Kriza ekonomike varfëron merkaton

513
Sigal

Superliga, merkato në parametra zero. Ja të gjitha lëvizjet e kryera deri tani në Kategorisë Superiore

Kur kanë mbetur edhe pesë ditë nga përfundimi i afatit zyrtar të merkatos dimërore (ora 24:00, e datës 31 janar 2013), 14 klubet e Kategorisë Superiore kanë bërë përpjekje maksimale për të riformatuar grupin, me të cilën do të përballojnë fazën e dytë të kompeticionit. Numri i lëvizjeve (afrimeve dhe largimeve) është shumë i vogël, në raport me 234 transferimet që ndodhën gjatë merkatos së verës së kaluar. Ajo që bie në sy janë afrimet e lojtarëve të huaj, kryesish ballkanas: maqedonas, malazezë, serbë, por nuk mungon edhe afrimi i një lojtari anglez te Luftëtari: Xhejms Feniks, britaniku i cili në sezonin 2009-2010 ka luajtur me Vllazninë, kur skuadra drejtohej nga trajneri Edi Martini, aktualisht trajneri i gjirokastritëve. Ndërsa në merkaton e kampionateve të huaja deklarohen shifrat e blerjes së lojtarëve, në Shqipëri nuk ndodh që një klub të blejë kartonin e ndonjë futbollisti. Pra, është një merkato në shifra zero për klubet. Kjo, edhe për faktin se lojtarët që afrohen, sidomos në merkaton dimërore, ose janë të lirë ose kanë shkëputur marrëdhëniet me ish-klubin e tyre për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve financiare. Gjithsesi, duhet thënë se kriza ekonomike që po kalojnë disa nga klubet e Superligës e ka varfëruar merkaton, ku me tepër janë parë lëvizje lojtarësh të dorës së dytë. Gazeta “Telegraf” bën një përmbledhje të të gjitha lëvizjeve të deritanishme të ekipeve, sipas renditjes që ato patën në përfundim të fazës së parë.  Edhe pse kanë tentuar (të paktën i kanë marrë në provë) disa lojtarë, lideri i kampionatit, SKËNDERBEU, nuk ka afruar asnjë futbollist të ri, teksa nga “kampi” i Mirel Josës është larguar Milosh Markoviç. Edhe pse u fol për një largim të mundshëm të Nuredin Orelesi, drejt Ukrainës (Krivbasit), nigeriani vazhdon të jetë në forcë me kampionët, në turneun e Portugalisë. TEUTA e mbylli si “nënkampione e dimrit” fazën e parë. Skuadra durrsake, pas paraqitjeve të dobëta në fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, tani është në kërkim të një trajneri të ri, të tretit sezonal pas shkarkimi të Hasan Likës (java e 4-t) dhe dorëheqjes së Gentian Begesë. Të afruar janë Guido Tepshi, Shaqir Stafa dhe Vedat Muriqi. Të larguar janë Enio Petro, Albano Çaushaj dhe Rustem Hoxha. TIRANA nuk bëri një sezon të mirë në fazën e parë. Eliminimi i shpejtë nga Kupa e Shqipërisë, e shoqëruar edhe krizën financiare (tashmë të kaluar) e ka detyruar të hyjë në merkato. Fatmir Hysenbelliu, Dario Xhuti janë tashmë të konfirmuar, ndërkohë që në diskutimet e fundit të termave të kontratës janë dhe francezi Herbi Fortunat si dhe Eleandro Pema. Mesfushori i Kombëtares, Gilman Lika, pritet të rinovojë me 24 herë kampionët e Shqipërisë, të cilëve u mungon titulli nga sezoni 2008-2009. Të larguar janë Fabio Hoxha (i ardhur nga Italia) dhe Miodrag Zec. Edhe italiani Pigoni mund të quhet një i larguar. BYLISI ndihet i kënaqur me ecurinë e deritanishme: vendi i katërt në kampionat dhe favorit për të kaluar në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Presidenti Besnik Kapllanaj dhe trajneri kosovaro-turk, Naxhi Shensoi, nuk kanë kërkuar përforcime. Vetëm dy largime: Armand Gega dhe braziliani Denis Da Silva. KUKËSI, skuadra surprizë e fazës së parë dhe një kandidate e fortë për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë ka afruar vetëm Serxho Abdurrahmanin dhe Vilfor Hysën. Të larguar janë Julian Malo, Milosh Jevdjeviç, Endri Lala, Bruno Hoxha, Elvis Prençi, Arjet Memishaj, Erald Almeta. LAÇI synon ta sigurojë sa më shpejt mbijetësen. Kurbinasit kanë afruar Emiljano Çelën dhe Albion Blloku, por largimet janë më të shumta: Eni Imami, Erjon Hoti, Orjand Abazaj, Antonio Marku dhe Henri Ndreka. Drejtuesit e FLAMURTARIT kishin deklaruar gjithmonë se skuadra kishte nevojë vetëm për një përforcim në mbrotje. Pikërisht, i afruari i vetëm është maqedonasi Vlade Lazarevski, ndërkohë që është rikthyer nga huazimi te Luftëtari, Ledian Liçaj. VLLAZNIA, që tashmë është nën drejtimin e trajnerit Artan Bushati, gjeti akordin me Dordjie Cetkoviçin, ndërsa të larguar nga skuadra janë mbrojtësi Tefik Osmani dhe sulmuesi Vilfor Hysa. BESA po përjeton një moment jo të mirë financiar, kjo ka bërë që drejtuesit e skuadrës të mos afrojnë asnjë lojtar, por dhe këta të fundit të mos kenë interes për të luajtur në Kavajë. Të larguar janë Florent Aziri, Bojan Maliniç dhe Predrag Popuça. Edhe KASTRIOTI ka bërë lëvizjet e tij në merkato. Dy nga emrat më të përfolur janë nigeriani Çarles Indeku dhe braziliani i njohur në vendin tonë, Marko Dos Santos. Nga skuadra krutane janë larguar të huajt: Petar Boroviçanin, Nemanja Laziç, Vasilje Prodanoviç. LUFTËTARI po bën një merkato të “zhurmshme”, pasi midis të tjerëv e ka afruar edhe një lojtar anglez, Xhejms Feniksin. Lojtarët e tjerë janë Davor Bërnoviç, Luka Tiodoroviç, Kate Fonseka, Rrustem Hoxha dhe Andi Bakiasi. Të larguar nga skuadra e Edi Martinit janë Erind Selimaj, Lejdi Liçaj, Ergys Sorra, Aleksandër Miliç, Stiven Fanka dhe Bledar Shalari. SHKUMBINI është në luftë për të mos rënë nga Kategoria Superiore, çka do të ishte hera e parë qysh nga sezoni 1994-1995. Peqinasit e drejtuar nga Kristaq Mile mund të konsiderojnë të tyre, Vangjel Milen, Emiljano Mustën, por dhe senegelazin Papa Diop. Në bisedime e sipër është dhe boshnjaku Ahmed Mujdragiç. Të larguar janë Bledar Devolli, Orgest Gava dhe Ganiol Kaçuli. APOLONIA ia doli të shpëtojë sezonin e kaluar falë ndeshjeve “play-off”, por këtë sezon, në të cilin bien direkt katër skuadra, do ta ketë vështirë të mbijetojë. Vetëm një afrim, ose më mirë në provë: Vilson Cakoviç. TOMORI mund të konsiderohet se “fabrika e merkatos”, kjo për shkak të numri të madh të largimeve dhe të afrimeve. Vendi i fundit në kampionat ka afruar Aldo Mitrajn, Laert Bejkon, Adeni Xhejms, Ervin Sulejmanin, por dhe nigerianin Sunday Oloutasin. Largimet janë të shumta, më shumë se gjysma e skuadrës: Jurika Vrucina, Pllumb Jusufi, Shaqir Stafa, Erlis Frashëri, Maringlen Kule, Klevis Gjoni, Andi Bakiasi, Enri Tafa, Bledar Hodo, Viktor Gjyla, Eni Naço, Rigers Hysko dhe Vangjel Mile.

LËVIZJET E MERKATOS

Klubet          Afrime     Largime

Skënderbeu      0          1

Teuta           3          3

Tirana          2          2

Bylisi          0          2

Kukësi          2          7

Laçi            2          5

Flamurtari      2          0

Vllaznia        1          2

Besa            0          3

Kastrioti       2          3

Luftëtari       6          6

Shkumbini       3          3

Apolonia        1          0

Tomori          4          13

Superliga, e 78-ta në Botë

 Instituti i statistikave dhe historisë së Futbollit e pozicionon kampionatin shqiptar në vendin 78 në klasifikimin e përgjithshëm të ligave më të forta për shekullin e 21. Liga shqiptare vazhdon të jetë në nivele ulëta, duke lënë pas vetëm ligat e vendeve të tilla si Sudani, India, Singapori, Armenia apo Jordania, ndërsa më mirë se kampionati shqiptar klasifikohen ligat e Kuvajtit, Zimbabves, Maqedonisë, El Salvadorit apo e Katarit. Në këtë klasifikimin janë përfshirë 130 liga nga e gjitha bota, teksa kategoria superiore lë pas vetë 52 liga. Këtë renditje e kryeson liga angleze, më pas vjen ajo spanjolle, italiane, braziliane, Gjermane, Franceze dhe Argjentinase. Sa i përket renditjes së ligave më të forta europiane për shekullin e 21, kampionati shqiptar renditet i 40-ti nga 48 gjithsej.

   MIQËSORJA SHQIPËRI-GJEORGJI

Trajneri i Gjeorgjisë, Ketsbaia:“Në Shqipëri, për eksperimente”

  Ndeshja e parë e vitit 2013 për ekipin e Gjeorgjisë do të jetë ajo kundër Shqipërisë, pikërisht më 6 shkurt në Tiranë, një miqësore që do t’u vlejë të dyja skuadrave për të koaliduar idetë e fundit përpara fillimit të ndeshjeve zyrtare për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Trajneri i Gjeorgjisë, Temur Ketsbaia, duke folur për gazetën gjeorgjiane, “Georgia Today”, tha se “kjo nuk është koha më e mirë që të përballemi me Shqipërinë”, kjo për shkak se përqindja më e madhe e lojtarëve ndërkombëtarë të Gjeorgjisë luajnë për klube ruse dhe ukrainase, kampionatet e të cilave për shkak të pezullimit të gjatë dimëror, nuk janë në kondicion fizik. Disa nga lojtarët kryesorë të Gjeorgjisë, të tillë si qendërmbrojtësi Aleksandre Amisulashvili dhe portieri Nukri Revishvili janë larguar nga klubet e tyre, dhe tani u duhet të gjejnë një punëdhënës të ri. Ketsbaia tha: “Fatkeqësish, disa nga lojtarët janë pa klube. Nga ana tjetër, shumë futbollistë të ekipit tonë nuk do të jenë në gjendjen optimale pasi ligat këtu ata luajnë i fillojnë kampionatet e tyre në fund të muajit shkurt ose në fillim të marsit”. Ndeshja e fundit e Gjeorgjisë ishte barazimi 0-0 në miqësoren me Egjiptit, në nëntor të vitit të kaluar. Ndeshje kundër Shqipërisë konsiderohet si nxehja e fundit e Gjeorgjisë përpara ndeshjes kundër Francës, më 22 mars. Pikërisht, në Tiranë, trajneri Ketsbaia dëshiron të bëjë disa eksperimente të fundit në lidhje me formacionin që do të hedhë në fushë. Trajneri shtoi: “Çdo ndeshje është e rëndësishme, nuk ka rëndësi nëse është zyrtare apo miqësore. Më 22 mars, ne do të luajmë kundër Francës, pra pas dy muajsh. Kështu, unë nuk pres që formacioni titullar që do të luajë kundër Shqipërisë të jetë i njëjtë me atë kundër Francës”. Ketsbaia pritet ta shpallë skuadrën e tij në fund të janarit, por synon të thërrasë disa emra të rinj. Për momentin, Shqipëria është nëntë vende sipër Gjeorgjisë në renditjen botërore dhe gazeta “Georgia Today” veçon dhe fakti që, ekipi ynë ka bërë një start inkurajues në grupin e saj kualifikues të Botërorit. Shqipëria është e treta në grupin E dhe mundi 1-0 Slloveninë në ndeshjen e fundit kualifikuese, ndërkohë që ka një pikë më pak se Norvegjia me të cilën do të përballet në Oslo në muajin mars.

“Nuk kemi lojtarë si Cana”

 Gazeta gjeorgjiane vlerëson faktin, që trajneri italian Xhani De Biazi ka në dispozicion lojtarë të tillë si Lorik Cana, i cili luan për Lacion dhe ka shpenzuar karrierën e tij në klube të mëdha europiane të tilla si, Paris Saint-Germain, Marsejë dhe Gallatasaraj. “Ketsbaia nuk ka lojtarë të tillë në skuadrën e tij, qysh kur u tërhoq nga Kombëtarja, Khaka Kaladze, dhe tani i duhet të hedhë sytë nga lojtarë të rinj si Tornike Okriashvili dhe Ananidze, më qëllim që të punojë për fushatën e Euro 2016-s”, veçon “Georgia Today”.

 De Biazi i ul notën Juventusit

 Xhani De Biazi, trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, i uli vlerësimin paraqitjes së deritanishme të Juventusit, pavarësisht se “Zonja e Vjetër” kryeson kampionatin italian, kur janë luajtur me shumë se gjysma e takimeve. “Juve sezonin e kaluar krijonte më shumë, dhe kishte më pak pikë. Diferenca e vërtetë me këtë vit është që skuadra e Kontes është bërë më cinike”. Duke folur për radion napolitane “Kiss Kiss Napoli”, De Biazi, i vlerësuar si një nga opinionistët më të mirë në Itali, bërë dhe disa vlerësime për skuadrat e tjera. “Napoli është duke bërë diçka të jashtëzakonshme, dhe këtë gjë po e bën edhe Lacio, por Juventusi, edhe pse nuk po shkëlqen aq sa duhet, ka më shumë pikë se vitin e kaluar dhe është më konkrete”.

 Telenovela “Inter-Ujkani”,në serinë e fundit

 Samir Ujkani është shumë pranë kalimit tek Interi, duke u bërë portieri i parë shqiptar që do të luajë me gjigantët nga Milano. Largimi i gardianit të Kombëtares shqiptare nga Palermo është një çështje orësh, pasi skuadra siciliane bleu përfundimisht kartonin e Stefano Sorrentinos. Kjo provokoi edhe “valsin” e portierëve te Palermo. Sipas mediave italiane dhe portaleve të afërta me Interin, të tilla si “Interlive.it”, janë rritur në maksimum mundësitë që Samir Ujkani të bëhet zëvendësi i sllovenit Samir Handanoviç te Interit. I këtij mendimi ështe dhe zëvëndëspresidenti i Palermos, Guljemo Mikike. “Blerja e Sorrentinos ishte një goditje e bukur, – tha zëvendëspresidenti i klubit sicilian, – punuam shumë për ta marrë atë dhe ju rrëfej se e kishim ndjekur prej më shumë se një viti. Është e qartë se, një  midis Ujkanit dhe Benusit do të shiten, pasi janë që të dy portierë që e meritojnë të luajnë”. Në lidhje me një transferim të mundshëm të Ujkanit tek Interi, Mikike sqaroi: “Drejtori sportiv Lo Monako më ka konfirmuar se kanë mbërritur shumë oferta për Ujkanin, por nuk e di nëse Interi është me të vërtetë i interesuar për të marrë një portier tjetër, apo se dëshiron të presë rikthimin e Kastelacit”. Për shërbimet e 24-vjeçarit Ujkanit kanë shprehur interesim edhe Fiorentina, Napoli, Lacio, Kievo. Në fakt, Ujkani nuk është i vetmi lojtar shqiptar që mund të transferohet gjatë merkatos së janarit. Pak ditë më parë, Edgar Çani u rikthye në Serinë A, pas eksperiencës së tij me Polonia Varshavën në kampionatin polak. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare firmosi një kontratë deri më 30 qershor të vitit 2016., me Katanian e vendit të 8-të në kampionatin italian.